
Prandaj policia e anti-krimi ekonomik, nuk ka adresuar në prokurori, procedim për të hetuar burimet financiare të pasurive të shumta të vëllezërve Kalemi e kushëririt të tyre Aleksandër Sadikaj; megjithëse e di që janë me të ardhura nga trafiqet, për të cilat ka lindur dhe vazhdon zinxhiri i atentateve...
Në dosjen e Zamir Kalemit, të cilit iu bë atentat më 12 janar 2024, Policia dhe Prokuroria e Tiranës, gjetën një informacion të SHISH të muajit shkurt 2020, ku thuhet se bashkë më vëllain e tij, Andrea Kalemi, është i përfshirë në aktivitete kriminale, trafiqe e biznese në Sarandë, Vlorë, Berat, Tepelenë dhe te zona Kodra e Diellit në Tiranë, më të ardhura të siguruar nga trafiqet.
Në specifikimet për të, policisë i ishte rekomanduar, që kontigjenti Zamir Kalemi dhe familjarët e tij me precedentë penalë, të mbahen në mbikëqyrje, për shkak të informacionit, se mund të shkaktojnë vrasje, ose të jenë objekt sulmesh nga grupet më të cilët janë në konflikt.
Kjo u vërtetua më 12 janar 2014, kur Zamir Kalemit iu bë atentat me armë zjarri te zona e Selitës në Tiranë; vetëm 1 muaj pasi vëllai i tij Andrea Kalemi, u plagos me thikë në burgun “Koridhalos” në Athinë, gjatë një sulmi të paguar për ta vrarë.
U vërtetua më 11 qershor 2022, kur në zonën e TEG, u vra në atentat, djali i hallës së tij, Aleksandër Sadikaj, si dhe më 16 dhjetor 2022, kur grupi “Sadikaj- Kalemaj”, vranë në Tiranë, biznesmenin Edmond Papa nga Saranda, si hakmarrje për vrasjen e Sadikajt.

Por edhe më 10 Gusht 2023, kur Andrea Kalemit iu bë atentat në Greqi; i cili pas plagosjes u arrestua, mbasi ishte person në kërkim, ndërsa në Shqipëri lëvizte lirshëm e bënte biznes, ngaqë policia shqiptare nuk e arrestonte megjithëse kishte letër-porosi nga “Interpol Greqia”.
Po pse nuk e arrestonte policia shqiptare?
Më 10 gusht 2023, “Pamfleti” publikoi fotografi që provonin se gjatë fushatës për zgjedhjet prillit 2021, Mirela Kumbaro e Bledar Çuçi, si bazë votash për zonën Memaliaj, kishin fermën “Vjosa” të Andrea e Zamir Kalemit, por dhe në zgjedhjet e 14 majit, ku shkoi Babloku.
Po kështu, Çuçi e Kumbaro, dy deputetët e Qarkut-Gjirokastër, njëri Ministër i Brendshëm e tjetra Ministre-Turizëm-Mjedisi, si bazë tjetër elektorale e votash, kishin dhe fermën “Sancho Memaliaj”, biznes i Aleksandër Sadikajt, vrarë më 11 qershor 2022.
Meqë ishin baza grumbullimi votash për Bledar Çuçin e Mirela Kumbaron, policia nuk ushtroi asnjëherë kontroll për armë, drogë apo fshehje kriminelësh te dy fermat “Vjosa” e “Sanço” në Memaliaj, madje i lejonin aktivitet pa licencë dhe i kanë financuar me grande qeverie.


Por përveç fermave, dy vëllezërit Zamir e Andrea Kalemi, kanë dhe kompaninë “SH.Z.A Sh.p.k”, me objekt ndërtimi, nxjerrje inerte lumore e lëndë druri, import-eksport mallrash e produktesh ushqimore dhe pastrim, grumbullim e përpunim mbetjesh urbane.
Madje prej 10 vitesh kanë marrë monopolin e pastrimit të mbetjeve dhe gjelbërimin në territorin e Bashkisë-Memaliaj, por kanë dhe disa Bar-Kafe, restorante, dy hotele në Sarandë dhe vila e apartamente me qira në zonën e ish-stadiumit “Dinamo”, te Kodra e Diellit e në Farkë.
Policia e anti- krimi ekonomik, nuk ka adresuar në prokurori, procedim për të hetuar burimet financiare të këtyre pasurive të vëllezërve Kalemi e kushëririt të tyre Aleksandër Sadikaj; megjithëse e di që janë me të ardhura nga trafiqet, për të cilat ka lindur dhe vazhdojnë atentatet.
Nuk janë hetuar, sepse kanë qenë e janë grumbullues votash të pushtetit; konkretisht të Mirela Kumbaros e ish-ministrit të policisë, Bledar Çuçi, tashmë Kryetar i Grupit të PS./Pamfleti
Lini një Përgjigje