TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Shtator 2025, 15:21

Nga diplomacia në miliarda/ Yuri Kim kalon te "ExxonMobil", kompania që solli TEC-et lundruese të Vlorës

Shkruar nga Pamfleti

Nga diplomacia në miliarda/ Yuri Kim kalon te "ExxonMobil",

Ish-ambasadorja e SHBA në Shqipëri emërohet në një rol drejtues në ExxonMobil, firmën që hyri në tregun shqiptar të energjisë gjatë kohës që ajo përfaqësonte interesat amerikane në Tiranë...

Ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim, ka kaluar zyrtarisht nga diplomacia në sektorin privat të energjisë. Vetëm pak ditë pas largimit nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Kim është emëruar në një rol të lartë drejtues në ExxonMobil, një nga korporatat më të fuqishme të globit në fushën e naftës dhe gazit.

Lidhja e Kim me ExxonMobil nuk është e rastësishme. Gjatë mandatit të saj në Shqipëri, ajo ishte vetë pjesë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit mes kësaj kompanie dhe qeverisë shqiptare për operimin e dy termocentraleve lundruese në Vlorë. Projekte që nuk kanë funksionuar asnjëherë dhe vazhdojnë të qëndrojnë të ankoruar në port, jashtë funksionit.

Në atë kohë, Kim deklaronte me entuziazëm: “Është një nder të jem pjesë e nënshkrimit... kemi punuar së bashku për më shumë se një vit tani... Memorandumi është inovativ.” Sot, ajo e quan këtë “kapitull të ri”, por pa përmendur ndonjë konflikt interesi mes misionit diplomatik dhe përfitimit të tanishëm profesional.

Nga diplomacia në miliarda/ Yuri Kim kalon te "ExxonMobil",

Emërimi i saj është bërë publik nga vetë Kim përmes një postimi në platformën X. As Ambasada Amerikane në Tiranë dhe as qeveria shqiptare nuk kanë komentuar ende mbi këtë zhvillim, që ngre pikëpyetje serioze mbi etikën e marrëdhënieve të interesit mes diplomacisë dhe lobimit korporativ.

Sot, e njëjta diplomate që dikur garantonte suksesin e marrëveshjes, ulet në krye të kompanisë përfituese të këtij “partneriteti strategjik”. Ky zhvillim hedh hije të forta mbi etikën e kalimit nga një funksion publik në një pozicion privat, direkt të lidhur me projektet që vetë ka promovuar.

A kemi të bëjmë me një konflikt të pastër interesi? Kur një ambasadore promovon një marrëveshje energjetike me kompani amerikane gjatë mandatit të saj dhe më pas, pa kaluar asnjë distancë kohore, merr pozicion drejtues në të njëjtën kompani, pyetja nuk është më teorike, por konkrete. /Pamfleti

1 Komente

  1. B
    Beso

    Po ca komenti Ne presim nga keta ne keta na vjedhin me keq se tonet ju kemi rene kot me qafe ketyre toneve jane florinj

    Lini një Përgjigje