
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka reaguar mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në Gramsh ku 15-vjeçari Fatjon Bici u vra me thikë nga një bashkëmoshatar i tij pasi ndërhyri për të shuar një sherr të ndodhur mes shokëve të klasës, ndërsa i plagosur mbeti kushëriri i tij Marko Liçi.
Me anë të një reagimi në rrjete sociale, Kushi shkruan se kjo është një ngjarje tronditëse e cila ka ndodhur jashtë mjediseve të shkollës.
Më tej, ministrja u ka bërë thirrje institucioneve arsimore dhe familjeve që të forcojnë më shumë bashkëpunimin për të luftuar fenomenet negative tek fëmijët dhe të rinjtë.
“Jam thellësisht e tronditur nga ngjarja e ndodhur sot në Gramsh, ku një adoleshent ka humbur jetën si pasojë e një konflikti me bashkëmoshatarët e tij. Pavarësisht se kjo ngjarje ka ndodhur në rrugë, jashtë mjediseve të shkollës, institucionet tona arsimore, së bashku me institucionet e tjera ligjzbatuese, prindërit dhe familjet, duhet të forcojmë më shumë bashkëpunimin për të luftuar fenomenet negative tek fëmijët dhe të rinjtë, të cilat çojnë në ngjarje të tilla të rënda.
Një nga prioritetet në sistemin tonë arsimor është forcimi i sigurisë në shkolla, për të cilën punojmë fort duke rritur nga viti në vit numrin e punonjësve të shërbimit psiko-social dhe oficerëve të sigurisë, si dhe duke i trajnuar ata dhe mësuesit në mënyrë të vazhdueshme. Megjithatë, ne duhet të reflektojmë të gjithë si shoqëri që të rrisim vigjilencën për të parandaluar, identifikuar dhe menaxhuar raste të konfliktit në shkollë, familje dhe kudo tjetër. Shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjen e adoleshentit, duke shpresuar që të mos kemi kurrë më ngjarje të tilla”, shkruan ministrja Kushi.
Lini një Përgjigje