
Ndërsa ish-presidenti amerikan Donald Trump, ka jo pak shanse për të hyrë sërish në Shtëpinë e Bardhë, shumë analistë janë të shqetësuar se mandati i tij i dytë mund të ndryshojë rrënjësisht marrëdhëniet civilo- ushtarake. Kushtetuta parashikon një kontroll civil mbi ushtrinë, por kjo marrëdhënie ka qenë ndonjëherë e tensionuar.
Gjatë mandatit të parë të Trump, udhëheqës të lartë ushtarakë, aktivë dhe në pension, ndikuan që presidenti të largohej nga idetë e tij më të rrezikshme. Kritikët e administratës Trump ishin mirënjohës ndaj mënyrës se si këta oficerë shërbyen si “të rriturit në dhomë”.
Por mbështetësit e Trump dhe vetë Trump, besojnë se ushtria e pengoi atë të realizonte gjithçka që donte të bënte. Trump e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë që kjo të ndodhë më. Ndaj nëse zgjidhet sërish president në nëntor, Shtetet e Bashkuara do të përballen me një sprovë serioze të sistemit të tyre të kontrollit civil mbi forcat e armatosura.
Për shembull, Trump ka thënë se do të shkarkojë “gjeneralët e majtë”, dhe se do të marrë në konsideratë përdorimin e Gardës Kombëtare dhe ushtrisë për të kryer dëbime masive të emigrantëve të paligjshëm. Ndikimi i Trump në marrëdhëniet civilo- ushtarake, ka të ngjarë të jetë shumë më i madh dhe më i dëmshëm sesa gjatë presidencës së tij të parë, pasi ai e di më mirë si ta vendosë ushtrinë në shërbim të tij, dhe ka më shumë gjasa të rrethohet nga zyrtarë tejet besnikë.
Në fakt, janë pjekur kushtet që Trump ose presidentët e ardhshëm ta prishin ekuilibrin e marrëdhënieve civilo-ushtarake. Një vendim i fundit i Gjykatës së Lartë, që u dha presidentëve një imunitet të konsiderueshëm nga ndjekja penale, mund ta inkurajojë Trumpin të veprojë në një mënyrë akoma më të pamatur.
Vetë Trump ka shprehur dëshirën për ta përdorur ushtrinë në mënyra të papërgjegjshme, duke shkelur normat që kanë orientuar prej kohësh vendosjen dhe përdorimin e ushtrisë. Amerikanët duhet të mësojnë - siç kanë bërë shumë popuj të tjerë anembanë botës - se ushtria në vetvete nuk mund ta shpëtojë demokracinë nga një president i pamatur.
Në korrik, Gjykata e Lartë mori një vendim që kërcënon marrëdhëniet midis civilëve dhe ushtrisë. Ajo vendosi se ish-presidentët janë të imunizuar nga ndjekja penale për “aktet zyrtare”. Shumë ekspertë, përfshirë gjyqtaren e Gjykatës së Lartë Sonya Sotomayor, shqetësohen se ky vendim mund t’i lejojë presidentët ta detyrojnë ushtrinë të përfshihet në veprimtari të paligjshme. Madje Sotomayor pretendon se ky vendim, e lejon një president të jetë i imunizuar nga ndjekja penale, edhe nëse urdhëron komandot e NAVY SEAL të vrasin një rival politik. Por pavarësisht se çfarë do të thotë vendimi i gjykatës mbi imunitetin presidencial, ai nuk ndryshon asgjë për ushtrinë.
Asaj i kërkohet ende të ndjekë urdhrat e ligjshëm dhe t’u rezistojë atyre të paligjshme. Për më tepër, imuniteti presidencial nuk jepet sipas zinxhirit komandues. Edhe nëse një president nuk mund të ndiqet penalisht për lëshimin e një urdhri të dyshimtë për ushtrinë, zyrtarët ushtarakë që zbatojnë një urdhër të paligjshëm mund dhe duhet të mbajnë përgjegjësi sipas Kodit Uniform të Drejtësisë Ushtarake, ligji që rregullon sjelljen e pjesëtarëve të shërbimit ushtarak.
Gjithsesi vendimi i Gjykatës së Lartë mbi imunitetin, dëmton marrëdhëniet civilo-ushtarake, sepse mund të inkurajojë presidentët të testojnë kufijtë e urdhrave të paligjshëm. Tani presidentët mund të ushtrojnë presion ndaj ushtrisë amerikane që të veprojë në mënyra që janë në kundërshtim me normat dhe traditat demokratike.
Nëse një president lëshon një urdhër të paligjshëm apo potencialisht të tillë, ushtria do të përballet me një presion të fortë nga administrata për ta zbatuar atë, përpara se opozita të bashkohet në degët legjislative ose gjyqësore. Nëse Trump zgjidhet president, ai mund të përpiqet të shtyjë kufijtë e zbatimit të ligjit, duke e përdorur ushtrinë brenda Shteteve të Bashkuara.
