Rama mban peng vakancën në Këshillin Mbikëqyrës, ndërsa pret firmat e kryebashkiakut të Himarës për tokat në bregdet...
Kryeministri Edi Rama po përdor kryebashkiakun e Himarës, Vangjel Tavo, për të formalizuar kalimin e 220 hektarëve tokë në bregdet përmes Komitetit të Investimeve Strategjike. Në këmbim, Rama po mban pezull shpalljen e vakancës në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për bashkëshorten e Tavos, Suela Popa, me synimin për ta riemëruar për një tjetër mandat 7-vjeçar. Një skemë presioni dhe pazari politik, ku tokat publike dhe postet institucionale ndërthuren në një marrëveshje të heshtur pushteti.
Kandidimin e minoritarit dropullit Vangjel Tavo për Kryetar Bashkie të Himarës, Edi Rama e përdori për tre qëllime personale: diversion ndaj Ilir Metës, kundërvënie ndaj figurës së Fredi Belerit dhe qetësim të raporteve me kryeministrin grek Mitsotakis.
Gjatë fushatës, me disa takime populiste në Himarë, Edi Rama e pompoi Vangjel Tavon e tenderëve dhe lobimeve të Ilir Metës, duke e paraqitur si të vetmin burrë të ndershëm dhe të zotin që do t’i jepte fund çështjes së tapive të shtëpive, tokave, pyjeve dhe kullotave brenda vitit 2024.
Por pasi Vangjel Tavo u bë kryetar, Edi Rama filloi ta përdorte dhe po e përdor për të falsifikuar hartat dhe dosjet e tokave private, si dhe për grabitjen e pronave shtetërore përmes dhurimeve, kontratave qiraje dhe lejeve për resorte, hotele, pallate, impiante fotovoltaike dhe gurore.
Përdorimin e kryebashkiakut Vangjel Tavo për firma, kryeministri po e shoqëron me lejimin që ai të përfitojë ndonjë copë tokë publike nëpërmjet familjarëve, por edhe me favore të kushtëzuara në administratën e lartë shtetërore.
E tillë është kërkesa e Vangjel Tavos ndaj Edi Ramës që, si shpërblim për firmosjen e dosjeve të tokave që grabiten, t’i riemërojë bashkëshorten Suela Popa anëtare në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë edhe për një mandat tjetër 7-vjeçar.
Që Edi Rama t’i plotësojë këtë kërkesë për mbajtjen e gruas në Bankën e Shqipërisë, Vangjel Tavo duhet të firmosë letrat bashkiake për 220 hektarë toka të tjera, që do t’i marrin familjarët, oligarkët, miqtë dhe klientët e Bablokut në Himarë, Palasë, Pilur, Qeparo, Vuno, Dhërmi, Potom, Gjilekë, Borsh, Lukovë etj.
Edi Rama e ka filluar zbatimin e kësaj skeme, duke i çuar Kryesisë së Kuvendit vetëm dy emra për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, kur sipas nenit 44 të ligjit për Bankën, kryeministri duhet të kishte dërguar tre emra për tre vendet vakante.
Një nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës që i ka përfunduar mandati 7-vjeçar më 18 dhjetor 2025 është Suela Popa, bashkëshortja e Vangjel Tavos, për të cilën Edi Rama, në ujdi me drejtuesit e Bankës, nuk e ka shpallur mbarimin e mandatit dhe vakancën e vendit të saj.
Sepse Rama është në pritje të Vangjelit për të firmosur me miratim paraprak bashkiak dokumentet për 220 hektarë toka të tjera në bregdetin dhe territorin e Bashkisë së Himarës, të cilat janë piketuar për t’u kaluar formalitetisht përmes Komitetit të Investimeve Strategjike.
Pasi Vangjeli të firmosë grabitjet e tokave, trojeve, plazheve, pyjeve dhe kullotave, dhe kur Rama të mos ketë më nevojë për të, ai mund t’ia dorëzojë SPAK-ut, siç veproi me firmosësin Jorgo Goro.
Kujtojmë se bashkëshortja e Vangjel Tavos ka qenë Drejtore e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në vitet 2013-2017, si përfaqësuese e LSI-së, periudhë gjatë së cilës u raportuan abuzime të shumta me fondet e fermerëve./Pamfleti
Pamfleti! Unë mbaj mënd që ky tipi Vangjel Tavo ka patur për bashkëshorte një financiere me origjinë nga Përmeti. Mos ka ndonji ngatërresë? Nuk presim, që urdhërat dhe VKM e Kryeministrit të mbështeten në llogjikë, ligjore, ekonomike, financiare apo juridike. Kryeministri që u mor nga poshtë urës në Paris dhe që sot realisht e kanë bër hasha të gjithë, është si shejtani: kur i thua ik,vjen, dhe kur i thua hajde, ikën.