
Sipas ligjit për Anti-krimin dhe Kodin Penal, ministri Ervin Hoxha duhet të kallëzojë në SPAK drejtoren që shkarkoi, vartësit që nuk i ka shkarkuar akoma dhe zyrtarët e Ministrisë së Financave e Ministrisë së Jashtme që kanë miratuar vjedhjet e organizuara...
Vendimi i Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, për shkarkimin e Loina Priftit, drejtores së kompanisë shtetërore “Identitek Sh.A” që prodhon kartat ID e pasaportat biometrike, u trajtua si një akt rutinë, kur realisht është skandal i një vjedhjeje të organizuar të fondeve publike.
Sipas informacionit nga Ministria e Brendshme që është pronare e kompanisë së aplikimit, prodhimit dhe shpërndarjes së kartave ID e pasaportave, drejtorja Loina Prifti u shkarkua sepse qysh prej muajit mars 2023 kur u emërua, kishte vendosur pagën e saj 15 mijë Euro në muaj.

Sipas ligjit dhe statutit të kësaj kompanie ekonomike shtetërore, çdo vendim financiar nga investimet, strukturën e punonjësve, shpenzimet e deri te pagat i propozon drejtori, por i miraton Bordi Drejtues që zgjidhet nga Ministri i Brendshëm.
Paga 15 mijë Euro në muaj e drejtores së kompanisë “Identitek Sh.A”, Loina Prifti, u miratua nga anëtarët e bordit, me funksione drejtuese të larta në Ministrinë e Brendshme, në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Jashtme.

Kryetar Bordi i kompanisë së kartave ID e pasaportave, është Zv/ministri i Brendshëm, Andi Mahilaj dhe anëtarë Marbona Çuko, Drejtore e Përgjithshme Rregullatore për Çështjet e Brendshme në Ministrinë e Brendshme; Lorena Pullumbi e Jonida Gaba ish-drejtore të kabineti të ish-ministrave Bledar Çuçi e Taulant Balla, aktualisht shefe sektorësh në këtë ministri.
Anetarë bordi të kompanisë së kartave ID e pasaportave, që kanë miratuar pagën mujore 15 mijë Euro për drejtoren Loina Prifti, janë dhe Etugert Llazi, Drejtor i Investimeve në Ministrinë e Financave; Donika Hoxha, Drejtore Kabineti e Ministrit të Jashtëm, dhe Maklen Misha, ish-këshilltar i ish-ministrave Olta Xhaçka e Niko Peleshi.
Këta bordistë, miratuan pagën e drejtores sa 3.5 paga të Presidentit të Republikës, sa 4 paga të Kryetares së Kuvendit e kryeministrit dhe sa 5 paga të Ministrit të Brendshëm, kur sipas ligjit për shoqëritë shtetërore, paga nuk duhet të kalojë vlerën 2 mijë Euro në muaj.
Por këta bordistë e patronazhistë, me detyra të larta në 3 ministri, nuk e kanë miratuar qesim pagën e drejtores, por sepse kanë përfituar edhe vetë mijëra euro nga kompania e pasaportave.
Sipas raportit që hartoi grupi i kontrollit i Ministrisë së Brendshme, rezulton se prej muajit mars 2023 deri në muajin gusht 2024, anëtarët e bordit, me propozim të drejtores Loina Prifti, kanë miratuar dhe për veten e tyre, pagesa mujore nga 1000 Euro dhe shpërblime 3 mujore nga 1500-2000 Euro, dieta, sasi karburanti e kanë punësuar familjarë të tyre mbi organikën e miratuar.
Këta kanë firmosur dhe miratimin e fondeve për tenderët e blerjes së pajisjeve të shtypshkronjës, letrës dhe specimenteve të sigurisë së pasaportave e kartave ID, me vlerë 4-5 herë më tepër se çmimet në treg, tenderin fiktiv paralel me vlerë 1 milionë Euro për shërbimin e internetit etj.
A do t’i shkarkojë Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, vartësit e tij zyrtarë që janë anëtarë bordi të kompanisë së pasaporteve e kartave ID dhe anëtarët përfaqësues të dy ministrive të tjera, që i vendosën pagë mujore 15 mijë Euro drejtores dhe paga e shpërbime mijëra Euro vetes së tyre?
Ndërsa sipas ligjit për Anti-krimin dhe Kodit të Procedurës Penale, ministri Ervin Hoxha duhet të kallëzojë në SPAK drejtoren që shkarkoi, vartësit që nuk i ka shkarkuar akoma dhe zyrtarët e lartë të Ministrisë së Financave e Ministrisë së Jashtme që kanë miratuar vjedhjet e organizuara te kompania e pasaportave./Pamfleti
Lini një Përgjigje