TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Mars 2026, 22:03

Aksidenti në SHBA, stjuardesa shpëton mrekullisht; gjendet jashtë avionit e lidhur pas sediljes

Shkruar nga Pamfleti
Aksidenti në SHBA, stjuardesa shpëton mrekullisht; gjendet jashtë
Aksidenti ajror

Një stjuardesë ka mbijetuar në mënyrë të pazakontë pas aksidentit në aeroportin LaGuardia në New York, ku një avion u përplas me një mjet shërbimi gjatë lëvizjes në pistë.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, ajo u gjet e gjallë jashtë avionit, ende e lidhur në sediljen e saj. Dyshohet se sedilja është shkëputur dhe ka rënë përmes një hapjeje të krijuar në dyshemenë e avionit si pasojë e përplasjes.

Ajo ka pësuar lëndime serioze, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa po trajtohet në spital.

Avioni, me 73 pasagjerë dhe katër anëtarë ekuipazhi në bord, kishte përfunduar uljen pa probleme pas një fluturimi nga Montreal mbrëmjen e së dielës. Megjithatë, gjatë lëvizjes në pistë, ai u përplas me një mjet shërbimi që ndodhej në trajektore, ndërsa lëvizte me rreth 160 km/h.

Si pasojë e incidentit, 43 persona u transportuan në spital me lëndime të ndryshme, që variojnë nga fraktura deri në mavijosje. Shumica janë liruar pas trajtimit, ndërsa nëntë persona vijojnë të mbeten nën kujdes mjekësor. Dy punonjës të zjarrfikëses ndodhen në gjendje të qëndrueshme.

Ndërkohë, regjistrimet audio nga kulla e kontrollit të trafikut ajror zbulojnë momentet dramatike para përplasjes. Në to dëgjohet një alarm dhe thirrje të përsëritura për të ndaluar një mjet që po hynte në pistë, vetëm pak sekonda përpara incidentit.

Ngjarja ka ngritur pikëpyetje serioze mbi procedurat e sigurisë në aeroport dhe koordinimin mes shërbimeve në pistë, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit vijojnë.

aksidenti

Lini një Përgjigje