TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Shtator 2024, 11:40

A do ta frenojnë të djathtën ekstreme masat më të ashpra kundër emigrantëve?

Shkruar nga Tom Fairless & Laurence Norman

A do ta frenojnë të djathtën ekstreme masat më të

Javën e kaluar, qeveria gjermane rivendosi kontrolle të kufizuara kufitare me të gjitha vendet fqinje. Akti erdhi pas një sulmi me thikë në fund të muajit gushtit nga një azilkërkues, të cilit i ishte refuzuar aplikimi. Ai vrau 3 persona në qytetin e Solingenit gjatë festimit të 650-vjetorit të themelimit.

Qeveritë në mbarë Evropën po krijojnë pengesa të reja ndaj emigrantëve, duke synuar që të frenojnë ardhjet e tyre në nivele gati rekord nga vendet e varfra, të cilat po shkaktojnë një rritje të mbështetjes për partitë populiste nacionaliste. Situata më shqetësuese është në Gjermani, një vend që ka qenë prek kohësh përkrahës i politikave liberale ndaj refugjatëve.

Presioni është rritur shumë në vitet e fundit, teksa në vend kanë mbërritur miliona emigrantë, duke e vendosur shumë nën presion sistemin e mirëqenies sociale dhe shërbimet lokale. Migrimi ishte çështja kryesore në zgjedhjet rajonale të fundjavës së kaluar në Brandenburg, ku socialdemokratët që drejtojnë koalicionin qeverisës, mundën me një diferencë të vogël partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, AfD.

Javën e kaluar, qeveria gjermane rivendosi kontrolle të kufizuara kufitare me të gjitha vendet fqinje. Akti erdhi pas një sulmi me thikë në fund të muajit gushtit nga një azilkërkues, të cilit i ishte refuzuar aplikimi. Ai vrau 3 persona në qytetin e Solingenit gjatë festimit të 650-vjetorit të themelimit.

Autori ishte një sirian 26-vjeçar me lidhje me Shtetin Islamik (ISIS), që e kishte shmangur dëbimin prej më shumë se një viti. Disa ditë pas atij sulmi, AfD fitoi zgjedhjet e para rajonale në Turingi dhe u rendit e dyta në Saksoni. Që nga përfundimi i pandemisë së Covid-19, qeveritë evropiane e kanë pasur të vështirë të menaxhojnë rritjen e numrit të azilkërkuesve.

Prandaj ato po përpiqen të gjejnë mënyra për të frenuar fluksin e tyre, nga heqja e ndihmës financiare tek arritja e marrëveshjeve me vendet që nuk janë pjesë e BE-së, përkohësisht ose përgjithmonë, për të qenë shtëpia e refugjatëve të mundshëm.

Ndryshimi i kësaj qasjeje, vjen paralelisht me lëvizjet e fundit të administratës Biden për të frenuar më në fund një fluks rekord emigrantësh në kufirin jugor të SHBA-së, e nxitur kryesisht nga njerëzit që pretendojnë të marrin azil. Në të dyja rastet, qeveritë përballen me kritika se po reagojnë me vonesë.

Sondazhet tregojnë se emigracioni është një nga shqetësimet kryesore të votuesve përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA. Vitin që shkoi, gati 1.14 milion njerëz paraqitën kërkesa për azil në Evropë, numri më i lartë që nga kulmi i krizës së migracionit të vitit 2015 në kontinent, kur në vendet e bllokut hynë më shumë se 1 milion sirianë që kishin ikur nga lufta civile në vendin e tyre.

Kërkesat për azil pritet të arrijnë sërish 1 milion këtë vit. Sipas Agjencisë së Bashkimit Evropian për Azilin, 513.000 kërkesa janë bërë që në gjysmën e parë të 2024-ës. Këto shifra nuk përfshijnë më shumë se 4 milionë refugjatë ukrainas që kanë përfituar mbrojtje të përkohshme në BE që nga fillimi i luftës.

Kontrollet kufitare nga vende si Gjermania - që u japin zyrtarëve autoritetin për të kryer kontrolle të rastësishme në automjete, trena ose autobusë - ngrenë pikëpyetje mbi të ardhmen e një prej karakteristikave më unike të BE-së që nga vitet 1980: lirinë për të udhëtuar lirisht në të gjithë zonën Shengen pa pasaporta.

Partitë kundër migracionit qeverisin tashmë në Itali dhe Hungari, mbështesin qeverinë në Suedi dhe janë pjesë e koalicioneve qeverisëse në Holandë dhe Finlandë. Disa sondazhe tregojnë se Partia e Lirisë në Austri, mund të dalë e para në zgjedhjet e kësaj të diele. Ndërkohë javën e kaluar, qeveria holandeze e krahut të djathtë i kërkoi zyrtarisht Brukselit një përjashtim nga rregullat e bllokut për azilin.

Pesëmbëdhjetë qeveri evropiane nënshkruan një letër në fillim të këtij viti drejtuar organit qeverisës të BE-së, duke kërkuar që të vendosë kushte më të rrepta për migracionin dhe të “mendojë jashtë skemave të zakonshme” lidhur me këtë çështje.

