Deklarata e Manastirliut për aferën e sterilizimit, është një goditje e fortë ndaj Ilir Beqajt, duke i dhënë prova më konkrete SPAK-ut, për të kërkuar arrestimin e tij, si “koka” e këtij koncesioni me vlerë 140 milionë Euro, 80 milionë nga të cilat janë vjedhje...
Për t’i shpëtuar drejtësisë, Ilir Beqja tentoi t’ia ngecte Ogerta Manastirliut, përgjegjësinë e aferës e pajisjeve kirurgjikale, duke kërkuar hetimin e saj si autore e bllokimit të Qendrës së Sterilizimit kur ishte drejtore e QSUT, që sipas tij ishte shkaku që e detyroi për ta dhënë me koncesion.
Pas kërkesë-akuzës së Ilir Beqjes, prokurorët e SPAK thirrën për sqarime ish-Drejtoreshën e QSUT, Ogerta Manastirliu; e cila u pyet nga hetuesit e BKH, lidhur me arsyet e mos vënies në punë të qendrës së sterilizimit dhe për ndryshimin e kontratës me vlerë 40 milionë Euro shtesë.
Por me dokumente zyrtare dhe deklarimet e saj para hetuesve të BKH, Ogerta Manastirliu e “groposi” ish-ministrin Ilir Beqja, duke i rrëzuar skemën djallëzore për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale, si autori i vërtetë i sajimit dhe realizimit të aferës koncesionare.
“Pamfleti” ka mundur të sigurojë një pjesë nga deklarimi i ish-ministres së shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, lidhur me bllokimin e Qendrës së Sterilizimit kur ishte drejtuese e QSUT.
Ja një pjesë nga deklarimi i Ogerta Manastirliut, para hetuesve të BKH më 19 shkurt 2024:
- Më 20 shtator 2013, u emërova drejtoreshë e QSUT. Tre muaj pas marrjes së detyrës, nisur nga kërkesat emergjente për pajisje kirurgjikale, dhe me qëllim që të mos i blinim te privatët, kërkova nga vartësit, një projekt financiar dhe gjetjen e një grupi specialistësh, për të vënë në punë qendrën e re të sterilizimit, që ishte instaluar në QSUT, por nuk ishte vënë në punë.
Në fund të muajit janar 2014, projekti financiar dhe grupi specialistëve me stafin e punonjësve, ishte gati e me leverdi financiare 1 milion Euro në vit, ose 10 herë më pak se vlera e koncesionit.
Pasi bëmë testimin me disa sete kirurgjikalë e doli me sukses, më 27 shkurt 2014, me Shkresë Nr. 1106, i kërkova ministrit Ilir Beqja, miratimin për vënien në punë të sterilizimit, jo si kosto, sepse e përballonte QSUT, por për fondin e punonjësve dhe si detyrim hierarkik.
Meqë ministri Ilir Beqja nuk ktheu përgjigje, dhe në mesin e muajit mars i kërkova të shpejtohej vënia në punë e Qendrës së Sterilizimit, mbasi kisha presion nga shefat e kirurgjisë, nga urgjenca dhe pavionet që përdorin pajisje të sterilizuara, por ai më tha të mos merrem më këto lejfenizma.
Këmbëngula disa herë deri në qershor 2014, kur Ilir Beqja më kërcënoi me shkarkim nga detyra si drejtore e QSUT nëse do vazhdoja me atë kërkesë; gjë për të cilën vura në dijeni privatisht kryeministrin Edi Rama, por ai më tha: - Mos u merr më atë çështje, se kemi projekt tjetër.
Pas 7 muajsh, më 16 shkurt 2015, ministri Ilir Beqja shpalli njoftimin për dhënien me koncesion të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale për 10 vite, ndërsa më 5 tetor 2015 u publikua fituesi “Sani Servize Italia” e më 10 dhjetor 2015 u nënshkrua kontrata.
Ndërsa lidhur me akuzën për ndryshimin e kontratës më 15 janar 2020, kur ishte ministre e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë këtë deklaratë para hetuesve të BKH: - Ndryshimi i kontratës ishte përcaktuar në kontratë. U zbatua nga Sekretarja e Përgjithshme e ministrisë, Gelardina Prodani në bashkëveprim Agjencinë e Koncesioneve ATRAKO, sipas kërkesë të Ministres së Ekonomi-Financave, Anila Denaj, ndërsa unë dhe FSDKSH e kemi zbatuar.
Deklarata e Manastirliut për aferën e sterilizimit, është një goditje e fortë ndaj Ilir Beqajt, duke i dhënë prova më konkrete SPAK-ut, për të kërkuar arrestimin e tij, si “koka” e këtij koncesioni me vlerë 140 milionë Euro, 80 milionë nga të cilat janë vjedhje./Pamfleti
Lini një Përgjigje