
Duke marrë shkas nga vrasja e ndodhur në burgun e Peqinit dhe aludimeve se mund të ketë ndodhur për motive hakmarrjeje, Zef Gjeta, njohës i kanunit të Lekë Dukagjinit thotë se përmendja e tij në ngjarje të tilla është një gabim.
Gjeta shpjegon në parim përmbajtjen e kanunit dhe bën thirrje që të mos përmendet sepse është gabim.
“Marrin përsipër të flasin për kanunin njerëz që nuk e kanë lexuar, edhe në qoftë se e kanë lexuar nuk e kanë kuptuar dhe që në qoftë se e kanë kuptuar nuk dinë kurrsesi ta interpretojnë. Unë kam ardhur për respektin tuaj dhe të të ftuarve, por për një thirrje. Mua nuk më vjen keq si person me origjinë nga Dukagjini se e prishin kanunin, se flasin keq për të e të tjera me radhë por është një institucion që 600 vjet më parë na ka kryer punë.
Sot kemi presidentin, qeverinë, ministrinë përkatëse, policinë, burgun, prokurorinë, hetuesinë, gjykatën dhe mezi e mbajmë rendin. Për të funksionuar kanuni duhet të ketë edhe ai strukturat e veta. I bëj thirrje çdo njeriu me koshiencë mos ta përmendin kanunin se e prishin imazhin e vet. Nuk ka të bëjë fare kanuni. Lekë Dukagjini ka thënë “si i miri, si i keqi shkojnë një e një”. Nuk ka lidhje me kanunin, është tjetër hakmarrja dhe unë nuk kam fare, asnjë lidhje me ngjarjen konkrete, nuk di kush e ka bërë, nuk marr përsipër të interpretoj asnjë gjë por nuk duhet përmendur kanuni sepse një njeri që s’e ka lexuar kurrë, nuk e ka kuptuar, nuk e ka interpretuar sepse duhet jurist, duhet ta lexojë, ta kuptojë dhe të eksperimentojë 30-40 vjet dhe pastaj të thuash po, ky ka një gjykim të drejtë”, tha Gjeta në “Opinion”.
Gjeta evidenton edhe dy rastet e vetme kur kanuni përmban ligjet e vrasjes.
“Vetëm në dy nene kanuni thotë për të vrarë: 1, kur të vrasin mikun dhe 2, në kushtet kur e gjen gruan me të dashurin dhe me kushtin për t’i vrarë me një plumb. Në të gjitha rastet e tjera, kanuni thotë ka ndodhur kështu, hajde ta rregullojmë. Në asnjë vend nuk thotë ka ndodhur kështu dhe merr pushkën”, shtoi ai.
Lini një Përgjigje