Në muajin dhjetor 2022 i dha 1.5 milionë Euro të cilat u justifikuan me letra sikur ishin blerë materiale sportive e u ishin shpërndarë nxënësve në 35 bashki, firmosur nga drejtorët e shkollave me urdhër të Ministres së Arsimit, Evis Kushi
Në këtë vapë gushti, kryeministri Edi Rama ka “freskuar” me 2.4 milionë Euro Fidel Yllin, mikun e tij të bixhozit, kullave e skemës për legalizimin e kanabisit, të cilin nëpërmjet një skenari klientelist e emëroi Kryetar të Komitetit Olimpik Shqiptar.
Nën maskën e kësaj detyre, Fidel Ylli sajoi një projekt për gjoja ngritjen e ekipeve shumë-sportesh të moshave në disa shkolla të vendit, të cilat gjoja po i pajisë me uniforma e materiale sportive që paguhen nëpërmjet fondeve të arsimit.
Më 14 gusht 2023, Fidel Ylli ka shpallur një tender me vlerë 2.4 milionë Euro me TVSH, të ndarë në dy lote, për blerje uniforma, çanta, peshqirë e atlete sportive, për nevojat e projektit “Ekipet sportive shkollore gjatë vitit 2023 në volejboll e basketboll”.
Sipas njoftimit të bërë nga Komiteti Olimpik Shqiptar, tenderi do bëhet më 13 shtator, por duke llogaritur afatin ligjor 30 ditor pas tenderit nëse nuk do ketë ankesa dhe afatin 2 muaj të kontratës, rezulton që uniformat e ekipeve të shkollave për vitin 2023, të blihen në janar 2024.

Mjafton kaq për të kuptuar se ky tender është fiktiv, si skemë për të zhvatur milionat Fidel Ylli dhe firma private që ai do t’i jap tenderin, duke çuar nëpër shkolla ca bluza me logo të Komitetit Olimpik, sa për të marrë firmat e drejtorëve sikur furnizimi u bë dhe ekipet kryen aktivitete.
Falsitet e mashtrim me këtë tender, është dhe ky fakt: Fidel Ylli e ka shpallur edhe për garë ndërkombëtare, por sipas ligjit të prokurimit publik, kur tenderi është dhe ndërkombëtar, afati për paraqitjen e ofertave është 3 muaj, ndërsa Fideli e ka vënë afatin 1 muaj.
Kujtojmë, që në fund të vitit 2022, Fidel Ylli bëri një tender të njëjtë 1 milionë Euro, për blerje uniforma sportive të shkollave, por rezultoi se kishte blerë vetëm 400 mijë Euro materiale, ndërsa 600 mijë Euro i kishte vjedhur me dokumente false, sikur i kishte shpërndarë në shkollat e 35 bashkive kryesore, duke i shoqëruar me reklamë në rrjetin “TIBO” të Adnand Mamutit.
Pas kësaj vjedhjeje dhe ankesës së drejtorëve të shkollave në Ministrinë e Arsimit, Edi Rama urdhëroi ministren Delina Ibrahimaj, t’i shtoheshin Komitetit Olimpik edhe 500 mijë Euro, për të mbuluar hajdutërinë e Fidelit.
Por as me këto 500 mijë Euro, nuk u blenë uniforma sportive, ndërsa drejtorët e shkollave u detyruan të firmosnin me urdhër të ministres Evis Kushi, siç do firmosin edhe për gjoja blerjet me tenderin 2.4 milionë Euro./Pamfleti
Lini një Përgjigje