
Pse Trump gëzon 'përjashtim presidencial' nga ligji i konfliktit të interesit?
Çdo zyrtar i degës ekzekutive është i detyruar me ligj, nën kërcënimin e burgut, të shmangë konfliktet financiare të interesit. Por dy njerëz janë të përjashtuar: Presidenti Donald Trump dhe Zëvendëspresidenti JD Vance.
Ky përjashtim presidencial, i sanksionuar prej dekadash në ligjin federal për konfliktet e interesit, ka krijuar një situatë absurde ku Trump i shpërfill haptazi normat etike, ndërsa anëtarët e kabinetit, këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë dhe të emëruarit në gjithë qeverinë federale detyrohen të kryejnë manovra të pafundme për të shmangur konfliktet, qoftë duke shitur pasuritë e tyre, qoftë duke u tërhequr nga vendimmarrje të caktuara.
Shtatë muaj pas nisjes së mandatit, Trump e ka përzier hapur biznesin e tij me presidencën. Administrata e tij ka pranuar një avion luksoz prej 400 milionë dollarësh nga Katari. Ai ka darkuar me investitorë të pasur të kriptomonedhës së tij, ka shitur telefona me markën Trump, ka promovuar resortet e golfit në Skoci dhe shumë të tjera.
“Ky përjashtim ligjor për presidentin minon besimin e publikut tek qeveria”, tha Richard Painter, juristi kryesor i etikës në Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës Bush, i cili më pas u largua nga Partia Republikane. “Çdo president që nga Lufta Civile ka shmangur konfliktet vullnetarisht. Ata e kanë kuptuar sa e rëndësishme është kjo.”
Sa i përket të emëruarve të Trump, “ata janë të detyruar nga ligji penal dhe mendoj se po përpiqen të respektojnë rregullat”, shtoi Painter. Për shembull, Sekretari i Thesarit Scott Bessent thotë se ka shitur 96% të aseteve që i duhej të shiste, gjë e vështirë për një ish-menaxher fondesh që zotëronte gati një miliard dollarë në pasuri. Megjithatë, muajin e kaluar ai u kritikua nga zyra e mbikëqyrjes etike federale për vonesa në respektimin e planit të tij të plotë të divestimit.
CNN ka rishikuar emaile të brendshme qeveritare dhe deklarata financiare që tregojnë se edhe zyrtarë të tjerë të lartë të administratës, përfshirë Pentagonin dhe Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit, kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm këtë vit për të respektuar rregullat e etikës. Ata kanë shitur aksione në kompani të mbrojtjes, janë tërhequr nga vendime që lidhen me ish-punëdhënësit e tyre, kanë mbyllur investime të tjera dhe kanë marrë aprovimin e zyrtarëve të etikës.
“Ligji nuk është krijuar për të parandaluar marrëdhëniet e ngushta që kjo administratë dhe administrata të tjera kanë pasur me kompanitë”, tha Donald Sherman, drejtor ekzekutiv i grupit të etikës CREW. “Por gjithsesi është lajm i mirë kur zyrtarët federalë tërhiqen nga projekte ku kanë konflikte të qarta.”
Përjashtimet për Presidentin dhe Zëvendëspresidentin ekzistojnë prej kohësh. Ato u krijuan pas skandalit Watergate, kur Kongresi miratoi ligje të reja dhe presidentët e mëparshëm respektuan normat vullnetarisht. Don Fox, ish-drejtor i përkohshëm i Zyrës së Etikës së Qeverisë, tha se këto përjashtime u krijuan që presidenti dhe zëvendësi të mund të merreshin me çdo çështje që u vinte përpara. “Në teori kishte kuptim dhe ka pasur kuptim për presidentët e mëparshëm deri te Trump. Bush dhe Obama u sollën sikur ishin subjekt i ligjit. Trump e ka parë më shumë si mundësi për të shfrytëzuar një boshllëk ligjor.”
Kur u pyet nga CNN për thyerjen e normave etike, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump po “rikthen integritetin e degës ekzekutive” duke qenë “presidenti më transparent në historinë e SHBA-së”. Në janar, Organizata Trump publikoi një plan etike që parashikonte se Trump nuk do të kishte përfshirje në menaxhimin e perandorisë së tij biznesore, por plani nuk kërkonte që ai të shiste apo të tërhiqej nga asnjë interes. Avokatët e tij privatë theksuan se “as ligji federal dhe as Kushtetuta e SHBA nuk e ndalojnë presidentin të vazhdojë të zotërojë apo menaxhojë bizneset dhe investimet e tij gjatë mandatit”.
Kjo është e vërtetë për Trump, por për gjithë të tjerët në administratë kërkohet shmangia e konfliktit. “Në të vërtetë, ka njerëz në këtë administratë që kanë bërë sakrifica të mëdha financiare për të marrë këto detyra”, tha Fox. “Por toni përcaktohet në krye dhe Trump jep një shembull të tmerrshëm.”
Bessent është shembulli tipik. Ai ka luajtur rol kryesor në mesazhet e administratës mbi tarifat dhe uljet e taksave, ndërsa paralelisht është përpjekur të shesë një portofol të gjërë me aksione në energji, bitcoin dhe telekom. OGE, agjencia federale e etikës, i ka thënë zyrtarisht se nuk po lëvizte mjaftueshëm shpejt për të arritur 100% përputhje. Pasuritë e mbetura përfshijnë një fermë soje dhe misri në Dakotën e Veriut me vlerë deri në 25 milionë dollarë. Ai ka thënë se kjo është pasuri e palëvizshme dhe e vështirë për t’u shitur, por se është duke punuar për ta shitur deri në fund të vitit.
Edhe nëse Bessent është 96% i pastruar nga portofoli i tij një miliard dollarësh, pyetja mbetet: çfarë është 4% e një miliardi? Për një qytetar të zakonshëm kjo është një pasuri marramendëse.
CNN ka mësuar gjithashtu se dy zyrtarë të lartë të Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit kanë ndërmarrë hapa për të shmangur konfliktet me kontraktorët kryesorë të mbrojtjes. Njëri prej tyre, Thomas Williams, kishte interesa financiare prej miliona dollarësh në kompaninë Palantir, ku kishte punuar e shoqja. Pas takimeve me zyrtarët e etikës, ai u tërhoq nga çdo vendimmarrje që lidhej me gjashtë kompani, përfshirë Palantir. Një tjetër zyrtar, Greg Barbaccia, kishte deri në 250 mijë dollarë në Anduril Industries, por ka deklaruar se është tërësisht i divestuar.
Edhe kandidati i Trump për nënsekretar të Ushtrisë, Mike Obadal, zotëronte aksione në Anduril. Ai është zotuar të tërhiqet nga çdo çështje që lidhet me kompaninë dhe ka njoftuar zyrën e etikës se tashmë është tërësisht i divestuar.
Të gjithë këta janë të detyruar nga ligji të shmangin konfliktet. Por Trump dhe JD Vance nuk janë. Dhe kjo është çështja thelbësore: një president që i shkel normat jo vetëm që nuk jep shembull, por e kthen boshllëkun ligjor në mënyrë jetese politike. /Përshtatur nga "CNN"
Lini një Përgjigje