
Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike, Greta Bardeli, ka folur për situatën e krijuar në Theth. Ajo e ka cilësuar si një “zonë lufte” për shkak të ndërhyrjeve të ashpra të Policisë së Shtetit dhe IKMT-së.
Bardeli u shpreh se përveç shkatërrimit të shtëpive dhe bujtinave, komuniteti lokal po përballet me reprezalje të paprecedenta. Ajo theksoi se duhet një dialog i hapur mes institucioneve dhe komunitetit për të gjetur zgjidhje urgjente.
Bardeli u shpreh gjithashtu se kjo situatë po e dëmton turizmin, pasi të gjitha rezervimet janë anuluar.
"Thethi është si një zonë lufte. Këtu, Policia e Shtetit, IKMT, po bën reprezalje, po shemb çdo gjë, çdo shtëpi, çdo bujtinë. Po merret me komunitetin e kësaj zone. Unë isha këtu dhe isha e pranishme në një takim të banorëve bashkë me ‘fratin’ e zonës, të cilët diskutuan dhe janë vetëm për dialog dhe kërkojnë që institucionet qendrore dhe komuniteti i Thethit të jetë i pranishëm bashkarisht në një tryezë të përbashkët dhe të komunikojnë.
Këta njerëz duan zgjidhje urgjente. Duan të komunikojnë me institucionet e shtetit dhe të ndalet gjithë kjo reprezale që po bëhet këtu në Theth. Është një gjendje e trishtueshme, përveç banorëve të cilët janë të mërzitur për atë që po iu ndodh, por edhe turistët të paktë tashmë që kanë mbetur në këtë zonë, janë dëshmitarët e kësaj reprezalje që po ndodh sot në Theth.
Po e dëmton shumë turizmin. Që nga dita e parë që ka nisur, çdo ditë e më tepër largohen turistët dhe janë bërë gjithë ato anulime. Kam kontaktuar me bujtina të ndryshme dhe kanë thënë që shumë turistë kanë anuluar prenotimet e tyre. Tashmë kjo zonë po shkretohet, po abondonohet nga turistët. Pak më parë më tha një zotëri: Këtu i ka hyrë trishtimi edhe zogjve të malit, jo më turistëve dhe banorëve të zonës dhe shumë e drejtë kjo", tha Greta Bardeli për “Syri Tv”.
Lini një Përgjigje