Çrrënjosja e korrupsionit, është një nga betejat përcaktuese të epokës sonë, dhe tani kemi në dispozicion një grup të ri mjetesh të fuqishme dixhitale. Por ndërsa teknologjia mund të ndihmojë në zbulimin dhe parandalimin e akteve korruptive, ligjeve kundër korrupsionit dhe autoriteteve të ngarkuara për zbatimin e tyre, duhet t’u jepet autoriteti i duhur për të përfunduar punën.
Në fund të muajit të kaluar, Akademia Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit (IACA) mbajti takimin e saj vjetor në Vjenë. Përfaqësues nga 81 shtete anëtare, vlerësuan përparimin në misionin e organizatës për ta luftuar korrupsionin përmes arsimit, programeve të ngritjes së kapaciteteve dhe kërkimit.
Korrupsioni prek në mënyrë disproporcionale komunitetet më të varfra dhe më të lëna pas dore, duke e shndërruar atë një tragjedi ekonomike dhe sociale, po aq sa edhe një çështje politike. Sipas Forumit Ekonomik Botëror, korrupsioni i kushton ekonomisë botërore rreth 2.6 trilion dollarë në vit, ose rreth 5 për qind e PBB-së globale, duke lënë më pak burime në dispozicion për shërbimet thelbësore në shumë vende në zhvillim.
Mjetet dixhitale, mund dhe duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në përpjekjet për të çrrënjosur korrupsionin. Qeveritë mund t’i përdorin ato për të rritur transparencën, për të promovuar llogaridhënien dhe për të fuqizuar qytetarët. Por, siç e theksoi edhe asambleja e IACA-s, vetëm teknologjia nuk mund të garantojë sukses në këtë luftë.
Edhe politikëbërësit duhet të angazhohen për masat kundër korrupsionit, të ofrojnë lidership dhe vizion, si dhe të mbështesin sundimin e ligjit. Së pari, teknologjia mund të ndihmojë luftën kundër korrupsionit duke mundësuar dixhitalizimin e shërbimeve qeveritare.
Proceset tejet burokratike bëhen shpesh baza për korrupsion dhe ryshfet. Platformat dixhitale që drejtojnë dhe automatizojnë shërbime të tilla, do të minimizojnë ndërveprimet ballë për ballë, dhe kështu do të reduktojnë mundësitë për korrupsion.
Për shembull, Estonia, një vend pionier në qeverisjen elektronike, i ka dixhitalizuar pothuajse të gjitha shërbimet e saj publike, nga pagesat e taksave tek regjistrimi i biznesit, duke ofruar një transparencë më të madhe, dhe duke e bërë më të vështirë për zyrtarët e korruptuar që të kërkojnë ryshfete.
Ndërkohë qeveritë mund të përdorin teknologjinë blockchain dhe Inteligjencën Artificiale (AI) për të identifikuar dhe parandaluar korrupsionin. Sistemet e prokurimit publik të bazuara tek blockchain, do të krijonin një rekord transparent dhe të pandryshueshëm të proceseve të tenderimit.
Për më tepër, qeveritë kanë filluar të përdorin AI dhe analitikë të të dhënave për të gjurmuar flukset e paligjshme financiare, që shpesh kushtojnë miliarda dollarë në formën e të ardhurave të humbura nga taksat dhe doganat. Nga ana tjetër, Inteligjenca Artificiale mund të zbulojë modele dhe anomali që mund të tregojnë korrupsionin, siç janë transaksionet e dyshimta financiare apo mospërputhjet në të dhënat e prokurimit.
Mjete të tilla mundësojnë ndërhyrjen e hershme, e cila mund të ndalë rritjen e pakontrolluar
të korrupsionit. Disa nga skandalet më të mëdha të korrupsionit në botë, janë ekspozuar nga sinjalizuesit e brendshëm. Për të lehtësuar raportimin e akteve korruptive, politikëbërësit duhet të promovojnë përdorimin e sistemeve të koduara që i lejojnë individët të raportojnë në mënyrë anonime rastet e korrupsionit dhe ryshfetit.
Së bashku me mediat sociale, këto platforma u japin mundësinë qytetarëve të flasin shpejt dhe pa frikën e hakmarrjes, duke ushtruar presion mbi qeveritë dhe bizneset për të vepruar. Gjithsesi, pavarësisht përparimeve në mjetet dixhitale për zbulimin e korrupsionit, teknologjia nuk mund t’i parandalojë aktorët e këqij që të gjejnë zgjidhje alternative.
Për më tepër, hendeku dixhital midis vendeve të pasura dhe të varfra, nënkupton se qytetarët dhe zyrtarët në botën në zhvillim, nuk kanë shpesh qasje tek mjetet kundër korrupsionit, pavarësisht se kanë nevojën më të madhe për këtë.
Ky problem, është veçanërisht i theksuar në zonat rurale, ku korrupsioni priret të jetë më i përhapur dhe ku njerëzit mund të mos kenë njohuri dixhitale apo burimet për të përdorur shërbimet e qeverisjes elektronike ose platformat e sinjalizimit në internet.
Që mjetet dixhitale të jenë efektive në luftën ndaj korrupsionit, njerëzit në pushtet duhet të kenë aftësitë për të dalluar shkeljet e ligjit, dhe të jenë të vetëdijshëm për praktikat më të mira. Për këtë qëllim, IACA i ka fokusuar përpjekjet e saj në programet e edukimit dhe trajnimit. Etika dhe arsyetimi moral, duhet të integrohen në kurrikulat shkollore që në moshë të re.
Dhe zyrtarët publikë, drejtuesit e biznesit dhe zyrtarët e zbatimit të ligjit, duhet t’i nënshtrohen trajnimeve të rregullta mbi masat më efektive dhe efikase kundër korrupsionit. Po kështu, qeveritë duhet të mbështesin sundimin e ligjit duke zbatuar me forcë legjislacionin kundër korrupsionit dhe duke mbyllur boshllëqet ligjore.
Dënimi i të korruptuarve, kërkon hartimin dhe miratimin e ligjeve të forta, një gjyqësor të pavarur dhe agjenci të fuqizuara të zbatimit të ligjit, pa të cilat edhe teknologjia më e mirë nuk do të ketë ndonjë ndikim real. Disa vende po tregojnë se e kuptojnë këtë.
Në Malajzi, kryeministri Anwar Ibrahim po zbaton një strategji kombëtare kundër korrupsionit, cila synon të rindërtojë besimin e qytetarëve tek sektori publik, dhe për të përmirësuar renditjen e vendit në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International.
Si pjesë e kësaj përpjekjeje, qeveria ka kërkuar llogari nga ish-kryeministri Najib Razak për rolin e tij qendror në skandalin e korrupsionit prej disa miliarda dollarësh në fondin shtetëror 1MDB.
Çrrënjosja e korrupsionit, është një nga betejat përcaktuese të epokës sonë, dhe tani kemi në dispozicion një grup të ri mjetesh të fuqishme dixhitale. Por ndërsa teknologjia mund të ndihmojë në zbulimin dhe parandalimin e akteve korruptive, ligjeve kundër korrupsionit dhe autoriteteve të ngarkuara për zbatimin e tyre, duhet t’u jepet autoriteti i duhur për të përfunduar punën./ Përshtati nga “Project Syndicate”, Pamfleti
*Shënim:Azalina Othman Said, drejtuese në Departamentin e Kryeministrit të Malajzisë (për Ligjet dhe Reformat Institucionale). Ajo është drejtuese e Akademisë Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit për vitin 2024.
Lini një Përgjigje