TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Maj 2025, 19:57

Zgjedhjet e 11 majit, KQZ tregon 7 qendrat e votimit ku nuk do të aplikohet identifikimi elektronik i votuesve

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet e 11 majit, KQZ tregon 7 qendrat e votimit ku nuk do të aplikohet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vijon me shpërndarjen e bazës materiale që do të përdoret në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Këto do të jenë zgjedhjet e dyta parlamentare ku do të aplikohet identifikimi elektronik i votuesve në shumicën e qendrave të votimit.

Megjithatë, KQZ ka bërë me dije se në shtatë qendra votimi nuk do të jetë e mundur përdorimi i kësaj teknologjie, për shkak të pamundësisë për të kontraktuar operatorët përkatës që do të garantonin funksionimin e pajisjeve.

Këto janë qendrat ku do të mungojë teknologjia e identifikimit elektronik:

1 qendër votimi në Njësinë Administrative Pult, bashkia Shkodër

4 qendra votimi në bashkinë Dropull

1 qendër votimi në bashkinë Libohovë

1 qendër votimi në bashkinë Konispol, Njësia Administrative Xarrë

Më 11 maj, qytetarët shqiptarë do të zgjedhin 140 deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë, në zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare që nga viti 1991. Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ, mbi 3.713.761 shtetas shqiptarë kanë të drejtë vote në këto zgjedhje.

Për herë të parë, të drejtën për të votuar e kanë edhe qytetarët që jetojnë jashtë vendit, të cilët janë regjistruar më herët në Platformën Elektronike për Regjistrimin e Votuesve nga Jashtë.

Në këto zgjedhje marrin pjesë 11 subjekte zgjedhore: 8 parti politike dhe 3 koalicione. Ndër më kryesoret janë Partia Socialiste e Shqipërisë, që kërkon mandatin e katërt radhazi, Partia Demokratike, koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, si dhe subjekte të tjera si Nisma Shqipëria Bëhet, Koalicioni Euroatlantik, Lëvizja Bashkë dhe Partia Mundësia.

Procesi do të monitorohet nga misioni i OSBE/ODIHR, ndërsa drejtuesi i këtij misioni, Lamberto Zannier, pritet të vizitojë disa nga qendrat e votimit ditën e zgjedhjeve për të vëzhguar nga afër zhvillimet.

Lini një Përgjigje