Nëse shohim raportet që kanë hartuar ekspertët që ka pajtuar Xhafaj, shteti qenka i zhytur në korrupsion nga koka te këmbët...
Pas një periudhe të gjatë ftohjeje mes tyre, Edi Rama rinxori në skenë Fatmir Xhafajn. Ish-ministri i Brendshëm u la në hije për shumë vite, por Rama vendosi ta përdorë këtë herë për të rinisur një reformë, të ashtuquajtur antikorrupsion.
Xhafaj aktualisht po drejton Komisionin e Posaçëm për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit. Ky komision u ngrit mes shumë debatesh, pasi opozita e refuzoi. Sipas tyre ai është një vegël për të kapur apo rivalizuar drejtësinë. Por edhe pse ndërkombëtarët kërkuan bashkëpunim politik, ky komision vijon punën. Prej disa ditësh mbahen tryeza diskutimi, larg vëmendjes së medias.
Por nëse shohim raportet që kanë hartuar ekspertët që ka pajtuar Xhafaj, shteti qenka i zhytur në korrupsion nga koka te këmbët. Rama del e na mburret se po e lufton. Madje në kurriz të SPAK kërkon të sigurojë vota, mirëpo vetë Xhafaj shprehet se të gjithë sektorët gëlojnë nga korrupsioni. Më poshtë po paraqesin pjesë nga raporti për korrupsionin që ka hartuar komisioni “Xhafaj”:
1- Sektori i pronave është një ndër sektorët më të riskuar ndaj korrupsionit, kjo e theksuar edhe në raportet e DASH (2023) si dhe Progres Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë për 2024. Edhe pse janë miratuar ligje të reja për kadastrën dhe për finalizimin e proceseve të pronësisë kalimtare, zbatimi i tyre mbetet i kufizuar dhe përballet me sfida të rëndësishme, ashtu si konfirmohet edhe nga Progres Raporti i BE për Shqipërinë (2023). Në analizën e kryer është vërejtur një mungesë e të dhënave publike lidhur me vendimmarrjet e ASHK-së, duke arritur në përfundimin se kërkohet që të punohet në drejtim të transparencës në punën e ASHK-së.
Nga ana tjetër shqetësim edhe për qytetarët e shprehur edhe në raportin e progresit të Komisionit Evropian 2024, sfidë që kërkon adresim të menjëhershëm është korrupsioni i përhapur në ofrimin e shërbimeve. 85% e ankesave publike të marra nga Drejtoria e Përgjithshme Kundër Korrupsionit 60% (160) e të gjitha masave administrative të dhëna dhe 70% (50) e të gjithë punonjësve që u kallëzuan në prokurori, kishin të bënin me agjencinë shtetërore e kadastrës.
2- Sektori i Tatimeve është sektor i vlerësuar me risk në kuadër të luftës kundër korrupsionit. Pavarësisht se ka pasur një sërë masash që lidhen me digjitalizimin e shërbimeve tatimore, sistemin e fiskalizimit, deklarimit të pronarëve përfitues, zbatimin efektiv të standardeve të kontabilitetit financiar në përputhje me Standardin Global të OECD-së, etj. Po ashtu, në drejtim të digjitalizimit të proceseve të punës, administrata tatimore është angazhuar, në bashkëpunim me AKSHI-n për ndërtimin e modelit të Inteligjencës Artificiale në parandalimin dhe zbulimin e evazionit fiskal dhe krimit financiar. Pavarësisht përparimeve, sektori tatimor mbetet i cenueshëm ndaj shkeljeve të integritetit për shkak të kompleksitetit të ligjeve dhe ndryshimeve të shpeshta legjislative dhe procedurale.
