
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat e Karinës në Peqin, në territorin e Peqinit, duke shkaktuar shqetësim të madh te banorët dhe autoritetet lokale.
Raportohet se flakët janë përhapur me shpejtësi edhe në Sinaballaj në territorin e Rrogozhinës, për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë.
Situata mbetet kritike, ndërsa ka nisur ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë të shërbimit zjarrfikës dhe ushtrisë. Sipas raportimeve paraprake, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj dhe kullotë.
Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar, por dëmet materiale dhe ato mjedisore janë të konsiderueshme.
Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë në kushte të vështira për të lokalizuar dhe shuar vatrat aktive. Në ndihmë të tyre janë bashkuar edhe banorë të zonës të cilët po kontribuojnë në mënyrë vullnetare për përballimin e emergjencës.
Lini një Përgjigje