Gazetari Artan Hoxha thotë se Shqipëria duhet të jetë vigjilente dhe të rishikojë planin e masave në lidhje me muxhahedinët e strehuar në kampin e Manzës.
Hoxha vë në dukje se kemi të bëjmë me forca paramilitare, ndonëse janë të paarmatosur, që përbëjnë gjithmonë një kërcënim të vogël si i ynë.
Sipas gazetarit Shqipëria duhet të kërkojë angazhimin e SHBA-ve dhe NATO-s.
“Kjo që ndodhi në konfliktin 12-ditor Izrael-Iran, e përfshiu edhe Shqipërinë sepse strehon krahun e armatosur të forcës opozitare në Iran. Janë njerëz të trajnuar, të ushtruar, që kanë bërë akte sabotazhi. Janë një forcë paramilitare, thjesht jo e armatosur. Me përmasat që janë ata, ne duhet të kemi një vëmendje të shtuar dhe të gjejmë një zgjidhje, t’ua kërkojmë aleatët që na i sollën, s’e si morëm me dëshirë.
Ki parasysh sa sekretarë shteti dhe senatorë kanë ardhur për kampin e Manzës. Situata që ndodhi atje i jep mundësinë Shqipërisë, çfarë garancish duhet të ketë që të vazhdojë të mbajë këtë kamp, pa patur pasoja nga Irani. Ne kemi pasur pasoja nga sulmi kibernetik. Ne duhet të kemi vëmendje të shtuar edhe ndaj vet strukturës, sigurisë në kamp, dhe t’u kërkojmë aleatëve një mundësi tjetër. Nëse konstaton Republika Islamike e Iranit që kanë vepruar kundër interesave të saj ne gjithmonë do jemi të rrezikuar, sepse Irani thotë unë do godas ata që më godasin.
Duhet t’u kërkojmë angazhim SHBA-ve dhe NATO-s. Po ofrojmë një shërbim që s’është i vogël. Ata janë ushtri thjesht pa armë. Për vende të vogla si ne, janë gjithmonë kërcënim. Ky rast duhet të na kthejë me këmbë në tokë, të na bëjë vigjilentë, të gjithë aktivitetit që ata kryejnë aty brenda. Duhet të rishikojmë planin e masave të sigurisë, vigjilencës, që mos u ndodhë gjë nga jashtë dhe nga brenda mos kryejnë aktivitet. Të kërkojmë mbështetje nga aleatët që Shqipëria mos dëmtohet nga aktiviteti i tyre.", tha Hoxha për MCN.
Duke folur për luftën 12-ditore, Hoxha tha që miti se Izraeli është i paprekshëm ka rënë dhe kupola anti-raketore nuk mbrojti çdo gjë dhe pati dëme brenda vendit. Gazetari e konsideron një lëvizje shahu atë të SHBA-ve, për ndërhyrjen me bombën anti-bunker, ndërsa shprehet se iu dha mesazhi Kinës që rregullat në planet i vendos ende Amerika.
“Goditja ishte për t’i treguar Izraelit, shiko që po të mbështesim, për t’i treguar Iranit që shiko po u futëm në luftë, kjo është fuqia jonë. Tani që u mbyll tabloja, doktrina amerikane që nga 2015-ta ka qenë 3C, Clima, China, Corruption. Irani i jep Kinës jo vetëm 60 për qind të hidrokarbureve, dhe duke u goditur Irani u godit një bazë e rëndësishme e Kinës në Lindjen e Mesme dhe furnitori i saj kryesor. Ishte edhe një mesazh i qartë për t’i dëshmuar Kinës që akoma rregullat në planet i vendos SHBA”.
Lini një Përgjigje