Zgjedhjet që vlerësohen të kenë ndikimin më të madh në mbarë botën janë zgjedhjet presidenciale në SHBA nëntorin e ardhshëm, të cilat do të vendosin nëse Donald Trump do të kthehet apo jo në detyrë....
Rreth dy miliardë njerëz në të paktën 50 vende do të votojnë në vitin 2024. Fuqitë botërore si India, Rusia, Britania, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të shkojnë në zgjedhje në muajt e ardhshëm.
Disa nga garat zgjedhore të këtij viti pritet të jenë më të paparashikueshme se të tjerat. Për shembull, pak presin që Vladimir Putin të humbasë zgjedhjet presidenciale ruse të planifikuara për në mars.
Fati i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu besohet të jetë i lidhur me luftën në Gaza. Shumë presin që ai të largohet nga pushteti sapo të përfundojë konflikti.
Në vend të kësaj, mbetet e paqartë nëse Ukraina do të vazhdojë me zgjedhjet presidenciale në mars.
Megjithatë, zgjedhjet që vlerësohen të kenë ndikimin më të madh në mbarë botën janë zgjedhjet presidenciale në SHBA nëntorin e ardhshëm, të cilat do të vendosin nëse Donald Trump do të kthehet apo jo në detyrë.
SHBA është e ndarë
Është e vështirë të parashikosh fituesin veçanërisht në një kohë kur konfliktet po vazhdojnë në rajone të ndryshme anembanë botës.
Të gjitha palët po kërkojnë të përgatiten sa më mirë që të jetë e mundur përballë ndryshimeve të mundshme në politikën e jashtme të SHBA-së, e cila po fiton kundërshtarë gjithnjë e më të fuqishëm. Megjithatë, ata janë ende të fortë, edhe pse ndarja politike brenda tyre është zgjeruar aq shumë sa që tani duket e pakalueshme.
Pushtimi rus i Ukrainës, qëndrimi i Kinës ndaj Tajvanit të vetëqeverisur dhe presioni ushtarak kundër Filipineve nxjerrin në pah gatishmërinë e Moskës dhe Pekinit për të zhvilluar praktika kundër aleatëve të Uashingtonit që deri vonë konsideroheshin pothuajse të paimagjinueshme.
Rruga e vështirë
Administrata Biden interpreton praktika të tilla si teste të qëllimshme të fuqisë së SHBA-së, duke argumentuar se Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin aleatët e saj duke shmangur përshkallëzimin e panevojshëm.
Kjo tashmë po rezulton të jetë një rrugë e vështirë. Lufta e Izraelit në Gaza ka treguar se ndikimi i SHBA-së mund të jetë i kufizuar.
Qeveria Netanyahu mendon se mund të vazhdojë operacionin në Gaza, duke injoruar thirrjet publike amerikane për moderim pa humbur mbështetjen e gjerë të SHBA-së.
Përshkallëzimi i luftës
Për Uashingtonin, sulmet në rritje ndaj anijeve të Detit të Kuq janë një shenjë e përshkallëzimit rajonal të kësaj lufte.
Shtetet e Bashkuara sulmuan këtë javë militantët e mbështetur nga Irani në Irak, pas më shumë se 100 sulmeve që zyrtarët amerikanë thonë se janë kryer kundër forcave amerikane atje dhe në Siri që nga mesi i tetorit.
Ndërkohë, shumë paralajmërojnë se konfliktet e vazhdueshme civile në Sudan dhe Mianmar mund të përshkallëzohen gjithashtu në vitin 2024, me Kremlinin dhe Pekinin që mbështesin forcat qeveritare që përpiqen të qëndrojnë në pushtet, ndërsa miliona njerëz po përballen me urinë dhe migrimin.
Lindja e Mesme dhe Ukraina
Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme tregojnë se përshkallëzimi i mëtejshëm mund të ndodhë në muajt e parë të vitit 2024. Gjë që mund të rrisë tensionin në SHBA përpara një gare potencialisht kaotike presidenciale që shkon në zgjedhjet e nëntorit.
Në rastin më të keq, krizat e shumta mund të ushqehen me njëra-tjetrën, ashtu si konflikti në Ukrainë ka rritur çmimet globale të ushqimeve dhe ka thelluar krizën humanitare në vendet më të varfra anembanë botës.
