TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Shtator 2025, 16:55

Kreu i OSBE takon Dumanin: Trajnim special prokurorëve për të goditur korrupsionin dhe pastrimin e parave!

Shkruar nga Pamfleti
Kreu i OSBE takon Dumanin: Trajnim special prokurorëve për të
Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Michel Tarran në takim me kreun e SPAK, Altin Dumani

Temë kryesore e takimit ka qenë lufta kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave në Shqipëri.

Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Michel Tarran është takuar sot me kreun SPAK, Altin Dumanin, ku bëri të ditur se po përgatitet një trajnim i ri për parandalimin e pastrimit të parave, luftën kundër korrupsionit dhe bashkëpunimin ndërkombëtar

Temë kryesore e takimit ka qenë lufta kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave në Shqipëri.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Prezenca e OSBE-së në Tiranë përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

"Ambasadori Tarran theksoi kontributin thelbësor të SPAK-ut në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, përmes ndjekjes penale të korrupsionit, rritjes të integritetit, transparencës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë, si edhe nënvizoi rolin e rëndësishëm të SPAK-ut në adresimin e krimit zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të këtij viti.

Tarran dhe Dumani diskutuan për fushat aktuale dhe të ardhshme të bashkëpunimit dhe shkëmbyen mendime mbi mënyrat se si mbështetja e OSBE-së mund të bëhet edhe më e prekshme dhe e përshtatur ndaj objektivave strategjikë të institucionit.

Gjithashtu, ambasadori Tarran theksoi gatishmërinë e Prezencës për të zhvilluar një punë gjithëpërfshirëse me një gamë të gjerë institucionesh për adresimin e përqindjes së lartë të të paraburgosurve në Shqipëri.

Po ashtu, Prezenca po përgatit një trajnim të ri për parandalimin e pastrimit të parave, luftën kundër korrupsionit dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, duke forcuar më tej bashkëpunimin ndërinstitucional në hetimet komplekse.

Që nga viti 2021, Prezenca bashkëpunon ngushtë me SPAK-un dhe aktorë të tjerë gjyqësorë përmes projektit të saj rajonal të monitorimit të proceseve gjyqësore, duke analizuar efektivitetin e reagimit gjyqësor ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Bashkëpunimet e fundit kanë përfshirë edhe trajnime e tryeza të specializuara për veprat penale të lidhura me prokurimet publike, për kërkimin ligjor dhe kontratat e partneritetit publik-privat.

Prezenca e OSBE-së mbetet e përkushtuar ndaj institucioneve të drejtësisë në Shqipëri në çuarjen përpara të reformës në drejtësi dhe forcimin e shtetit të së drejtës në vend."-thuhet në njoftim. 

Lini një Përgjigje