Në Suedi, qeveria është zotuar t’i japë dhjetëra mijëra dollarë azilkërkuesve që kthehen vullnetarisht në shtëpi. Njëherazi, ajo ka ashpërsuar rregullat e saj të migracionit dhe ndihmën sociale ndaj tyre. Gjatë muajve të parë të 2024-ës, kërkesat për azil në Suedi ishin në nivelin më të ulët të 27 viteve të fundit.

Udhëheqësi i ri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, vizitoi Italinë javën e kaluar për të diskutuar mbi migrimin me kryeministren italiane të krahut të djathtë, Giorgia Meloni. Ajo erdhi në pushtet me premtimin se do të frenonte migracionin, por e ka pasur të vështirë të ndalë ardhjet e reja.

Qeveria e Melonit miratoi një ligj vitin e kaluar, që i lejon autoritetet të burgosin emigrantët deri në 18 muaj, dhe po ndërton kampe në Shqipëri për të strehuar mijëra emigrantë të kapur në det.

Në Belgjikë, qeveria e ka shkurtuar ndihmën për azilkërkuesit beqarë meshkuj. Danimarka po mendon një skemë të saj të ngjashme si ajo e Britanisë me Ruandën.

Fluksi i të ardhurve të rinj në rajon, i shton shqetësimet mbi sigurinë në Evropë, për shkak të rritjes së dobët ekonomike, mungesës kronike të banesave dhe luftës së Rusisë në Ukrainë, thotë Bernd Parusel, studiues në Institutin Suedez për Studimet e Politikave Evropiane me qendër në Stokholm.

“Shumë njerëz kanë frikë nga ajo që mund të sjellë e ardhmja. Kur ndodhin sulme terroriste apo  akte dhune, ato përbëjnë një arsye shtesë për të pasur frikë nga ndryshimet shoqërore”- shton ai. Qeveria gjermane pretendon se disa kontrolle kufitare të zbatuara vitin e kaluar, kanë ndihmuar në uljen me 20 për qind të kërkesave për azil këtë vit.

Megjithatë, ato kanë dështuar vazhdimisht të kenë një ndikim të qëndrueshëm në vendet e tjera të BE-së, mendon Gerald Knaus, kryetar i Nismës Evropiane të Stabilitetit, e fokusuar tek politikat mbi azilin. Po ashtu, politikanët evropianë po përpiqen që të gjejnë një balancë midis kërkesën për punëtorë më të rinj në një kontinent të plakur, dhe shqetësimeve se disa azilkërkues e kanë të vështirë të integrohen në tregun e punës shumë të kualifikuar të Evropës, duke u bërë shpesh një barrë për sistemet e mirëqenies sociale.

Ndërsa po shtohet numri i të ardhurve, po thellohet edhe debati mbi ndikimin ekonomik të migracionit. Ekonomistët thonë se emigrantët mund të mbushin boshllëqet në tregun e punës dhe të nxisin rritjen ekonomike. Për shembull, Italia planifikon të pranojë rreth 450.000 punëtorë emigrantë gjatë 3 viteve të ardhshme, edhe pse ajo po bën të gjitha përpjekjet për të ngadalësuar mbërritjen e refugjatëve përmes Detit Mesdhe.

“Evropa rrezikohet nga kriza demografike, ndaj migrimi mund ta ndihmojë”- thotë Gita Gopinath, zëvendësdrejtoreshë e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Sipas saj rritja e nxitur nga migracioni në fuqinë punëtore të eurozonës midis viteve 2020-2023, mund ta rrisë PBB-në e bllokut me 0.5 për qind deri në 2030-ën.

Megjithatë, disa kërkime të fundit i kanë përforcuar shqetësimet në lidhje me kostot e emigrantëve me kualifikim më të ulët, duke thënë se ata priren të rëndojnë mbi sistemet e ndihmës sociale, dhe mund të dëmtojnë rritjen e produktivitetit duke ngadalësuar përdorimin e makinerive dhe robotëve.

Azilkërkuesit priren të jenë më pak të arsimuar dhe më pak të aftë se grupet e tjera të emigrantëve, thotë Jan Van De Beek, studiues i pavarur holandez. 50-66 për qind e të gjithë azilkërkuesve që kanë mbërritur në Holandë që nga viti 1999 dhe e kanë braktisur shkollën, janë të papunë dhe me ndihmë sociale, edhe pse vendi vuan nga një mungesë e madhe të fuqisë punëtore, thekson ai.

Ndërkohë midis partive të establishmentit ka një ndarje, veçanërisht në qendrën e djathtë, mbi mënyrën se si duhet reaguar ndaj shqetësimeve të migracionit. Ruud Koopmans, profesor i sociologjisë dhe kërkimit mbi migracionin në Universitetin Humboldt të Berlinit, tha se këto parti rrezikojnë të bëjnë më të keqen:të forcojnë retorikën mbi migracionin, por pa e zgjidhur këtë çështje. “Dhe kjo sigurisht që ndihmon vetëm të djathtën ekstreme”- nënvizon ai./Përshtati "Pamfleti", nga “Wall Street Journal”

Lini një Përgjigje