
Historia vijon të përsëritet. Pas deklaratave të bujshme se një marrëveshje mes Iranit dhe SHBA-së është fare pranë, ka ardhur refuzimi nga palët. Teksa ditën e sotme mediat ndërkombëtare njoftuan se SHBA-ja dhe Irani kishin rënë dakord për një draft marrëveshje e cila pritej të firmosej nga presidenti Donald Trump dhe Lideri i Iranit, Mojtaba Khamenei, Teherani ka hedhur poshtë gjithçka.
Në një njoftim të nxjerrë pak minuta më parë, media shtetërore iraniane raportoi se nuk është arritur asnjë marrëveshje me SHBA-në, duke minuar raportet e mëparshme.
Axios, Reuters dhe AP kishin cituar zyrtarë të kenë thënë se marrëveshja ishte në tavolinën e Donald Trump për miratim përfundimtar dhe do të rihapte Ngushticën e Hormuzit. Por tani agjencia e lajmeve Tasnim e Iranit thotë se teksti i një memorandumi të mundshëm mirëkuptimi nuk është konfirmuar ende, sipas një burimi pranë ekipit negociator iranian.
Ndërkohë në krahun tjetër, sekretari i Thesarit, Scott Bessent iu shmang pyetjeve mbi marrëveshjen me Iranin, gjatë një konference për shtyp.
Bessent u pyetet nëse ka folur me Donald Trump para informimit dhe nëse do të ishte i gatshëm të pranonte memorandumin e armëpushimit 60-ditor të raportuar, ai u përgjigj duke thënë se nuk e kishte parë presidentin ditën e sotme.
"Nuk e kam parë presidentin sot", tha ai.
Bessent paralajmëroi gjithashtu, se durimi i SHBA-së 'nuk është i pakufizuar' ndërsa Irani përpiqet të koordinohet për marrëveshjen. Duke përshkruar arsyen e vonesave, sekretari i thesarit, tha se kjo vjen si shkak i drejtimit të shtetit iranian nga disa fraksione.
“SHBA-të kanë durim të kufizuar me tre shtyllat e qeverisë së Iranit që komunikojnë rreth një marrëveshjeje të mundshme paqeje. Qeveria e Iranit tani është në shtresën e tretë, të përbërë nga qeveria e zgjedhur, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike dhe klerikët. Ata po kanë vështirësi në komunikim... ne po tregohemi të duruar, (por) nuk kemi durim të pakufizuar. Presidenti Trump gjithmonë preferon një marrëveshje paqeje", tha ai.
Lini një Përgjigje