Ndërsa në Ukrainë vazhdojnë të rriten ankesat ndaj liderëve botërore, me Kievin që vlerëson se Shtetet e Bashkuara dhe evropianët mund të kishin bërë më shumë për të forcuar qeverinë ukrainase në vitin 2023 dhe se tani mund të jetë tepër vonë për ofensivë në 2024.
Ankesat priten të rriten duke pasur parasysh kundërshtimin republikan në Kongres për mbështetjen e mëtejshme të SHBA-së dhe perspektivën që Ukraina të izolohet, sipas administratës së Trump. Kjo do ta detyronte Kievin të pranonte një propozim paqeje sipas kushteve të Moskës.
Putin, nga ana e tij, pas një fitoreje të mundshme të Trump, mund të shtyjë për një sulm edhe më të pamëshirshëm ndaj Ukrainës, paralajmërojnë disa analistë.
Kinë
Qëndrimi i Trump për çështje të tjera konsiderohet më i paparashikueshëm. Në mandatin e tij të parë, ai kritikoi hapur Kinë , duke flirtuar me idenë e mbështetjes më të hapur për Tajvanin. Kjo është një taktikë e vazhduar, pjesërisht, nga administrata Biden.
Megjithatë, favoriti republikan është mjaft i paparashikueshëm, ashtu siç konsiderohet e paparashikueshme zgjedhja e zyrtarëve të lartë që do ta rrethonin në rast rizgjedhjeje.
Është e pamundur të parashikohet me siguri se çfarë drejtimi do të merrnin marrëdhëniet me Pekinin dhe sa agresive mund të rezultojë një administratë amerikane nën Trump.
Ndërkohë, kush do të qeverisë Tajvanin, të cilin Pekini e pretendon si të tijin, do të vendoset në zgjedhjet presidenciale të 13 janarit.
Kandidati në pushtet i Partisë Demokratike Progresive (DPP) Lai Ching Te shihet se ka gjasa të mbizotërojë mbi opozitën Kuomintang, e cila mban marrëdhënie shumë më miqësore me Pekinin.
Një fitore e DPP-së do të përputhej me presionin e vazhdueshëm kinez ndaj Filipineve për praninë e saj ushtarake në ishujt e diskutueshëm në Detin e Kinës Jugore.
Një problematikë tjetër për SHBA-në janë sulmet e Huthit të mbështetura nga Irani në Detin e Kuq, kjo po sjell përçarje për ambasadën e Biden, si dhe përshkallëzim përpara zgjedhjeve.
Ngritja e ekstremit të djathtë
Zgjedhjet evropiane në qershor janë me interes të veçantë, mes indikacioneve për një rritje të mëtejshme të mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë. Një shembull tipik janë zgjedhjet e nëntorit të kaluar në Holandë, ku kryeministri i vjetër Mark Rutte humbi shumicën.
Disa presin që Rutte të largohet nga politika holandeze në muajt e ardhshëm, ndoshta për të pasuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në një samit që është planifikuar të mbahet në Uashington në korrik.
Fitoret e reja të ekstremit të djathtë mund të vlerësohen si “pozitive” për Putinin. Sllovakia hoqi dorë nga mbështetja për Ukrainën pasi nacionalisti dhe populisti Robert Fico fitoi zgjedhjet shtatorin e kaluar.
Në të kundërt, në Britani, ku lideri laburist Keir Starmer është favorit për të fituar zgjedhjet e vitit të ardhshëm, një qeveri e re mund të ndjekë shembullin e Kanadasë dhe Gjermanisë duke angazhuar më shumë forca në Evropën Lindore.
Në përgjithësi, megjithatë, shqetësimet për një largim të mundshëm të mbështetjes së SHBA-së ka të ngjarë të nënvizojnë rëndësinë strategjike të riarmatimit të vendeve të mëdha evropiane si Gjermania.
Tendenca drejt autoritarizmit
Në Azi, kryeministri indian Narendra Modi pritet të fitojë zgjedhjet e planifikuara për prill-maj.
Pas sulmit me raketa Houthi në një cisternë indiane, Nju Delhi vendosi të dërgojë anije luftarake në Detin e Kuq.
Në përgjithësi, garat elektorale në Pakistan, Bangladesh dhe Indonezi vlerësohet të konfirmojnë një prirje në rritje drejt autoritarizmit.
Deri më tani, çdo vit i dekadës së dytë ka sjellë edhe një tronditje të madhe politike. Mbetet për t'u parë nëse ky trend do të vazhdojë edhe në vitin 2024. /Përshtati “Pamfleti” nga “Reuters”
Lini një Përgjigje