
Socialistët në Këshillin e Legjislacionit kanë bërë një tjetër dredhi sot, duke e shtyrë për në sesionin e ri parlamentar çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës....
Mazhorca duket se po bën të gjitha përpjekjet për të mbajtur në Parlament Olta Xhaçkën. Edhe pse ajo është në konflikt të pastër interesi sepse bashkëshorti ka marrë prona në bregdet, Rama dhe të besuarit e tij po luftojnë me “mish e me shpirt” që Xhaçkës të mos i hiqet mandati.
Një vit më parë, PD kërkoi që të hiqet mandati për Xhaçkën sepse ka shkelur ligjin për konfliktin e interesit. PS e rrëzoi kërkesën, por PD u ankua në Kushtetuese dhe kjo e fundit detyroi Kuvendin të pranojë kërkesën e opozitës dhe më pas të jetë gjykata që vendos nëse Xhaçka e ka shkelur apo jo ligjin.
PS arriti deri aty sa vuri në dyshim vendimin e Kushtetueses dhe pajtoi një ekspert që ta interpretonte vendimin. Mirëpo eksperti Krenar Loloçi i la në baltë sepse në raportin e tij shprehej se vendimi nuk negociohet, por duhet zbatuar. Të ndodhur në këtë situatë, socialistët kanë bërë një tjetër dredhi sot, duke shtyrë për në vjeshtë diskutimet.
Klotilda Bushka dhe Ermonela Felaj, gjatë diskutimeve në Këshillin e Legjislacionit dolën me një teori të re. Ato vendosën që të kalojë çështja për diskutim te Këshilli i Mandateve. Praktikisht duke kaluar në pikën zero.
“Ne do të bëjmë një raport për kryetaren e Kuvendit, dhe do t'i japim gjithçka çfarë u diskutua këtu dhe sugjerimi është që kryetarja ta kalojë te Këshilli i Mandateve. Është ky këshill që e kalon raportin në seacë plenare për vendimin në lidhje me çështjen. Lërini ironitë dhe diskutimet”, tha Klotilda Bushka.
Por kundër saj doli opozita. Gazmet Bardhi u shpreh se nuk ka tagër Këshilli i Mandateve të shqyrtojë vendimet e Kushtetueses. Sipas tij, e gjitha po bëhet për të zvarritur procesin.
“Është fakt që mocioni është shqyrtuar nga këshilli i rregullores dhe mandateve. Ta shqyrtojmë mandatin, nëse ka papajtueshmëri kolegia juaj të mbajë përgjegjësi, nëse nuk ka le të vazhdojë mandatin. Kjo nuk është çështje politike, është edhe politike edhe kushtetuese, në momentin që merr zgjidhje nga pikëpamja kushtetuese ajo do mbetet investitore strategjike, se nuk ja heqim dot titullin, ja ka dhënë Edi Rama, por me mandatin ne nuk merremi më. Mos e zvarrisim më tej, e kemi zvarritur mjaftueshëm. Investitore strategjike është ajo se ka 50 % të aksioneve. Ndërsa nga pikëpamja e mandatit, nëse e ndan gjykata kushtetuese ne nuk merremi më. Ju nuk e mbroni dot zonjën Xhaçka. Mos e zvarrisim më, edhe dy seanca kanë mbetur të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nëse doni pastaj, nëse nuk ka avokat të marrë ndonjë nga ju”, tha Bardhi.
Kjo manovër e shtyn çështjen për në vjeshtë. Kuvendi ka dhe 3-4 seanca dhe këtë sesion nuk miratohet dot raporti. Pra duket se është strategji e pastër për ta shtyrë në “kalendat greke” këtë çështje. /Pamfleti
Lini një Përgjigje