
Biznesmeni kontrovers i kompanisë "Rozafa" përdor nipin dhe grupet kriminale për të verifikuar votat e punonjësve, denoncimi zbulon skemën e presionit për zgjedhjet e 11 majit...
Përveç administratës shtetërore dhe punonjësve buxhetorë, që janë vënë nën trysninë e ministrave, drejtorëve e kryebashkiakëve për të votuar PS-në familjarisht, kryeministri Edi Rama i konsideron si “hambar” votash edhe punonjësit e kompanive private.
Ai u ka kërkuar, ose më saktë, i ka urdhëruar pronarët e kompanive private të garantojnë që punonjësit e tyre të votojnë PS-në, si detyrim për tenderët, PPP-të, faljen e taksave dhe pasuritë shtetërore që kanë marrë me kontrata “1 Euro” apo statusin “Investitor Strategjik”.
Këtë fakt e zbulon një denoncim i ardhur në “Pamfleti” nga punonjës të kompanisë “Rozafa”. Sipas tyre, pronari Gjergj Luca i ka urdhëruar punonjësit të votojnë PS-në më 11 maj, duke deklaruar se është pikërisht kjo qeveri që u ka siguruar dhe do t’u garantojë vazhdimësinë e punës.
Ndryshe nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe zgjedhjet lokale të vitit 2023, ku Luca u kishte kërkuar punonjësve të votonin PS-në dhe i kishte besuar deklarimeve të tyre, në zgjedhjet e 11 majit ka vendosur t’i kontrollojë personalisht votat.
Sipas denoncimit, votat e punonjësve të kompanisë “Rozafa” do të kontrollohen nëpërmjet skemës së njohur të filmimit të votës me celular, dhe më pas tregimin e këtyre filmimeve tek personat e caktuar për verifikim.
Për këtë qëllim, Luca ka caktuar nipin e tij Ritvan Gjergji, të njohur si “Vani”, që prej muajit qershor 2021 mban postin e administratorit të kompanisë “Rozafa”, duke zëvendësuar Lisena Metoshin, anëtare e Këshillit Bashkiak të Elbasanit.
Në grupin e udhëhequr nga Vani, për verifikimin e votave të punonjësve të kompanisë, do të angazhohen persona të besuar, të cilët nuk janë punonjës të kompanisë, por individë që Gjergj Luca i përdor prej vitesh për veprimtari të jashtëligjshme, përfshirë trafik droge, fajde dhe presione ndaj gazetarëve.
Më 12 maj 2025, punonjësit e “Rozafa” në Shëngjin, Tiranë, Durrës, Elbasan, Maliq, Gramsh dhe Sarandë, do të duhet të tregojnë votën e filmuar në celular për të konfirmuar votën pro PS-së. Gjithashtu, ata duhet të regjistrojnë orën e votimit për të shmangur çdo mundësi mashtrimi.
Biznesmeni Gjergj Luca tashmë e ka filluar presionin mbi punonjësit e tij, duke publikuar çdo ditë materiale audio-vizive mbështetëse për Edi Ramën, ku shfaqet bashkë me punonjësit duke bërë thirrje për të votuar PS-në./Pamfleti
Lini një Përgjigje