
Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar me 39 vite burg ditën e sotme, gjashtë personat e akuzuar për një aksident me autobus në vitin 2019 në afërsi të Laskarcit të Gostivarit, ku humbën jetën 16 persona. Shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski, është dënuar me 14 vite burg, ndërsa shefi i kompanisë “Durmo Tours”, Durmish Beluli, u dënua me katër vite burg.
Përgjegjësi për transport në këtë kompani, Remzi Miftari u dënua me 6 vite burg ndërsa me nga pesë vite janë dënuar punonjësit e qendrës teknike të kompanisë, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski.
Aksidenti i rëndë rrugor ndodhi në autostradën Shkup-Tetovë, kur një autobus që po udhëtonte për në Gostivar, doli nga rruga duke u rrokullisur në një hendek përgjatë autostradës.
Në autobus ishin rreth 50 persona, kryesisht punonjës të administratës dhe të tjerë që po ktheheshin në shtëpitë e tyre. Gjykata ka shqiptuar për të gjithë të pandehurit një dënim dytësor -ndalimin e kryerjes së veprimtarisë në kohëzgjatje prej pesë vitesh.
Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për të akuzuarit deri në marrjen e aktgjykimit të formës së prerë, ndërsa mbrojtja ka kërkuar masa më të lehta, për faktin se disa prej të dënuarve tashmë janë nën masat e sigurimit. Ky aksident shkaktoi reagime të shumta në opinion, për shkak të zgjatjes së procedurës gjyqësore dhe “dyshimeve për ndikime politike me qëllim shpëtimin e personave të caktuar dhe hedhjen e fajësisë vetëm te shoferi i autobusit”.
Procesi gjyqësor rrezikoi edhe kthimin në rigjykim, për shkak të emërimit të gjykatëses së rastit në Gjykatën e Apelit. Por, pas reagimit të palës mbrojtëse, familjarëve dhe opinionit më të gjerë, gjykatësja është kthyer në detyrë për të marrë vendim për këtë rast
Lini një Përgjigje