Ja detajet e dy tenderëve me të cilët dyshohet se është abuzuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve...
Prokuroria e Posaçme ka trokitur në zyrën e Ilirjan Celibashit, pasi ka dyshime se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka abuzuar me dy tenderë për të mundësuar identifikimin dhe votimin elektronik në zgjedhjet e vitit 2021.
Referuar një shkrese që Altin Dumani i ka dërguar kreut të KQZ, SPAK kërkon të dhënat për dy tender, konkretisht: Të prokurimit me nr. ”REF-83073-12-23-2020″ me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikim e tyre paszgjedhor” dhe të praktikës së procedurës të prokurimit me nr. “REF-89113-03-04-2021”, me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për votimin dhe numërimin e votave”.
Por për çfarë tenderësh bëhet fjalë?
Tenderi me numër reference REF-83073-12-23-2020, pra tenderi për blerjen e pajisjeve për identifikimin e votuesve, është praktikisht më i rëndësishmi dhe me një fond shumë të madh.
Tenderi është hapur më 24 dhjetor 2020 dhe procedura e shpalljes ka qenë me negocim. Më 18 janar 2021 është bërë publikimi. KQZ e ka shpallur tenderin me fond limit: 2,112,304,484 lekë të reja pa TVSH. Ai u fitua nga kompania “Smartmatic International Holding B.V”. me seli në Holandë. Ajo që bie në sy është se vlera fituese e kompanisë me bazë në Holandë është 2,016,354,628 lekë të reja pa TVSH. Pra shumë pranë fondit limit. Kjo ishte kompania e vetme në garë, pasi 5 të tjerat u tërhoqën.
Tenderi i dytë ka të bëjë me blerjen e pajisjeve elektronike të votimit, për eksperimentimin e votimi elektronik në zgjedhjet e 2021, në 32 qendrat e votimit të njësisë administrative numër 10 në Tiranë. Fondi limit ishte 109.999.500, ndërsa kompania fituese ka ofruar 99.424.460 lekë. Pra sërish shumë pranë fondit limit.
Janë mbi 21 mln euro të shpenzuara dhe kjo ka ngritur dyshime te SPAK se kemi të bëjmë me një skemë abuzive. Nëse konfirmohen shkeljet, Ilirjan Celibashi e ka punën pisk. /Pamfleti
Lini një Përgjigje