
Gjykata e Tiranës cakton datën për seancën e paraprake që do të mbahet ndaj të miturit Mario Përlleshaj, nën akuzë për vrasjen e bashkëmoshatarit Martin Canit.
Gjyqi do të jetë në datën 10 mars ora 13:00 dhe do të mbahet nga një gjyqtare e seksionit për të miturit.
Gjithashtu, nga ana e Prokurorisë së kryeqytetit është vendosur të ndahen aktet e këtij procedimi, sa i përket atyre që lidhen me veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal, lidhur me veprimet apo mosveprimet e stafit të shkollës.
Këto akte janë regjistruar në një procedim tjetër për të cilin hetimet vazhdojnë pasi sipas organit të akuzës është e domosdoshme kryerja e veprimeve të tjera hetimore, me qëllim individualizimin e fajësisë dhe përgjegjësive penale konkrete.
Ngjarja e rëndë, ku mbeti viktimë e një goditje me thikë 14-vjeçari Martin Cani dhe u plagos shoku i tij Luis Meçe, ishte derivat i sherreve që kishin nisur mes të miturve në platformën TikTok.
Lini një Përgjigje