Në kuadër të parandalimit, gjithashtu theksojmë miratimin e rregullores së brendshme për hetimin administrativ të sinjalizimeve dhe ruajtjen e konfidencialitetit, si dhe rregulloren e cila ndjek procesin e deklarimit të interesave private për punonjësit në bashkëpunim me ILDKPKI. Nga analiza e raporteve të auditimit të KLSH-së në vitet e fundit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve janë konstatuar disa problematika si rritje e nivelit të detyrimeve të papaguara, parregullsi në plotësimin e vendeve vakante, mangësi në shkëputjen e marrëdhënieve të punës, vlerë e lartë e detyrimeve që burojnë nga vendimet gjyqësore të formës së prerë për ish punonjës të larguar nga puna, mangësi në aktivitetin e disa Drejtorive, përzgjedhja e subjekteve për kontroll është automatike por detajimi i subjekteve për secilën drejtori kryhet manualisht, mangësi në procedurat e ndjekura nga inspektorët në terren dhe bazueshmëria ligjore e akteve të mbajtura prej tyre, etj.
3- Sektori i doganave, gjithashtu është vlerësuar si një ndër sektorët me risk, veçanërisht në proceset e brendshme të punës, ato që lidhen me bashkëpunimin ndërinstitucional dhe përmirësimit të kapaciteteve administrative në luftën kundër kontrabandës, korrupsionit dhe tregtisë së produkteve të falsifikuara, referuar edhe në Raportin e Progresit të KE-së 2023. Aktualisht rezulton se administrata doganore të Shqipërisë nuk ka akses efektiv në SIENA, një platformë për shkëmbimin e inteligjencës brenda Shteteve Anëtare të BE-së, për të përmirësuar efektivitetin në luftën kundër krimit ekonomik. Trajtimi konfidencial i informacionit të ndarë nga vendet anëtare është thelbësor për besueshmërinë dhe sigurinë e shkëmbimit të të dhënave. Problematika që janë vënë re në sektorin e doganave lidhen rastet e kontrabandës dhe korrupsionit, për të cilat kërkohet edhe nga Komisioni Evropian në progres raportin e 2023 që Shqipëria të intensifikojë përpjekjet duke rritur kapacitetet e institucioneve dhe përmirësuar bashkëpunimin mes agjencive të ndryshme të përfshira në këtë fushë, përfshirë ato tatimore dhe doganore. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka krijuar një Njësi Përgjegjëse për Sinjalizuesit, mbrojtjen e konfidencialitetit parandalimin e konfliktit të interesave, si dhe “Planin e veprimit” dhe “Planin e Integritetit” për Administratën Doganore. Nga të dhënat e administruara nuk rezulton të ketë dhëna të publikuara nga strukturat antikorrupsion të Drejtorisë së Doganave ashtu edhe të DPAK për sa i përket rasteve të hetuara në sektorin e doganave dhe ndjekja e tyre.
4-Policia e Shtetit është një prej sektorëve më të ndjeshëm ndër vite ndaj korrupsionit, siç konfirmohet edhe në raportet e fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë. Në raportin e KE-së për Shqyrtimin Analitik të Grupkapitujve I “Themeloret” 2023 përcaktohet se Shqipëria ka një sërë rregullash specifike për të luftuar korrupsionin në fushën e drejtësisë dhe të punëve të brendshme. Miratimi i ligjit të ri Nr. 82/2024 `Për Policinë e Shtetit` përbën një hap të rëndësishëm në krijimin e një kuadri të ri për normimin e veprimtarisë së Policisë së Shtetit. Me rëndësi ka qenë procesi i vettingut në radhët e Policisë së Shtetit, proces i nisur në vitin 2018 që pavarësisht ndryshimeve të vazhdueshme legjislative ende nuk ka përfunduar.
Digjitalizimi i sistemit të raportimit të abuzimeve dhe korrupsionit përbën një hap të rëndësishëm drejt adresimit më efikas të korrupsionit. Megjithatë, siç ka konstatuar edhe GRECO (Raundi V), mbetet sfidë ofrimi i shërbimeve shtesë nga policia në këmbim të pagesave, një praktikë që rrit rrezikun për konflikt interesi dhe korrupsion. Vijon ende të mbetet problem matja dhe kontrolli i integriteti nëpërmjet deklarimit dhe kontrollit të donacioneve, sponsorizimeve dhe shërbimeve të ofruara me pagesë, të cilat ende nuk janë integruar si pjesë e planeve të integritetit. Policia e shtetit mbetet ende shumë e ndjeshme ndaj korrupsionit pavarësisht përpjekjeve që janë bërë e theksuar edhe në Progres Raportin e Komisionit Evropian 2024.
