
Qytetarët kanë njoftuar se më 18 dhjetor do të mbahet protesta e radhës për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.
Më 18 dhjetor në orën 13:00 do të zhvillohet marshimi i pestë nga prindër, mësues dhe qytetarë, për sigurinë e fëmijëve në shkollë. Bëhet me dije se marshimi do të nisë nga shkolla "Fan Noli" drejt Ministrisë së Arsimit.
Në 4 protestat e mëparshme, prindërit kanë kërkuar shtimin e masave të sigurisë. Të frikësuar për jetën e fëmijëve të tyre, ata kanë bërë thirrje që të merren masat nga institucionet, teksa kanë kërkuar vazhdimisht dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu.
Që prej ngjarjes tragjike pranë shkollës "Fan Noli" ku humbi jetën 14-vjeçari dhe mbeti i plagosur shoku i tij, janë organizuar disa protesta në disa qytete të vendit.
Lini një Përgjigje