Sigurisht, përdorimi i saj brenda vendit për punë humanitare pas fatkeqësive natyrore, është i njohur dhe i pakontestueshëm. Por në qershor 2020, presidenti donte që t’i përdorte trupat për të shtypur protestat e lëvizjes “Black Lives Matter” në Uashington. (Sipas ish-Sekretarit të Mbrojtjes, Mike Esper, Trump i pyeti këshilltarët e tij nëse forcat e armatosura mund t’i “qëllonin protestuesit në këmbë apo diku tjetër?”).
Dhe gjatë fushatës aktuale, ai ka treguar vazhdimisht se do të përdorë jo vetëm Gardën Kombëtare por edhe trupa ushtarake për të shtypur protestat dhe kryer dëbime masive të emigrantëve pa dokumente dhe për ta luftuar krimin brenda Shteteve të Bashkuara.
Që nga viti 1878, Akti Posse Comitatus ka përcaktuar se ushtria nuk mund të përdoret për zbatimin e ligjit, përveç nëse autorizohet shprehimisht nga Kongresi ose Kushtetuta. Por në praktikë, Posse Comitatus nuk ka qenë shumë kufizues, pjesërisht sepse Kongresi ka lejuar disa boshllëqe.
Një rrugëdalje është Akti i Kryengritjes i vitit 1807, një ligj i diskutueshëm që i jep presidentit autoritet të gjerë për të përdorur forcën ushtarake brenda territorit amerikan. Shumë presidentë i kanë përdorur forcat e armatosura për misione që përfshijnë zbatimin e ligjit.
Ato akte mund të jenë të ligjshme, por e vendosin ushtrinë në një situatë për të cilën ajo nuk është e trajnuar në mënyrën e duhur. Ajo që duan Trump dhe ekipi i tij (dhe ajo që Trump donte të bënte në pranverën e vitit 2020) nuk është e pashembullt. Presidenti Warren Harding përdori ushtrinë për të shtypur grevën e minatorëve në Virxhinian Perëndimore në vitin 1921.
Ndërkohë Dwight Eisenhower dërgoi trupat e Divizioni 101 Ajror në Little Rock për të zbatuar ligjin e mos-ndarjes racore në shkolla në vitin 1957. Presidenti George HW Bush, përdori në vitin 1992 Aktin e Kryengritjes për të përdorur ushtrinë t’i jepte fund trazirave të rënda në Los Anxhelos në lidhje me rastin e afro-amerikanit Rodney King.
Gati në çdo rast, operacionet ishin delikate dhe ushtria shpresonte të mos i duhej të ndërhynte më. Në përgjithësi ushtarët nuk janë të trajnuar si duhet për të kryer punën e policisë. Një studim nga Jessica Blankshain, Lindsay Cohn dhe Danielle Lupton, tregon se amerikanët preferojnë që të jetë policia dhe jo ushtria ajo që të reagojë ndaj protestave politike.
Edhe pse ushtria është e detyruar të mos i bindet një urdhri të paligjshëm, kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Për këtë ka pak precedentë në Shtetet e Bashkuara. Nëse njëra zyrë thotë se urdhri është i ligjshëm dhe tjetra jo, zyrtarët e ushtrisë mund të zgjedhin të ndjekin këshillat ligjore që preferojnë.
Nëse kjo këshillë bie ndesh me dëshirat e presidentit, mund të kemi një krizë civilo-ushtarake.
Dhe nëse një president joparimor do ta niste mandatin e tij duke pushuar nga puna oficerët e lartë ushtarakë për arsye politike, ushtria do të humbiste besimin e qeverisë dhe do të rriteshin tensionet midis dy palëve.
Siç ka ndodhur në shumë vende anembanë botës - por ende jo në SHBA - presidenti mund të vazhdojë të pushojë nga puna cilindo që dyshohet për besnikëri të pamjaftueshme personale, dhe në fund mund të ketë më pak njerëz të gatshëm për të refuzuar një urdhër të paligjshëm.
Prandaj udhëheqësit civilë, duhet të ndërmarrin hapa që rindërtojnë besimin tek forcat e armatosura. Nga ana e tij, Kongresi duhet të kufizojë përdorimin e Aktit të Kryengritjes, dhe gjykatat duhet të veprojnë shpejt për të gjykuar çështjet e çrregullta që mund të lindin për shkak të vendimit të Gjykatës së Lartë në çështjen Trump kundër Shteteve të Bashkuara./Përshtati Pamfleti nga “Foreign Affairs”
Shënim: Peter D. Feaver, profesor i Shkencave Politike dhe Politikave Publike në Universitetin Djuk. Heidi Urben, politologe në Universitetin Xhorxhtaun.
Lini një Përgjigje