
Një zjarr ka rënë mesditën e sotme në afërsi të fshatit Zvërnec në qytetin e Vlorës, ku janë duke u djegur shkurre.
Mësohet se nga flakët po rrezikohen dy banesa dhe një kishë që ndodhet anës lagunës së Nartës.
Në vendngjarje kanë mbërritur me urgjencë forcat zjarrfikëse me tre automjete, të cilat po punojnë intensivisht për të izoluar vatrat e zjarrit dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt banesave dhe zonave të banuara. Për shkak të terrenit të vështirë dhe përmasave të zjarrit, në ndihmë të zjarrfikësve ka shkuar edhe një automjet i ujësjellësit, i cili po ndihmon në furnizimin me ujë të forcave në terren.
Po ashtu, banorë të zonës i janë bashkuar përpjekjeve për të lokalizuar flakët dhe për të mbrojtur pronat dhe banesat e tyre. Ata po punojnë me mjete rrethanore për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit deri në momentin që situata të vihet nën kontroll.
Shkaqet e zjarrit nuk janë përcaktuar ende, por dyshohet se mund të bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme, një fenomen që, fatkeqësisht, është përsëritur në disa zona të bregdetit dhe të pyjeve në jug të vendit gjatë ditëve të fundit.
Aktualisht, përpjekjet për shuarjen e flakëve vijojnë, ndërsa autoritetet lokale dhe emergjencat civile bëjnë thirrje për kujdes të shtuar, duke kërkuar nga qytetarët që të mos ndërmarrin veprime të papërgjegjshme që mund të përkeqësojnë situatën.
Ndërkohë, paraditen e sotme gjithashtu është përfshirë nga flakët vendgrumbullimi i mbetjeve në fshatin Daullas të Bashkisë Fier.
Në të ka patur dhe një numër të madh gomash që ka alarmuar banorët pasi pranë zjarrit ndodhen varrezat e fshatit. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe policia.
Ndërkohë për shkak të djegjes së gomave e gjithë zona është mbuluar nga tymi i zi.

Lini një Përgjigje