Publikohet pakti me 14 pika i arritur dje mes Edi Ramës dhe Giorgia Melonit...
Zbardhet pakti mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët. Ndonëse qeveria refuzon ta bëjë publik, ai ka rrjedhur në media dhe ka shumë detaje.
Sipas kësaj marrëveshje, Shqipëria duket se i jep Italisë kontroll total në Gjadër dhe në Shëngjin. Brenda kampeve do të jenë italianët ata që do të bëjnë ligjin, ndërsa Shqipëria do të kujdeset për sigurinë jashtë.
“Palët bien dakord se numri i përgjithshëm i migrantëve të pranishëm njëkohësisht në territorin shqiptar, në zbatim të këtij Protokolli, nuk mund të jetë më i lartë se 3 000 (tre mijë). Strukturat e përmendura në pikën 1, menaxhohen nga autoritetet kompetente të palës italiane, sipas legjislacionit përkatës italian dhe evropian. Mosmarrëveshjet e lindura ndërmjet këtyre autoriteteve dhe subjekteve që do të akomodohen në strukturat e sipërpërmendura, i nënshtrohen ekskluzivisht juridiksionit italian”, thuhet në pakt.

Më tej bëhet me dije se marrëveshja do të zgjasë 5 vite, por me të drejtë rinovimi. Pra me pak fjalë së paku emigrantë do vijojnë të strehohen për 5 vite, por mund të zgjasë dhe më shumë.
“Protokolli do të mbetet në fuqi për 5 vjet. Me përjashtim të rasteve kur njëra nga Palët i komunikon me paralajmërim të paktën gjashtë muaj përpara afatit të përfundimit qëllimin e saj për të mos e rinovuar këtë Protokoll, ky i fundit do të rinovohet në formë të heshtur për një periudhë tjetër 5-vjeçare”, thuhet më tej.
Sipas paktit, shpenzimet për përshtatjen e një apo më shumë strukturave të hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të migrantëve do të mbulohen tërësisht nga Pala italiane.
“Strukturat, të përmendura në Aneksin 1, do të ndërtohen dhe do të menaxhohen, në përputhje me legjislacionin përkatës italian, pa pasur nevojë për leje ndërtimi apo formalitete të tjera të ngjashme të kërkuara nga legjislacioni shqiptar. Pala italiane ka vetëm detyrimin për t’u njoftuar paraprakisht autoriteteve shqiptare projektin dhe dokumentacionin lidhur me qëndrueshmërinë dhe funksionalitetin e strukturave.
Pala italiane angazhohet të ndërtojë, gjithashtu, strukturat e dedikuara për personelin shqiptar, që do të ruajë perimetrin e jashtëm të zonave, në funksion të zbatimit të detyrimeve sipas nenit 6, pika 2, , të këtij Protokolli.
Pala shqiptare lehtëson ofrimin e shërbimeve të nevojshme për funksionimin e strukturave të përmendura në Aneksin 1, për të cilat do të zbatohen kushte jo më pak të favorshme se ato që zbatohen për struktura të ngjashme. Kostot e nevojshme për sigurimin e këtyre shërbimeve mbulohen tërësisht nga Pala italiane”, thuhet më tej.
Ndërsa në aneksin e paktit, thuhet se Italia do të rimbursojë shpenzimet që do të kryejë Shqipëria. Bëhet fjalë për 16 mln euro që do të jenë shpenzime operative. Përveç rimburismit të kosotve, Shqipëria nuk do ketë asnjë përfitim tjetër finaciar. Pra vendi ynë nuk merr asgjë.
"Pala shqiptare krijon pranë Thesarit të shtetit një llogari të veçantë jofitimprurëse, me emërtimin “Fondi për rimbursimin e shpenzimeve të kryera në zbatim të protokollit italo-shqiptar, në kuadër të forcimit e bashkëpunimit për çështjet e migracionit”.... Brenda 45 ditëve nga komunikimi i përmendur në pikën 1, të këtij seksioni, pala italiane do të paguajë, në mënyrën e parashikuar në seksionin B, të këtij aneksi, shumën e kërkuar dhe të justifikuar nga pala shqiptare, edhe si paradhënie për shpenzimet që ajo do të kryejë në gjashtëmujorin në vijim. Pas kësaj derdhjeje, shuma e llogarisë speciale të thesarit nuk mund të jetë më e vogël se 16.5 milionë euro. Në rast mosmarrëveshjeje për një pjesë të shumës së kërkuar nga pala shqiptare, pala italiane do të vazhdojë të paguajë pjesën e pakundërshtuar brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë", theksohet aty. /Pamfleti






Lini një Përgjigje