5- Sektori i shëndetësisë me gjithë përmirësimet ndaj shërbimeve të ofruara ndaj qytetarëve mbetet një sektor me ndjeshmëri të lartë ndaj korrupsionit. Ashtu siç konsiderohet edhe si një sektor me risk ndaj korrupsionit, i vlerësuar si i tillë edhe nga Progres Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë (2023). Shqipëria po zbaton politikën e saj shëndetësore për shëndetin publik 2021- 2030 dhe dokumentin e veprimit 2020-2025 për kujdesin shëndetësor parësor, i cili synon të trajtojë pabarazitë në shëndetësi. Gjithashtu, është digjitalizuar sistemi për mbledhjen dhe raportimin e informacionit shëndetësor, sistemi i e-recetave, e-vizitave dhe e-referimit, si konstatohet edhe nga Progres Raporti i Komisionit Evropian (2023). Megjithatë, po sipas këtij progres raporti, korrupsioni mbetet prevalent (ndër të tjera) në sektorin e shëndetësisë, çka kërkon një veprim të targetuar për t’u adresuar.
6- Në sektorin e arsimit, bazuar në gjetjet e Progres Raportit të Komisionit Evropian, politika e ndjekur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit kanë në themel garantimin e transparencës nëpërmjet procesit të digjitalizimit dhe rritjes së integritetit në nivel institucional në sistemin arsimor. Transparenca në rekrutimin e stafit mësimor është garantuar me ligj nëpërmjet portalit online “Mësues për Shqipërinë”, duke vendosur parimin e meritës si bazë themelore për pranimin dhe emërimin e mësuesve, ndërsa institucionet e arsimit të lartë gëzojnë liri akademike, autonomi financiare, organizative dhe të përzgjedhjes së personelit. Megjithatë, masat kundër korrupsionit vijojnë të kenë ndikim të limituar në sektorin e arsimit. Procesi i monitorimit të zbatimit të akteve të brendshme të IAL-ve mbetet ende një sfidë. Gjithashtu, janë vënë re praktika joetike, si favorizimi dhe përdorimi i metodave të padrejta në vlerësimin e studentëve, si dhe lidhje nepotike në stafet akademike.
7- Në sektorin e prokurimit publik, koncesioneve dhe partneritetit publik-privat, ligji nr. 162/2020, “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, është harmonizuar (me disa përjashtime) me direktivat e Bashkimit Evropian, po ashtu edhe VKM që rregullojnë drejtime të caktuara të prokurimeve. Është krijuar një sistem elektronik për dorëzimin dhe shqyrtimin e ankesave (e-ankesa), i cili ofron statistika në kohë reale. Sipas Progres Raportit të KE-së (2023), Shqipëria ka hedhur një themel të mirë duke përmirësuar ndjeshëm transparencën përmes sistemit të saj gjithëpërfshirës të prokurimit elektronik dhe apelimit elektronik, si dhe në drejtim të dhënies së aksesit ndaj pjesëmarrësve në dëmshpërblim duke zhvilluar sistemin e saj të rishikimit. APP-ja ka nxjerrë udhëzime për deklarimin e konfliktit të interesit nga ana e zyrtarëve/nëpunësve në procesin e prokurimit dhe zbatimit të kontratës dhe ka miratuar një rregullore për parandalimin e konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të funksioneve publike në APP. Pavarësisht progresit, nga analiza vihet re se ligji ka nevojë për tu përafruar me acquis e BE-së e theksuar kjo edhe në raportet e progresit të Komisioni Evropian në drejtim të rishikimit të kufijve monetarë për kontratat e furnizimeve dhe shërbimeve, periudhave minimale të zbatuara, afateve për paraqitjen e ankesave, dhe përjashtimet e operatorëve ekonomikë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje