
Një zhvillim i papritur diplomatik po merr formë në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku delegacioni zyrtar rus ka mbërritur nën drejtimin e Kirill Dmitriev, negociatori kryesor i Kremlinit dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit Vladimir Putin.
Dmitriev, i njohur si “emisar i fshehtë” në kontaktet ndërkombëtare të Rusisë, bëri të ditur pjesëmarrjen e tij nëpërmjet një postimi në platformën X (ish-Twitter), të shoqëruar me një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale, në të cilin ironizohej “rënia e globalizmit” dhe fundi i rendit të ri botëror.
“Entuziastët e globalizmit po diskutojnë tani për shembjen e tij. A është ky fundi i rendit të tyre?”, shkruante në përshkrimin e fotos, ku shfaqeshin figurat kryesore të financës botërore, përfshirë CEO-n e BlackRock, Larry Fink, nën një diell të ndritshëm mbi malet e mbuluara me borë të Davosit. Fotoja provokoi reagime të shumta ironike në rrjet.
Arrived to Davos.????️ pic.twitter.com/8pZfzriWEt
— Kirill Dmitriev (@kadmitriev) January 20, 2026
Sipas burimeve diplomatike perëndimore, Dmitriev pritet të zhvillojë takime me zyrtarë amerikanë, përfshirë ndoshta edhe një takim me presidentin Donald Trump, i cili ndodhet gjithashtu në Davos dhe ka sinjalizuar më herët hapjen ndaj një “formule të re paqeje” për çështjen ukrainase.
Takimet e fundit të Dmitriev me SHBA-në datojnë në dhjetor, kur ai pati kontakte me emisarin e posaçëm të Trumpit, Steve Witkoff, dhe me dhëndrin e presidentit amerikan, Jared Kushner – një sinjal se kanalet e komunikimit informal Rusi–SHBA janë në funksion aktiv, pavarësisht retorikës publike.
Ndërkohë, nesër më 21 janar, në Davos pritet të mbërrijë edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili do të zhvillojë takime me aleatët e tij dhe zyrtarë amerikanë, përfshirë negociata të reja për një formulë të mundshme të paqes me Rusinë.
Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, deklaroi se kontakti me SHBA-në është rikthyer në mënyrë aktive dhe pritet të intensifikohet gjatë forumit, për të diskutuar rrugët e mundshme të ndërprerjes së një lufte që po hyn në vitin e katërt dhe ka shkaktuar kriza të shumta gjeopolitike.
Pjesëmarrja e të dërguarit të Putinit dhe afërsia e tij me figurat kyçe të administratës Trump, ngre pikëpyetje të reja mbi formatin që mund të marrë diplomacia ndërkombëtare nëse Trump konfirmon dominimin e tij në skenën globale. Për shumë vëzhgues, Davosi i këtij viti mund të jetë jo vetëm forum ekonomik, por edhe preludi i një konfigurimi të ri politik botëror.
Lini një Përgjigje