Punëtorët e Birra Tirana, kanë shkuar në selinë qendrore të kompanisë së Irfan Hysenbelliut dhe i kanë kërkuar pagesat e prapambetura.
Punëtorët e Birra Tirana kanë shpërthyer në një revoltë finale ndaj pronarëve, që jo vetëm kanë shkatërruar çdo të drejtë, por edhe kanë çuar në falimentim një nga stabilimentet historike të industrisë ushqimore shqiptare.
Punëtorët e Birra Tirana, kanë shkuar në selinë qendrore të kompanisë së Irfan Hysenbelliut dhe i kanë kërkuar pagesat e prapambetura.
Gjatë protestës ata i kanë dalë para makinës së Hysenbelliut, i cili ndodhej brenda e nuk zbriste.
Për të dalë nga situata, Fanja u ka thënë se do tu jap dy rroga në dorë me kusht që ti rikthejnë pasi të hedhë të gjitha rrogat në bankë.
Por punëtorët nuk e kanë ngrënë, ngaqë e kanë konsideruar një mashtrim të pastër.
Punëtorët e mbetur të Birra Tirana kanë 10 muaj që s’kanë marrë pagat, ndërkohë që ata kanë akuzuar drejtuesit: Luan Bregasi e Irfan Hysenbelliu, që të gjithë këtë po e bëjnë për ta çuar në fund këtë industri, e për ta përdorur territorin e saj të majmë më pas për shesh ndërtimi.
Zgjidhjet në këtë rast ekzistojnë dhe ligjërisht, madje pa asnjë problem për punonjësit. Nëse kompania nuk ka mundësi të vijojë aktivitetin, duhet të shpallë falimentin, e në këtë rast futet shteti në administrim, duke marrë në mbrojtje në radhë të parë asetet e fabrikës, por natyrisht edhe asetet e pasurisë së paluajtshme.
Problemi kryesor në këtë rast është se drejtuesit e kompanisë: Luan Bregasi dhe Irfan Hysenbelliu duan ta çojnë në dështim prodhimin e birrës, e të devijojnë më pas shfrytëzimin e pronës. Kur në fakt, ata kur e kanë blerë fabrikën, nuk e kanë marrë për të shfrytëzuar truallin, por për të prodhuar një nga asetet industrial që është krijuar në vite. Ku përveç pajisjeve dhe mjeteve të punës, aseti më i rëndësishëm është ai njerëzor. Pasi si teknologët, ashtu edhe punëtorët janë të specializuar në vite e vite dhe kanë treguar se janë në gjendje për të sjellë një produkt cilësor, që mund të konkurrojë edhe në rajon.
Sot, ne jemi në një situatë kur në Shqipëri thuajse nuk konkurrojnë në tregun vendas prodhimet tona, e shiten market e importit, kur në vite e vite, industria jonë ushqimore ka mbuluar nevojat e tregut, përgjithësisht ata me kosto të ulët.
Më datë 16 tetor, punëtorët do të zhvillojnë një protestë tjetër të madhe, e cila sipas gjasave do të jetë pa kthim. Ata do të kërkojnë nga shteti që ta marrë në dorë situatën, por nga ana tjetër të çojnë para përgjegjësisë Luan Bregasin e Irfan Hysenbelliun. Të cilët janë mbrojtur hapur nga shteti, duke shfrytëzuar edhe pozitën shtetërore të Bregasit si anëtar i këshillit bashkiak të Tiranës.
Ndaj të cilit, në SPAK dhe prokurorinë e Tiranës rëndojnë disa padi të punëtorëve të Birra Tirana, të cilët nga ana tjetër kanë vite që po zhvillojnë një betejë gjyqësore në disa procese në gjykatën e Tiranës.
Por ana e errët e gjithë kësaj historie, është heshtja e pjesës më të madhe të mediave kryesore në vend, edhe pse jemi përballë këtyre fakteve të rënda./ Pamfleti
Lini një Përgjigje