Tubime të organizuara nga shteti, trajnime publike me armë dhe retorikë gjithnjë më e ashpër po rrisin tensionet në Iran, ndërsa shumë qytetarë shprehin frikën për rikthimin e konfliktit.
Me rënien e natës mbi Teheranin dhe malet Alborz që zhduken në errësirë, mijëra iranianë dalin çdo mbrëmje në rrugë në tubime të mbështetura nga shteti kundër Shteteve të Bashkuara. Pranë sheshit Tajrish, në një zonë të pasur të kryeqytetit iranian, dëgjohen vazhdimisht thirrjet “Vdekje Amerikës”, ndërsa turma valëvit flamuj iranianë dhe shitës ambulantë ofrojnë çaj, kapele patriotike dhe simbole kombëtare.
“Jam gati të sakrifikoj jetën time për vendin dhe popullin tim”, tha një e re me emrin Tiana, e veshur me ngjyrat e flamurit iranian. “Ata që drejtojnë ushtrinë dhe komandantët janë gjithashtu gati të sakrifikojnë jetën dhe të luftojnë me gjithë zemër,” shtoi ajo, duke minimizuar kërcënimet e fundit të presidentit amerikan Donald Trump për rifillim të veprimeve ushtarake.
Trump deklaroi në platformën Truth Social se “ora po ecën për Iranin” dhe paralajmëroi se vendi duhet të veprojë shpejt, “përndryshe nuk do të mbetet asgjë prej tij”, duke shtuar tensionet në një moment kur negociatat për paqe kanë ngecur.
Një burrë i moshuar, që mbante një pankartë të shkruar me dorë në persisht, tha se “teknologjia bërthamore dhe raketore është po aq e rëndësishme sa kufijtë tanë dhe ne do ta mbrojmë atë”.
“Ne kemi nevojë për energji bërthamore të pastër, jo për bombë,” tha ai, duke iu referuar refuzimit të Iranit për të ndalur programin e tij bërthamor, të cilin Trump e ka vendosur si kusht për përfundimin e luftës.
Ndërkohë, frika për sulme të reja amerikano-izraelite po shtohet dhe shumë iranianë besojnë se përplasja nuk ka përfunduar.

“E dimë që kjo luftë nuk ka mbaruar. Trump nuk po negocion realisht,” tha Fatima, e cila tregoi se është rritur në Londër dhe Dubai.
“Sipas tij, ose bëni siç them unë ose do t’ju sulmoj. Dhe mendoj se do të na sulmojë edhe nëse bindemi,” shtoi ajo.
Tubimet e natës organizohen prej afro tre muajsh në qytete të ndryshme të Iranit. Ditët e fundit, autoritetet kanë vendosur edhe pika publike ku civilëve u ofrohen mësime bazë për përdorimin e armëve.

Në sheshin Vanak të Teheranit, një grua me çador të zi mësonte përdorimin e një pushke automatike AK-47 nën udhëzimet e një burri të maskuar me uniformë ushtarake.
Pak metra më tej, një vajzë e vogël luante me një kallashnikov të çaktivizuar, duke e drejtuar armën lart përpara se t’ia kthente instruktorit të saj.
Mesazhi për mobilizim po përsëritet edhe në televizionin shtetëror iranian. Disa prezantues janë shfaqur në ekran duke mbajtur armë automatike.
Moderatori Hossein Hosseini, në kanalin shtetëror Ofogh, qëlloi me armë drejt tavanit të studios gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë, pasi mori udhëzime nga një anëtar i maskuar i Gardës Revolucionare Islamike.

Në një tjetër kanal shtetëror, prezantuesja Mobina Nasiri u shfaq duke mbajtur një pushkë automatike dhe u tha shikuesve se kishte marrë armën nga sheshi Vanak “për të mësuar si ta përdorë, njësoj si gjithë qytetarët”.
Megjithatë, jo të gjithë iranianët mbështesin retorikën e luftës.
Pak larg tubimit në sheshin Tajrish, në një park pranë Muzeut të Kinemasë së Iranit, qytetarë të ndryshëm shëtisnin qetësisht, lexonin libra dhe pinin çaj.
“Jo luftës,” tha një i ri duke kaluar pranë reporterëve.

Një profesore universiteti, që kërkoi të mbetet anonime, tha se ajo dhe bashkëshorti i saj duan një Iran ndryshe.
“Ne duam vetëm të jetojmë në një vend normal, ku fëmijët tanë të kenë të ardhme,” tha ajo në anglisht.
“Ne duam paqe,” deklaroi një tjetër e re, duke treguar se në Iran ekzistojnë qëndrime të ndryshme përballë krizës.

Megjithatë, ndërsa tensionet në Republikën Islamike vazhdojnë të rriten dhe frika për rifillimin e luftës mbetet e lartë, zërat më të moderuar duket se po humbasin mes mesazheve të ashpra zyrtare.
Lini një Përgjigje