Në 2015 qeveria premtoi 10 mijë apartamente sociale, por fondet u bllokuan me urdhër të kryeministrit; projektet u shfuqizuan në 2025. Ndërsa 7200 familje në Tiranë mbetën pa strehë, oligarkët shitën pallatet e zbrazëta dhe pastruan paratë e pista. E vetmja 'arritje': një bllok pallatesh në periferi dhe disa dhjetëra apartamente në Durrës, Lezhë, Elbasan e Fier…
Mafia e ndërtimit të kullave dhe pallateve nuk e ka kapur kupolën e qeverisë vetëm me monopolin e përfitimit të trojeve publike e lejeve të ndërtimit, por edhe me shitjen e apartamenteve, nëpërmjet marrëveshjes së nëndheshme.
Sipas një informacioni të ardhur në "Pamfleti" nga burime konfidenciale brenda Ministrisë së Financave, rezulton se prej 10 vitesh, kryeministri Edi Rama, në pazar me pronarët e kompanive që ndërtojnë pallate e kulla, ka bllokuar fondet e ndërtimit të apartamenteve sociale në Tiranë.
Sipas plan-buxhetit të viteve 2015-2025, qeveria duhej të kishte investuar dhe ndërtuar 10 mijë apartamente sociale nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave dhe bashkive Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan, Korçë e Shkodër, 7200 prej të cilave në Tiranë.
Gjithashtu, po nëpërmjet Bashkisë së Tiranës, ku janë përqendruar familjet e reja dhe familjet e vjetra të pastreha, duhej të kishte dhënë 8000 kredi të buta, ndërsa nga objektet e ndërtuara prej privatit, duhej të kishte marrë rreth 280 mijë m² sipërfaqe banimi për të pastrehët.
Nuk ka asnjë informacion konkret se sa metra katrorë sipërfaqe banimi u janë marrë kompanive që kanë ndërtuar pallate e kulla në Tiranë, Durrës, Vlorë, Sarandë, Shkodër, Elbasan, Fier, Korçë etj., ku objektet janë ndërtuar mbi troje shtetërore me marrëveshje këmbimi në klering.
Por dihet fakti që, me urdhër verbal të kryeministrit Edi Rama, ministria e Financave, gjatë 10 viteve 2015-2025, ka bllokuar fondet e investimit që ishin planifikuar sipas viteve për ndërtimin e pallateve me 7200 apartamente sociale në Tiranë.
Bllokimi i fondeve dhe mosplanifikimi për ndërtim banesash nga shteti as në vitin 2026 ishte dhe vazhdon të jetë skemë për të krijuar një treg të imponuar, që familjet e pastreha të detyrohen të blejnë apartamentet e pashitura në pallatet e ndërtuara nga oligarkët dhe ortakët e qeveritarëve.
Në janar 2015, qeveria shpalli projektin 10-vjeçar me objekt mbështetjen për strehimin çdo vit të 2000 familjeve të reja dhe familjeve në nevojë ekonomike, por ai projekt nuk u zbatua, sepse e bllokoi pazari i Edi Ramës me ndërtuesit e pallateve, për të shitur apartamentet e tyre.
Të njëjtin projekt për ndërtimin e 2000 apartamenteve sociale në zonën "Autotraktorët", kryeministri Edi Rama e miratoi edhe më 31 janar 2020 me Vendim nr. 79 të qeverisë, por nuk u investua për asnjë pallat deri më 1 tetor 2025, kur me Vendim nr. 553 u shfuqizua vendimi i muajit janar 2020 dhe u anullua fondi.
Sepse ndërtuesit e pallateve lobuan dhe ndikuan te Edi Rama që të mos ndërtohen pallate sociale nga shteti me kredi të buta e çmime të ulëta, ngaqë ata duhet të shesin apartamentet në pallatet e tyre të pashitura.
Përveç interesit për të shitur apartamentet, qëllimi dhe skema e kryeministrit Edi Rama është që, nëpërmjet shitjes së pallateve e kullave të oligarkëve, të realizohet cikli i pastrimit të parave të pista që janë investuar në ndërtime.
Për të fshehur pazarin me ndërtuesit dhe për të justifikuar bllokimin e fondeve për apartamentet sociale, qeveria ndërtoi në vitin 2014 dhe në fillim të vitit 2015, nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave, një bllok pallatesh sociale në periferi të Tiranës dhe disa pallate me nga 20-40 apartamente në Durrës, Lezhë, Elbasan e Fier./Pamfleti
Nuk mbulohet " Dielli me shoshe", virusesh...!!