
Dhjetëra familje po largohen me urgjencë nga shtëpitë e tyre, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e forcave të rendit...
Situatë dramatike në Delvinë, ndërsa zjarret kanë rrethuar qytezën. Madje flakët janë shumë pranë puseve të naftës, që nëse përfshihen nga zjarri mund të shkaktojnë një katastrofë.
Banorët e lagjeve Mukërs dhe Llakë janë evakuuar, ndërsa në ndihmë të zjarrfikësve të Delvinës, kanë shkuar edhe ato të Konispolit dhe Himarës.
Shumë nga banorët e qytetit të Delvinës po tentojnë të largohen, ndërsa në rrugë është krijuar kaos, për shkak të panikut që kanë krijuar flakët.
Këto të fundit, sipas raportimeve, gjithashtu rrezikojnë edhe spitalin e Delvinës. Nga ky i fundit po largohen bombulat me oksigjen, me synim që të shmanget një tjetër situatë, nëse flakët përfshijnë godinën spitalore. Gjithashtu ka një evakuim të pacientëve dhe stafit spitalor, pasi flakët janë shumë pranë godinës spitalore.
Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të erërave, ndërsa duket se nuk po arrihet të vihen në kontroll flakët. Nga raportimet mësohet se flakët kanë përfshirë edhe disa banesa, ndërsa banorët kanë dalë prej tyre.
Në Delvinë ndodhen forca të shumta policore, përfshi edhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë, që po punojnë për largimin e banorëve nga zonat më të prekura.
Nga raportimet mësohet se për të frenuar avancimin e flakëve, veçanërisht te puset e naftës, janë dislokuar forca të shtuara zjarrfikëse, trupa ushtarake dhe një helikopter që po kryen hedhje uji nga ajri.

I gjithë qyteti gjëmon nga sirenat dhe boritë e makinave, ndërkohë në gadishmëri janë disa mjete ambulancash. Nga raportimet mësohet se shumë prej banorëve të zonave janë evakuuar dhe janë larguar nga qyteti.
“Na dridhet trupi nga frika, gjendja është jashtëzakonisht keq, s’mund ta imagjinoni. Kërkojmë ndihmë, çfarë do bëjmë me 2 zjarrfikëse në këtë katastrofë. Po digjet Xhermallaha dhe Vllahati! Jemi larguar nga banesat, nuk e dimë çfarë bëhet më”, tregon një banore e zones.
Ndërsa një tjetër banore e zonës ku ndodhet vatra e zjarrit mes dy kodrave, u shpreh se nuk mund ta linte shtëpinë dhe mallin e të largohej, duke e përshkruar situatën shumë kaotike dhe të frikshme.
Një prej banorëve thotë se kjo situatë, që e konsideroi apokaliptike, ndodhi brenda 20-30 minutash. Sipas tij, gjithçka ndodhi për shkak të erës së fortë. "Kam parë shtëpi duke u djegur, unë e kam larguar familjen time, këtu gjithçka ka mbaruar", tha banori, i cili nga tarraca e një pallati ndiqte flakët e zjarrit duke iu afruar qytetit.
Fatmirësisht deri më tani nuk ka të dhëna për humbje jetësh njerëzore apo dëmtime në njerëz.
Lini një Përgjigje