Një bateri e vetme THAAD ka një kosto rreth 1 miliard dollarë dhe kërkon rreth 100 ushtarakë për operim. Aktualisht, SHBA disponon vetëm tetë sisteme të tilla në nivel global.
Shtetet e Bashkuara kanë nisur zhvendosjen e disa komponentëve të sistemit të mbrojtjes nga raketat THAAD nga Koreja e Jugut drejt Lindjes së Mesme, në një moment kur tensionet mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit janë rritur ndjeshëm.
Disa pjesë të këtij sistemi po transferohen për të rritur mbrojtjen e bazave amerikane dhe të aleatëve në rajon, ndërsa Irani vazhdon të përdorë dronë dhe raketa balistike në konfliktin në zhvillim.
Lëvizja vjen rreth dy javë pas nisjes së përballjes ushtarake mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit.
Sipas një vlerësimi të The New York Times, Irani ka lëshuar deri tani më shumë se 500 raketa balistike, shumica e të cilave janë neutralizuar nga sistemet mbrojtëse.
THAAD konsiderohet një nga sistemet më të avancuara amerikane për mbrojtjen nga raketat balistike. Ai synon të shkatërrojë objektivat në lartësi të madhe, edhe jashtë atmosferës së Tokës, duke përdorur teknologjinë “hit-to-kill”, ku objektivi goditet dhe shkatërrohet përmes energjisë kinetike.
Sistemi prodhohet nga kompania Lockheed Martin dhe përbëhet nga disa elemente kryesore: gjashtë lëshues raketash, tetë interceptorë për secilin lëshues dhe një radar me rreze të gjatë për zbulimin e objektivave.
Një bateri e vetme THAAD ka një kosto rreth 1 miliard dollarë dhe kërkon rreth 100 ushtarakë për operim. Aktualisht, SHBA disponon vetëm tetë sisteme të tilla në nivel global.
Shtetet e Bashkuara e vendosën për herë të parë këtë sistem në Kore të Jugut në vitin 2017, me qëllim mbrojtjen nga kërcënimet raketore dhe bërthamore të Koresë së Veriut.
Raportimet se disa lëshues po zhvendosen nga baza ajrore në Seongju kanë shkaktuar reagime në Seul. Presidenti i Koreës së Jugut, Lee Jae-myung, tha se qeveria e tij kishte kundërshtuar këtë vendim.
“Ndërsa kemi shprehur kundërshtim, realiteti është se nuk mund ta imponojmë plotësisht qëndrimin tonë”, deklaroi ai, duke shtuar se zhvendosja nuk do të dëmtojë strategjinë mbrojtëse të vendit.
Vendosja e THAAD në territorin koreano-jugor në vitin 2017 kishte nxitur reagim të fortë nga Kina. Pekini argumentoi se radari i sistemit mund të monitorojë thellë territorin e saj dhe të zbulojë lëshimet e raketave kineze.
Në atë kohë, Kina ndërmori masa ekonomike jozyrtare ndaj Seulit, duke vendosur kufizime për turizmin dhe për disa produkte koreano-jugore.
Analistët vlerësojnë se zhvendosja e përkohshme e sistemit mund të interpretohet nga Kina si një zhvillim pozitiv, por jo si një fitore strategjike nëse nuk shoqërohet me tërheqje të përhershme.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se një konflikt i zgjatur me Iranin mund të ushtrojë presion mbi kapacitetet amerikane të mbrojtjes nga raketat. Nëse tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë, SHBA mund të detyrohet të zhvendosë sisteme të tjera mbrojtëse nga rajone të ndryshme, çka mund të ndikojë në balancën e gatishmërisë ushtarake edhe në zona si Indo-Paqësori.
Paskan ngel koreanet pa breke! Tani do i haj te gjalle Kim Jong Uni! :D