TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia16 Shkurt 2024, 11:45

Tenderat e oksigjenit/ SPAK dhe BKH godasin grupin e Manastirliut, 60 milionë euro për Nikun e Ndragheta-s dhe Boden e korrupsionit

Shkruar nga Pamfleti

Tenderat e oksigjenit/ SPAK dhe BKH godasin grupin e Manastirliut, 60

Një ditë para vizitës së Blinken, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë finalizuar goditjen e parë ndaj një grupi grabitqar të parave publike në Ministrinë e Shëndetësisë, me në krye ‘klloçkën e aferave’ Ogerta Manastirliu, e cila ka arritur t’i mbyllë gojën edhe Sali Berishës, duke kanalizuar qindra mijëra euro në xhepat e të birit.

Një skuadër e SPAK dhe BKH kanë zbarkuar të mërkurën në Ministrinë e Shëndetësisë, ku janë bastisur zyra, sekuestruar dokumente dhe marrë të pandehur 7 zyrtarë, të cilët janë përdorur për të kopsitur letrat e tenderave të dyshuar si korruptivë për klientët e ish ministres Ogerta Manastirliut dhe të tre ish sekretarëve të përgjithshëm, Arjan Kraja, Gelardina Prodani dhe Joana Duro, sot në burg për korrupsion.

Bëhet fjalë për dosjen e tenderave të oksigjenit, një monopol i mafies italiane dhe qarqeve serbe.

Nën akuzë janë vendosur deri më tani anëtarët e komisioneve të vlerësimit të ofertave dhe përflitet edhe një nga ish sekretarët e Përgjithshëm, Arjan Kraja, dora e zezë e Anila Denajt, sekser dhe ortak i Tan Dulakut, i konsideruar si hinka e pastrimit të parave në Shqipëri.

(Dulaku i ka kaluar qindra mijëra euro Arjan Krajës, të cilin dyshohet se e ka përdorur për të kopsitur letrat për grabitjen e bazës së Sarandës, kur Kraja ishte sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Financave. Baza është sekuestruar nga SPAK, ndërsa Olta Xhaçka pritet të provojë e para qelinë për Tan Dulakun).

Ogerta Manastirliu, në bashkëpunim me ish sekretarët e përgjithshëm ka diktuar 300 tendera për oksigjen me vlerë rreth 60 milionë euro për dy kompani, GTS-Gazra, me përfaqësues Besnik Halili, sekser i Ndragheta-s në Shqipëri për të korruptuar pushtetarët shqiptarë, si  dhe kompania Messer Albagaz, me seli ne Banjeki 62, Beograd, Serbi, përfaqësuar nga gjermani Ernst Uwe Willhelm Bode, por me administrator Vladimir Vladimirov, i përfshirë në veprimtari kriminale në Ballkan.

Besnik Halili është njëherazi edhe bashkëshort i Luneda Sufalit, ish-drejtoreshës së Lojërave të Fatit, e cila nervozoi Fatmif Xhafajn në Komisionin e Ligjeve në nëntor 2015, për kartelin e bixhozit.

Sufali është lidhja mes burrit të saj Nikut të mafies italiane dhe Manastirliut. Madje kjo e fundit e emëroi shoqen e saj, Luneda Sufalin drejtoreshë të Shërbimit Social Shëndetësor.

Korrupsioni është kaq flagrant saqë në disa raste, dy kompanitë vendosnin depozitat e oksigjenit në spitale para se të shpalleshin fituese të tenderit, pasi gjithçka ishte përcaktuar dhe paratë ndaheshin sipas roleve.

Për shembull, në 29 janar 2021 kompania Messer Albagaz është shpallur fituese e një tenderi 1 milionë euro nga Spitali Rajonal i Korçës, për furnizim me oksigjen. Messer Albagaz e kishte çuar oksigjenin që në dhjetor 2020. Nuk kuptohet se çfarë duhet të hetohet në këtë rast, kur afera është e faktuar.

Ndërkaq, Ogerta Manastirliu, në bashkëpunim me Gelardina Prodanin dhe ish drejtorin e QSUT, Enkelejd Joti, dyshohet se kanë vonuar tenderat e mëdhenj, me qëllim për të dhënë tendera të vegjël në kushte emergjente, pa garë, duke diktuar si fitues dy kompanitë Messer Albagaz dhe GTS-Gazra.

