TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 1 Maj 2023, 11:51

Si e hoqi nga dosja hetimore Blendi Klosi sekretarin Adrian Kamenicën që shkaktoi 4 vrasjet në plazhin e Velipojës

Shkruar nga Pamfleti
Si e hoqi nga dosja hetimore Blendi Klosi sekretarin Adrian Kamenicën
Provë nga korrupsioni me pasoja të rënda kriminale...

 

Provë nga korrupsioni me pasoja të rënda kriminale, i këtij zyrtari të lartë me detyrë ish-Sekretar në Ministrinë e Turizmit, i cili jepte plazhet publike me 5000 Euro ryshfet 1000 m2 për 5 vite, por nuk u prek nga drejtësia e madje u emërua sekretar te Ministria e Mbrojtjes, ku pas 9 muajsh u shkarkua për lidhje kundër NATO-s me rusët e bjellorusët...

Rasti i ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Turizmit, Adrian Kamenica, tregon se vetëm me shtetin dhe drejtësinë shqiptare, ndodh që një zyrtar i provuar nga policia kriminale dhe prokuroria, si shkaktar i 4 vrasjeve me armë, në vend të çohej në burg, vazhdon në detyra të larta.

Bëhet fjalë për masakrën e ndodhur në plazhin e Velipojës më 27 qershor 2021, për të cilën u zbulua, se shkaktar kryesor i përleshjes me armë mes dy familjeve për sipërfaqet e rërës, ishte Adrian Kamenica, në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm Ministrisë së Turizmit, drejtuar nga Blendi Klosi.

Policia kriminale e Shkodrës dhe ajo në Drejtorinë e Policisë së Shtetit që udhëhoqi hetimin, gjatë marrjes në pyetje të familjarëve dhe kontrollit në zyrat e viktimave brenda hoteleve të dy familjeve Gocaj e Ferracaku, konstatuan prova që vërtetonin se sekretari Adrian Kamenica, u kishte dhënë të njëjtat sipërfaqe plazhi, të dy familjeve kundrejt ryshfetit.

Familjarët e viktimave, deklaruan dhe dorëzuan në polici e prokurori, bisedat me Adrian Kamenicën e Ministrisë së Turizmit, që vërtetonin se ai u kishte marrë nga 5000 Euro për nga 3 sipërfaqe plazhi 1000 m2 me afat 5 vite, përveç tarifave të qirave që kishin paguar te Bashkia Shkodër dhe Agjencia e Bregdetit.

Në raportin përfundimtar policor Nr. 235, datës 30 qershor 2021, sekretari Adrian Adem Kamenica u skedua si person që kishte dijeni dhe person nën hetim për shpërdorim detyre e korrupsion, me pasojë nxitjen e konfliktit të armatosur mes dy familjeve, por te raporti i dorëzuar në prokurori, emri i tij ishte hequr duke e lënë jashtë dosjes penale.

Policia arrestoi dy persona të familjes Ferracaku dhe mori në pyetje familjarë të Gocajve, të cilët, për të vërtetuar se kishin te drejtën e administrimit të plazheve, dorëzuan provat e pazareve, që kishin bërë me Adrian Kamenicën në Tiranë e Velipojë.

Por megjithëse policia shoqëroi 20 persona, Adrian Kamenicën nuk e pyeti fare, mbasi ish-ministri Blendi Klosi, ndikoi te ish-Drejtori i Përgjithshëm i Krimeve, Tonin Voci dhe te drejtori Ardi Veliu, të cilët “bindën” ish-drejtorin e Policisë të Shkodrës, Niko Brahimaj, të hiqte emrin e Ardian Kamenicës nga dosja e procedimit penal para dorëzimit në prokurori.

Me Shkresë nr. 176/1, datë 13 korrik 2021, Prokuroria e Shkodrës, referuar provave që mblodhi nga dy familjet e 20 dëshmitarët, i kërkoi policisë rajonale të depozitonte deklarimet e plota fillestare që ishin bërë dhe provat që kishte skeduar, mbasi në procedim mungonte emri i Adrian Kamenicës, por policia nuk i dërgoi sepse i kishte ndryshuar e zhdukur. 

Po përse negocioi ish-ministri i Turizmit, Blendi Klosi, për të hequr nga dosja dhe për të shpëtuar nga burgu vartësin e tij Ardian Kamenica?

Sepse në dëshmitë, deklarimet dhe provat e grumbulluara për të, edhe nga SHISH dhe agjentët anti-krim të Shkodrës, emri i Blendi Klosit rezultoi si bosi që komandonte biznesin e ndarjes së plazheve publike në Velipojë e në krejt bregdetin.

Gjithçka e realizonte me ryshfete 5000 Euro për një parcelë 1000 m2 me afat 5 vite, nëpërmjet sekretarit të tij Adrian Kamenica, i cili jepte urdhrat te Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe çonte listat e bizneseve te Bashkia Shkodër.

Kështu i ka dalë emri Blendi Klosit e Adrian Kamenicës për çeqe ilegale mijëra Euro, edhe te dosjet hetimore të landfilleve Tiranë, Elbasan e Fier, për të cilat do flasim në vijim./Pamfleti

blendi klosi adrian kamenica plazhi i velipojës

Lini një Përgjigje