TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 1 Maj 2026, 13:32

“Hajduti i tokave që as tërmeti nuk e rrëzoi”: Si “pengu” i bandave, Elvis Pengili u bë drejtor i Kadastrës së Durrësit

Shkruar nga Pamfleti
“Hajduti i tokave që as tërmeti nuk e rrëzoi”: Si
Elvis Pengili /

Ish-përgjegjësi i LSI-së, tashmë patronazhist i PS-së, ka falsifikuar harta për 300 hektarë tokë bregdetare, i ka shpëtuar 4 procedimeve penale (përfshirë dosjen e tërmetit ku pritej “arrest me burg”), ndërsa kolegët e tij u burgosën. Të “fortët” Agasi, Poja, Avdyli e Hajri e kanë mbajtur në detyrë, dhe ai vazhdon të firmosë grabitjen e tokave në Durrës...

Të gjithë drejtorët xhambazë e hajdutë të LSI-së në Durrës janë bërë pjesë e pushtetit të PS-së, duke vazhduar të jenë në sektorë ku ka pasuri, ankande, tenderë, legalizime dhe hipotekime.

Një ndër ekzemplarët e kësaj akrobacie është Elvis Pengili, ish-Përgjegjës Sektori në Kadastrën e Durrësit kur ishte me LSI-në, ndërsa tani është emëruar drejtor i Kadastrës si patronazhist i PS-së.

Për shumë raste aferesh pronësie, Elvis Pengili njihet si falsifikator e dallaverxhi me hartat dhe çertifikatat e tokave; për të cilat ka qenë 8 herë subjekt i policisë së krimit ekonomik, prokurorisë dhe gjykatës së Durrësit, por në çdo rast i ka shpëtuar arrestimit e dënimit.

Atë e kanë shpëtuar nga burgu pushtetarët, shefat e lartë të policisë e drejtësisë, oligarkët dhe "të fortët" e botës së krimit në Durrës e Tiranë, të cilëve u ka firmosur harta false për tokat e trojet që kanë zaptuar dhe grabitur në zonat bregdetare.

Rasti i parë: Më 15 dhjetor 2019, pas tërmetit, Prokuroria e Durrësit regjistroi Çështjen Nr. 2466 për veprat penale: "Vrasja me dashje në rrethana cilësuese, shpërdorim detyre dhe falsifikimi i dokumenteve të tokave në bashkëpunim", ku një ndër zyrtarët e proceduar ishte Elvis Pengili, në atë kohë Përgjegjës i Sektorit të Pronësisë së Tokave në Kadastër. Në procedimin penal, emri i Elvis Pengilit ishte për masë "Arrest me burg" me prova shkresore, si falsifikator i dosjeve kadastrale të tokave shtetërore të grabitura, ku ishin ndërtuar objektet që u shembën nga tërmeti dhe shkaktuan shumë viktima në Durrës. Por pa asnjë sqarim, emri i Elvis Pengilit u hoq nga lista e personave të proceduar me masë penale "Arrest në burg", dhe e lanë me masë "Detyrim paraqitje", duke vazhduar detyrën atje ku kishte kryer krimin me dosjet e tokave, ndërsa më pas iu pushua çështja.

Rasti i dytë: Më 12 prill 2024, Prokuroria e Durrësit procedoi një grup zyrtarësh e ish-zyrtarësh të Kadastrës Durrës dhe ndërtues, për falsifikimin e dokumentave dhe vjedhjen e 151 mijë m² tokë e truall në Lagjen nr. 15 të Durrësit. Mes të proceduarve për masë "Arrest me burg" ishte dhe Përgjegjësi i Sektorit të Pronësisë së Tokave në Kadastrën e Durrësit, Elvis Pengili; por u arrestuan 5 kolegë, ish-kolegë e përfitues që bashkëpunuan në falsifikimin e dokumentave, ndërsa emri i Elvis Pengilit u hoq nga dosja penale.

Rasti i tretë: Emri i falsifikatorit të tokave të Durrësit, Elvis Pengili, figuron në Kallëzimin Nr. 102/2021 bërë në SPAK nga PD-ja, me filmime për presion ndaj punonjëseve të administratës publike dhe blerje votash me lekë në Durrës. Por, ndërsa ndaj disa drejtorëve po vazhdon hetimi prej 5 vitesh, për Drejtorin e Kadastrës së Durrësit, Elvis Pengili, procedimi penal është fshirë në heshtje, duke mos filluar çështje ndaj tij.

Rasti i katërt: Më 2 prill 2025, ndaj Elvis Pengilit u bë kallëzimi penal në SPAK dhe në Prokurorinë e Durrësit, me prova filmike, regjistrime audio dhe denoncime qytetarësh, për intimidime dhe blerje votash për PS-në, por për të dy kallëzimet nuk iu filluan çështje penale.

Ndaj tij janë regjistruar edhe 4 çështje të tjera penale, pa llogaritur shumë denoncime e kallëzime të tjera nga pronarë e ish-pronarë, të cilëve drejtori Elvis Pengili ka bashkëpunuar në grabitjen e tokave nëpërmjet falsifikimeve në dosjet kadastrale.

Në informacionet që ka siguruar "Pamfleti", thuhet se shumica e falsifikimeve janë bërë kundrejt ryshfeteve, dhurimit të sipërfaqeve të tokave, apartamenteve e njësive tregtare, të cilat sipas raporteve të SHISH-it, drejtori Elvis Pengili i ka regjistruar në emrat e familjarëve.

Por falsifikimin e rreth 300 hektarë tokë bregdetare e në zonat preferenciale të Bashkisë dhe rrethit Durrës, Elvis Pengili i ka bërë edhe me urdhër e në interes të "të fortëve" Agasi, Poja, Avdyli e Hajri dhe të pushtetarëve lokalë në Durrës e në kupolën e qeverisë, të cilët e mbajtën shef të tokave dhe e emëruan Drejtor të Kadastrës./Pamfleti

 

elvis pengili drejtor i kadastrës së durrësit

Lini një Përgjigje