Skema është shumë e thjeshtë, kjo e bazuar në dokumentet e vetë ministrisë apo të spitaleve; vonohen në maksimum procedurat e tenderit kryesor dhe bëhen disa tendera emergjence. Dhe, për “koecidencë?!”, ai që fiton tenderat emergjentë fiton edhe tenderin kryesor. Skemë e mirëfilltë që do e kishin zili edhe grupet apo familjet mafioze italiane, influenca apo njerëzit e së cilave kanë hedhur rrënjë prej kohësh në Shqipëri. Madje, në nivelet më të larta të vendimmarrjes së pushtetit qendror dhe lokal.

Mësohet se SPAK dhe BKH kanë faktuar disa episode korrupsioni. Nuk është konfirmuar ende nëse është marrë e pandehur Gelardina Prodani, sekretarja e përgjithshme me jetëgjatë, nyja e aferave në tre ministri, Financa, Shëndetësi dhe aktualisht në Ministrinë e Mbrojtjes.

Gela dhe Manastirliu fundosën shumë shpejt Joana Duron, e cila zëvendësoi Gelën duke prishur një nga skemat më të frikshme të korrupsionit në Shëndetësi. E pastërvitur dhe e etur për të vjedhur, Duro u arrestua nga SPAK pasi mori 3.3 milionë lekë për një tender me vlerë 8 milionë lekë. 3.3 milionë lekë kushtojnë sa dy shezlone të Gelës në Palasë.

Çuditërisht Orgeta Manastirliu vijon t’u shpëtojë hetimeve ndonëse gjurmët e gishtave të saj ndodhen në koncensionin korruptiv sipas KLSH-së për laboratorët me vlerë 130 milionë euro, për zbatimin e koncensionit të sterilizimit dhe rritjen e kostos, për zbatimin e koncensioneve të tjera që po hetohen nga SPAK, për tenderat sekretë dhe të panevojshëm, për qindra milionë euro tendera të dyshimtë, mashtrim me shumë kontrata gjatë pandemisë, për mafien e mbetjeve spitalore etj.

Arian Kraja

Arian Kraja ka qenë sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, pranë Mimi Kodhelit 2013-2014.

Një burim serioz pranë kësaj ministrie, tha se Kraja gjatë kësaj kohe piketoi të gjitha pronat e ushtrisë në Tiranë dhe bregdet, për t’i kaluar në emër të disa biznesmenëve, me të cilët kishte lidhje.

Rezulton se Arian Kraja administronte kompaninë ‘Tring’ të Artan Dulakut, i cili ka përfituar prona të ushtrisë, sot të sekuestruara nga SPAK, konkretisht disa baza në Sarandë.

Kraja ishte drejtor dhe aksioner me Dulakun tek ‘Tring’. Madje, para se të bëhej sekretar i Përgjithshëm tek Ministria e Mbrojtjes, Kraja ka marrë 300 milionë lekë nga ‘Tring’.

SPAK duhet të verifikojë këtë lidhje korruptive, pasi Kraja, si zyrtar i lartë publik, ka piketuar prona shtetërore, duke i kaluar tek ortaku i tij, Artan Dulaku.

Me ardhjen e Olta Xhaçkës si ministre, Arian Kraja u largua, duke kaluar tek Ministria e Shëndetësisë. Shumë shpejt u emërua Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Financave. Ai u shkëmbye me Geraldina Prodanin, e cila kaloi sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë.

Dy ministritë ishin bashkuar për ta bërë më të lehtë kopsitjen e dosjeve të grabitjes së pasurive publike.

Një burim pranë kësaj ministrie, tha se Kraja është shkarkuar me urgjencë nga lart për një aferë të madhe.

Anila Denaj nisi të finalizonte grabitjen e pronave që kishin përgatitur Mimi Kodheli, Olta Xhaçka dhe Arben Ahmetaj.

Aferat e Geraldina Prodanit

-Babai i Gelardina Prodanit i futet biznesit 78 vjeç. Si po i pastron paratë e aferave sekretarja e 3 ministrive me pasuri nga ish Blloku në Palasë. Në skenë burri muzikant. ‘Jam me pushime, nuk vij’. Si u nis Gela me urgjencë nga plazhi për në SPAK pas paralajmërimit të Altin Dumanit

-Mobilie artizanale 300 mijë euro, si e ka fshehur pasurinë Gelardina Prodani, sekretrja e 3 ministrive ishte pjesë 20 bordeve e këshillave./ Prapaskena

Lini një Përgjigje