
Banorëve të zonës ju premtua se hapësira do të kthehej në një pedonale për ta dhe do të kishte ambient për fëmijët. Po aty ka filluar të hidhet beton dhe është kthyer në një vend parkimi.
Banorët e zonës së Qesarakës në Tiranë, prej shumë muajsh po përballen me një problematikë, të zaptimit të hapësirave publike.
Bëhet fjalë për zonën pranë shkollës “17 Shkurti”, një zonë e lënë në harresë nga pushteti vendor dhe ai qendror.
Për të qenë më të saktë. Pas tërmetit të vitit 2019, u vendos të rindërtohej shkolla në fjalë dhe pas disa vitesh pune, ajo u hap për fëmijët e zonës.
Por përveç shkollës, më pas u tha se do ndërhyej te përroi që del nga ish-reparti RENEA dhe zbret drejt Freskut. Banorëve të zonës ju premtua se do të kthehej në një pedonale për ta dhe do të kishte ambient për fëmijët. Por kjo nuk ndodhi.
Në fakt zona në fjalë u zaptua brenda pak kohësh. Siç shihet dhe nga pamjet, aty ka filluar të hidhet beton dhe është kthyer në një vend parkimi.

Problemi i banorëve është se nuk ka një ambient ku të luajnë fëmijët. Nuk ka një fushë futbolli apo një ambient tjetër. Të dyja zonat që mund të ktheheshin në parqe apo vende për të luajtur fëmijët janë kthyer në parkingje. Pra edhe te rrethi tek Unaza e Re, ku del përroi e njëjta gjë, u kthye në parking. Madje sipas banorëve, flitet se mund të ndërtohet edhe pallat aty.

“Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, se sa një fushë ku të luajnë fëmijët. Siç e sheh në të dyja krahët është parking. Kanë filluar edhe ta betonojnë madje. Ndërkohë fëmijët nuk kanë ku të luajnë. Kemi kontaktuar me autoritetet. Jemi ankuar te bashkia, por askush nuk na përgjigjet. Vetëm një ambient për fëmijët duam, se nuk mund të dalin të luajnë nëpër parkingje”, shprehet një prej banorëve.

Banorët i janë drejtuar “Pamfletit” për ta ngritur si problematikë, pasi askush nuk i dëgjon. Ata përballen me të njëjtin fenomen që po ndodh rëndom në Tiranë. Mjafton të ketë një copë tokë dhe kthehet në vend parkimi ose ngrihen pallate. Këto pallate kanë dhe fëmijë, kanë dhe të moshuar. Shpresojmë që autoritetet të marrin masa dhe të gjejnë një zgjidhje për banorët e zonës në fjalë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje