Ervina Gjana nën hetim për dekonspirim ndaj mafies, por vijon të ketë akses te FBI, DEA dhe EUROPOL
Ditën e mërkurë, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la në fuqi vendimin e SPAK-ut për sekuestrimin e telefonit dhe kompjuterëve zyrtarë e privatë të Drejtoreshës së Antikrimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, Ervina Gjana.
Sekuestrimet në zyrë dhe banesë iu bënë dy javë më parë, në kuadër të hetimit për lidhjet e saj dhe të bashkëshortit Renato Hristiç me grupin mafioz “Agasi”, të cilit dyshohet se i jepte informacione nga sistemi TIMS, për aksionet e policisë dhe të dhëna konfidenciale që vinin nga agjencitë partnere të SHBA-së dhe BE-së.
Më konkretisht, drejtoresha e sektorit të sekreteve të policisë është proceduar penalisht nga SPAK me prova për përfshirje në grup të strukturuar kriminal, me aktivitet mashtrime online, call-center, ndërhyrje në sistemet informatike dhe bashkëpunim në krimin kibernetik.
Por Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, nuk po e shkarkon Ervina Gjanën, megjithëse ajo është proceduar penalisht për lidhje aktive me grupin mafioz “Agasi”, për dekonspirim të aktivitetit të policisë, agjencive partnere dhe për cenim të sigurisë së sistemeve elektronike të antikrimit.
Është skandal që drejtoresha e sektorit më të rëndësishëm të Policisë së Shtetit, në hetim penal për lidhje me krimin e organizuar, lihet ende në detyrën e administrimit të sekreteve policore, ku qarkullojnë edhe informacione të Prokurorisë, Interpol-it, SPAK-ut, BKH-së, FBI-së, DEA-s dhe EUROJUST-it.
Minimalisht, sipas ligjit, kryepolici Ilir Proda duhej ta kishte pezulluar nga detyra Drejtoreshën e Antikrimit Kibernetik, Ervina Gjana, për t’i hequr aksesin mbi informacionet që mbledh, administron dhe shpërndan Policia e Shtetit.
Mosveprimi i Ilir Prodës e thellon edhe më tej skandalin, sepse drejtoresha Ervina Gjana, përveç përfshirjes në grupin mafioz “Agasi”, ka edhe dosje të tjera penale në Prokurorinë e Tiranës, SPAK dhe në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Më 2 gusht 2023, bashkë me Drejtorin e IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, drejtoresha Ervina Gjana dyshohet se ka grabitur databazën me të dhëna sekrete të policisë dhe ia ka dorëzuar grupeve kriminale.
Konkretisht, janë marrë të dhëna për hyrje-daljet e personave në pikat kufitare, dokumente biometrike, gjeneralitete, ngjarje kriminale, aksione policore, dosje hetimore, emra informatorësh, persona në gjurmim e kërkim, si dhe komunikime e raporte sekrete.
Më 30 maj 2014, kur Ervina Gjana ishte specialiste IT në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, SHÇBA e kallëzoi në Prokurori dhe e pezulloi nga detyra, pasi kishte vjedhur hard-diskun e kompjuterit zyrtar ku ruheshin të dhëna tepër sekrete.
Megjithatë, përmes ndikimeve politike dhe lidhjeve me krimin, çështja penale u pushua, Ervina Gjana u rikthye në polici dhe më pas u emërua Drejtoreshë e Antikrimit Kibernetik, tashmë sërish e proceduar penalisht nga SPAK për veprimtari të ngjashme.
Në nëntor 2024, Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, me urdhër të klaneve mafioze brenda dhe jashtë pushtetit, e caktoi Ervina Gjanën drejtuese të komisionit që përzgjodhi 48 shefa komisariatesh.
Por as kryeministri Edi Rama nuk po e shkarkon Ilir Prodën, megjithëse prej më shumë se një viti SPAK i ka sekuestruar telefonin dhe ai është nën hetim për dekonspirim aksionesh.
Dy rastet, Gjana dhe Proda, tregojnë se drejtimi i Policisë së Shtetit, sektorët e saj më të rëndësishëm dhe informacionet sensitive janë lënë në duart e personave që dyshohet se mbrojnë dhe ndihmojnë krimin./Pamfleti
Se si mbahet ky shtet ne kembe, nje Zot e di! Eshte qelbur peshku nga koka e deri tek bisht!