KLSH ka kryer një auditim në Ministrinë e Shëndetësisë për periudhën kur në krye të saj ishte Manastirliu dhe janë gjetur mjaft shkelje.
Ogerta Manstirliu ka bërë namin në krye të Ministrisë së Shëndetësisë. Rama e largoi nga ky post në shtator, por firma e saj është kudo dhe abuzimet janë të shumta.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një auditim në Ministrinë e Shëndetësisë për periudhën 01.04.2021 deri në 31.12.2022 dhe janë zbuluar shumë shkelje, veçanërisht me tenderët.
Nga auditimi i procedurave të blerjeve të vogla u konstatua se: operatorët fitues nuk plotësonin kriteret e përcaktuara në ftesën për ofertë sipas kërkesave dhe specifikimeve të përcaktuara në njoftimin e kontratës dhe në dokumentet e tenderit, në kundërshtim me nenin 92 pika 3 e LPP. Gjithashtu, nuk kanë të dokumentuar marrjen në dorëzim të mallrave/shërbimeve, me anë të procesverbaleve dhe dokumentacionit të plotë për procedurat e kryera sa i takon marrjes në dorëzim të mallrave/shërbimeve.
Për të gjithë procedurat e blerjeve të vogla të audituara u konstatua se këto procedura në të gjitha rastet nuk ishin të inventarizuara e për pasojë të arkivuara, në kundërshtim me ligjin nr. 9154, datë 152 06.11.2003 “Për arkivat”, si dhe nenin 21 “Norma tekniko-profesionale dhe metodologjike të shërbimit arkivor në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas KLSH, nga auditimi i kryer i procedurës me objekt “Blerje sistemi financiar Financa 5” rezultoi se e gjithë procedura nuk është kryer konform rregullave të prokurimit publik. Nga ana e grupit të auditimit u konstatuan mangësi që në parashikimin e fondit gjatë fazës së planifikimit buxhetor, mos përcaktimit të fondit limit, parregullsive në fazën e lidhjes së kontratës, dorëzimit të faturës para datës së hyrjes në fuqi të kontratës si dhe marrjes në dorëzim të aktivit pa specialistë të fushës.
Skandali është se fatura e dorëzuar nga kompania është bërë një ditë para lidhje së kontratës. Po ashtu edhe pse ky program është blerë, ai nuk është përdorur kurrë.
Po ashtu, nga auditimi i procedurës së prokurimit me objekt “B1-Blerje barna Anti-infektive të përgjithshëm, Anestezi Reanimacion, Psikiatria, Sistemi kardiovaskular, Sistemi muskolo-skeletik, Sistemi nervor dhe Sistemi Respirator, Gjaku dhe organet formuese të gjakut” për: Lot 100 “Sevoflurance” u konstatua se kompania me ofertën më të ulët është s’kualifikuar pasi nuk ka paraqitur dokumentacionin provues që bari i ofertuar është i regjistruar sipas kriterit në DT, ndërsa në procesverbalin e vlerësimit (nuk korrespondon me njoftimin e fituesit), pasi citohet që skualifikimi është për afatin e sigurimit të ofertës.
Ndërsa për lotet Lot83 “Flumazenil” dhe Lot104 “Valproic”, OE/ “F” sha është shpallur fitues pa plotësuar kriterin që bari i ofertuar të jetë i regjistruar në Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.
Po ashtu në procedurën e prokurimit me objekt "Rikonstruksion i godinës së Qendrës Kombëtare Transfuzionit të Gjakut Tiranë", janë s’kualifikuar operatorët ekonomik “P. G” shpk, “N. M. P” sh.a, “S.” shpk, me arsyen e gabimit në sasinë e ofertës, referuar edhe vendimit të KPP 550/2020. KVO nuk ka mbajtur në konsideratë legjislacioni e Prokurimit Publik, nenin 92 të ligjit 162/2020
“Shqyrtimi i ofertave”, pika 2. Sipas KLSH, Komisioni i Vlerësimit të ofertave, ka kryer s’kualifikim të padrejtë të OE “E.K.” shpk, pasi oferta e tij rezultoi pa gabime. Nga auditimi i dokumentacion i operatorit të shpallur fitues “A.C.” shpk, u konstatuan disa pasaktësi në katalogët e pajisjeve duke mos përmbushur specifikimet teknike të kërkuara.
Nga auditimi është konstatuar se vijojnë 13 vendime gjyqësore me detyrimin për “Pagesë page deri në kthim në punë” për ish punonjës të larguar padrejtësisht nga puna për të cilët vijon pagesa. Komisioni i Posaçëm ka shqyrtuar vetëm një rast dhe nuk është mbledhur për vlerësimin dhe kthimin në punë të 13 punonjësve të tjerë
Nga auditimi u konstatua se për periudhën objekt auditimi nga MSHMS është kryer një numër i konsiderueshëm rishikimesh, duke kërkuar lëvizje fondesh në projektet ekzistuese, si dhe duke shtuar projekte te reja gjatë vitit, të cilat janë çelur pa kaluar në procesin ligjor të miratimit të Planit Buxhetor Afatmesëm. Këto ndryshime kanë ardhur jo vetëm si rezultat i akteve normative të miratuara gjatë vitit, por edhe si pasojë e vendimmarrjes për rishpërndarjen e fondeve me impakt në buxhetin e MSHMS-së, e cila konsiderohet me impakt negativ në treguesit e monitorimit të buxhetit.
Tjetër konstatim është se ka pasur abuzime me biletat e udhëtimeve jashtë dhe dietat. Sipas KLSH bileta në blerë një ditë parë udhëtimit, duke u marrë me çmim shumë të lartë. Po ashtu ka udhëtime jashtë pa pasur ftes nga evenimente të caktuara. “Në të gjithë urdhër shpenzimet e përzgjedhura për blerjen e biletave të transportit ajror ndërkombëtar, si dhe në disa urdhër-pagesa të shërbimeve-dieta jashtë vendit të punonjësve, të likuiduara nëpërmjet arkës u konstatua mungesa e ftesës së vendit pritës dhe draft agjenda e punimeve. Me anë të këtyre dokumente, vërtetohet qëllimi dhe objekti i shërbimit si dhe pjesa e shpenzimeve që do të mbulojë organizatori dhe pjesa që do të mbulojë buxheti i shtetit”, shprehet KLSH. /Pamfleti
Lini një Përgjigje