
Analisti Denis Dyrnjaja, thotë se ndërsa pala ankimuese e kryebashkiakut të shkarkuar të Tiranës Erion Veliaj, është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, të gjitha proceset e tjera pezullohen deri në një moment të vendimmarrjes së gjykatës.
Nga studio e lajmeve të MCN TV, ai deklaroi se vendimi i Kryeministrit për të ecur me procedurë dhe shpalljen e vakancave të kryetarëve të bashkive që mungojnë, edhe të kryebashkiakut të Tiranës, vë në vështirësi Presidentin Bajram Begaj.
Dyrnjaja shtoi se i nxituari i vetëm është Kryeministri, i cili po vë nën presion Presidentin dhe Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, Rama me faktin e kryer që çon vakancat në Presidencë, e shpërfill faktin që Gjykata Kushtetuese duhet të shqyrtojë shkarkimin e Veliajt dhe krijon një lloj presioni intimidues ndaj trupës së gjykatës.
“Vendimi i Kryeministrit për të ecur me procedurë dhe shpalljen e vakancave të kryetarëve të bashkive që mungojnë, edhe kryebashkiakut të Tiranës, vë në sprovë Presidentin, i cili duhet t’i përgjigjet Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti mund t’i thotë Kryeministrit stop, ose dekreton 5 vakancat në bashkitë e tjera, pa Tiranën, duke pritur vendimin. Por besoj se kjo do e ndërlikonte, se nuk mund të kesh shtatë data për zgjedhjet lokale, edhe pse nuk ka asnjë shkelje.
Logjika e kërkon që të gjitha bashkitë të organizohen dhe të kenë një datë fikse. Nëse Gjykata Kushtetuese rrëzon Velaijn zhvillohen zgjedhjet në 6 bashki, nëse Gjykata Kushtetuese rrëzon qeverinë, zhvillon zgjedhjet pa Tiranën dhe bashkia Tiranë do vazhdojë në mënyrë të komanduar”, tha ai
Lini një Përgjigje