TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Nëntor 2025, 19:36

Administrata e Trump shpall zyrtarisht Maduron si anëtar të organizatave terroriste

Shkruar nga Pamfleti

Administrata e Trump shpall zyrtarisht Maduron si anëtar të

Administrata Trump ka marrë kompetenca të zgjeruara për të ndërmarrë veprime kundër Venezuelës që nga e hëna, pasi SHBA zyrtarisht ka klasifikuar presidentin venezuelian Nicolás Maduro dhe aleatët e tij në qeveri si pjesë të një organizate të huaj terroriste.

Emërtimi i “Kartelit të Diellëve” (Cartel de los Soles) një term që, sipas ekspertëve, përshkruan më tepër zyrtarë të korruptuar të regjimit sesa një grup të strukturuar kriminal, i jep Presidentit Donald Trump mundësinë të vendosë sanksione të reja që synojnë asetet dhe infrastrukturën e kontrolluar nga Maduro. Sipas juristëve, ky klasifikim nuk autorizon drejtpërdrejt përdorimin e forcës vdekjeprurëse, por krijon bazë ligjore për masa më të rënda.

Megjithatë, zyrtarë të administratës po argumentojnë se kjo lëvizje, një nga mjetet më të rënda të Departamentit të Shtetit në luftën kundër terrorizmit, i jep SHBA-së opsione të zgjeruara ushtarake për goditje brenda territorit venezuelian.

Sipas ekspertëve, termi “Cartel de los Soles” i referohet një rrjeti të decentralizuar grupesh brenda ushtrisë venezueliane, të lidhura me trafikun e drogës. Presidenti Maduro ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje personale dhe qeveria e tij ka hedhur poshtë ekzistencën e këtij karteli, të cilin disa ekspertë thonë se teknikisht nuk ekziston si strukturë e organizuar.

Emërtimi zyrtar, i bërë publik më 16 nëntor, vjen në një moment kur ushtria amerikane ka vendosur mbi një duzinë anijesh luftarake dhe rreth 15,000 trupa në rajon, si pjesë e operacionit të Pentagoni-t “Southern Spear”. Në kuadër të fushatës kundër trafikut të drogës, SHBA ka vrarë dhjetëra persona në goditje detare.

Presidenti Trump është informuar nga zyrtarët më të lartë për një gamë të gjerë opsionesh për veprim brenda Venezuelës, që nga sulme të mundshme mbi bazat ushtarake ose qeveritare, deri tek operacione speciale. Opsioni i mosveprimit mbetet ende në tryezë.

Ndërkohë, kryetari i Shefave të Shtabit, gjenerali Dan Caine, dhe këshilltari i tij i lartë, David Isom, pritet të vizitojnë Puerto Ricon të hënën për të falënderuar trupat që mbështesin misionet në Detin e Karaibeve.

Megjithëse operacioni po zhvillohet me intensitet, një pjesë e opinionit publik amerikan e kundërshton ndërhyrjen ushtarake. Sipas një sondazhi CBS Neës/YouGov të publikuar të dielën, 70% e amerikanëve kundërshtojnë aksionin ushtarak në Venezuelë, ndërsa 30% janë pro. Po ashtu, 76% e të anketuarve mendojnë se administrata Trump nuk e ka shpjeguar qartë pozicionin e saj.

Zyrtarisht, administrata Trump thotë se synimi është reduktimi i flukseve të paligjshme të migrantëve dhe drogës, megjithëse një efekt i mundshëm anësor është ndryshimi i regjimit të Maduros. Sipas një zyrtari amerikan, Trump shpreson që presioni i kombinuar të jetë i mjaftueshëm për ta detyruar Maduros të japë dorëheqjen pa përdorim të drejtpërdrejtë të forcës.

Qeveria venezueliane reagoi me një deklaratë, duke e quajtur klasifikimin e kartelit si organizatë terroriste “një fabrikim qesharak”.

“Kjo manovër e re do të ketë të njëjtin fat si agresionet e kaluara kundër vendit tonë: dështimin”, vijon deklarata.

Trump ka treguar gjithashtu hapësirë për një zgjidhje diplomatike. Javën e kaluar ai deklaroi se Maduro “do të donte të bisedonte”, duke shtuar se ai vetë mund të ishte i hapur për një takim “në një moment të caktuar”.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së CNN për koment mbi mundësinë e një bisede të afërt Trump–Maduro.

Lini një Përgjigje