TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia27 Dhjetor 2025, 09:41

Paralele: Si po pastrohen miliarda nga droga dhe korrupsioni në kullat e Tiranës dhe Beogradit

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net

Paralele: Si po pastrohen miliarda nga droga dhe korrupsioni në kullat e

Çmimet e banesave janë dyfishuar në Ballkan jo për shkak të zhvillimit ekonomik, por sepse pas çdo apartamenti qëndron një thes me para të pista, një tender i vjedhur, apo një trafik ndërkombëtar droge që lahet përmes lejeve të ndërtimit...

Në Ballkan, betoni nuk është më thjesht një material ndërtimi. Është monedhë, është pasaportë, është lavatriçe e parave të pista. Në Serbi dhe Shqipëri, rritja galopante e çmimeve të banesave nuk ka më lidhje me tregun real, as me mirëqenien e qytetarëve, por me dinamikën e pazareve që nuk mbahen në bilancet bankare, por në thasë dhe valixhe.

Në Beograd, çmimet e banesave janë dyfishuar në gjashtë vitet e fundit. Nëse në 2019 një metër katror në një apartament në zonë të mirë kushtonte 1,200 euro, sot ai çmim ka kaluar 2,300 euro. Dhe jo sepse janë rritur rrogat, ato mezi lëvizin, por sepse Beogradi është kthyer në një lavatriçe të madhe për kapitalin pa emër.

Projekti “Belgrade Waterfront” është simboli i kësaj epoke: kulla luksi, apartamente bosh, investitorë që shfaqen nga asgjëja. Kërkesa për banesa është e lartë, por jo sepse qytetarët duan të jetojnë më mirë, por sepse dikush duhet të pastrojë paratë shpejt përmes një kontrate ndërtimi.

Të njëjtat simptoma i gjejmë në Shqipëri, vetëm se këtu sëmundja është më e avancuar. Tirana është kthyer në një qytet ku çmimi i banesave ka kaluar pragun e absurditetit: mbi 2,500 euro për metër katror në qendër dhe rreth 1,500 në periferi. E ndërkohë që rroga mesatare është nën 500 euro, çdo vit ndërtohen mijëra apartamente të reja që askush nuk i blen për të jetuar, por për të fshehur paratë. Ky është paradoksi shqiptar: një treg i mbushur me oferta të pashitura, por me çmime në rritje konstante. As logjika e tregut nuk e shpjegon këtë; vetëm logjika e pastrimit të parave.

Në të dy vendet, ky fenomen është kthyer në sistem. Ligjet janë të paefektshme, bankat janë të heshtura, institucionet të korruptuara ose të pafuqishme. As në Beograd, as në Tiranë nuk ka transparencë të vërtetë mbi origjinën e kapitalit që financon ndërtimet. Lejet merren pa pyetur komunitetin, projektet nisin pa garë dhe investimet bëhen përtej çdo norme ekonomike. Pas çdo pallati fshihet një histori që askush nuk guxon ta hetojë: një trafik droge, një tender i fryrë, një marrëveshje nën tavolinë.

Kjo rritje artificiale e çmimeve të pasurive nuk është vetëm një çështje ekonomike. Është një krizë sociale e ardhshme. Një brez i tërë po mbetet jashtë tregut të strehimit, i dënuar të jetojë me qira të kripura ose të largohet nga vendi. Ndërkohë, apartamentet bosh shtohen, por askush nuk pyet pse. Sepse e dinë përgjigjen.

Serbia dhe Shqipëria po ndërtojnë jo për të strehuar njerëzit, por për të fshehur krimin. Pasuria e paluajtshme është kthyer në pasuri të paprekshme. Dhe për sa kohë drejtësia nuk do të ndjekë rrugën e parasë, ky trend do të vazhdojë, dhe me të, do të thellohet hendeku mes atyre që pastrojnë miliona dhe atyre që nuk blejnë dot një dhomë.

Nuk kemi të bëjmë me zhvillim urban, por me një formë moderne të kapjes së shtetit. Ashtu siç në Serbi është ndërtuar një fasadë e pasur mbi një realitet të varfër, edhe në Shqipëri po përgatitet një Tiranë e re për ata që nuk jetojnë këtu. Dhe kjo është drama: qytetet tona po u shiten atyre që nuk kanë asgjë për të humbur, dhe po i mbyllen atyre që duan një jetë normale./Pamfleti

 

paralele droga dhe korrupsioni në ndërtim tirana dhe beogradi

3 Komente

  1. T
    Tony

    Cfare pastrim parash o legena. Vete i keni transmetuar ne televizionet tuaja që, sllavet e ndyre kane hapur biznese e shesin apartamente ne bregdetin tone ruseve, ukrainasve e serbeve. Ne plazhet tona televizori nuk kap stacionet Shqiptare por vetem sllave. Dikur perdornin zhurmues të mos shikonim RAI e Beogradin e tani nuk shohim stacionet tona. Mirë tha Faik Konica Shqipëri të Kam dhjere...

    1. e
      enea

      Ju portalet po ja nxini faqen Rames. Po merreni me kullat aty ku Rama ka rolin e arkitektit qe kur ishte kryetar i bashkise. Nese e mbani mend prishi ca kioska (te shemtuara patjeter, por jo problematike me ambientin), dhe ndertoj katraura betoni. Eshte arkitekt i shkaterrimit te Tiranes kryeqytet me dashje. Eshte njesoj si beri me Lazaratin, qe mbylli nje fshat per te hapur rruge nje shteti te tere te kanabizuar. Ky person vetem per lejet e ndertimit duhet te futet e mos dale me nga burgu. Ku eshte gjithe kjo nevoje ne nje treg me 2 milion banore per kaq shume beton?!?!?!! Nje femije e kupton qe kjo sipermarrje nuk ka lidhje me biznes ndertimi por me lavatrice gjigande ku pastrohen parate e krimit nderkombetar. Vetem Rama se di. Ndaj dhe "Mjaft me" . Zgjati shume shkoni tani paguani mekatet.

      1. P
        Pak nga të gjitha

        Jo i qartë shkrimi nga njera anë thotë se rritja e çmimit është si pasojë e nevojës për zbardhje dhe në kte rast nuk ka blerës ( ofra s’ka lidhje me kêrkesën por me pastrimin ) ose në fakt çmimi është fiktiv dhe shiten më lirë nqs blersi pranon dhe kshu zbardhen paret në fakt ose kërkesa është e lartë dhe çmimi sipas kërkesës dhe ktu nuk flitet për zbardhje por për fitim s’ka rëndesi se ku jeton blersi. Shkurt shkrim i dobët pa analizë finaciare e raport ofre kërkesë po ama helmin e lëshon

        Lini një Përgjigje