TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Maj 2025, 11:47

Vonesa në numërim, KQZ thirrje partive: Procesi të mbyllet në orën 24:00

Shkruar nga Pamfleti
Vonesa në numërim, KQZ thirrje partive: Procesi të mbyllet
Ilirjan Celibashi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë partive politike që kanë anëtarë në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe në Grupet e Numërimit të Votave (GNV), duke kërkuar përshpejtimin e procesit të numërimit në zonat ku ende nuk ka përfunduar.

"Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën thirrje partive politike që kanë anëtarë në KZAZ dhe në GNV të marrin përgjegjësinë që u takon për të nxitur numëruesit dhe komisionerët në KZAZ-të ku ende nuk ka përfunduar procesi i numërimit të votave, që ky proces të përfundojë brenda afatit ligjor, konkretisht deri në orën 24:00 të ditës së sotme", thuhet në deklaratën e KQZ. 

KQZ thotë se nuk ekziston asnjë arsye që ky proces të mos përmbyllet brenda këtij afati, duke apeluar për përmbushjen e detyrimeve ligjore nga të gjitha palët e përfshira

Nga ana tjetër KQZ kërkon nga kandidatët për deputetë që të respektojnë të drejtën për të vëzhguar procesin pa ushtruar presion ndaj komisionerëve.

"Duke njohur dhe respektuar të drejtën e kandidatëve për deputet për të vëzhguar dhe mbikëqyrur procesin e numërimit, i ftojmë ata të shmangin çdo përfshirje në komunikime të panevojshme apo ushtrim presioni ndaj numëruesve dhe komisionerëve. Përgjegjësia për mosfinalizimin në kohë të procesit i takon plotësisht partive politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë dhe po ndërmerr të gjitha përpjekjet për të garantuar mbarëvajtjen dhe përfundimin e procesit", thuhet në deklaratën e KQZ. 

Në fund të deklaratës thuhet se paralajmërohen masa ndaj atyre që nuk zbatojnë afatin e caktuar.

"Nëse situata nuk do të ndryshojë brenda afatit të përcaktuar, me keqardhje njoftojmë se të gjithë personat përgjegjës do të përballen me sanksione ligjore", përfundon deklaratën KQZ

kqz zgjedhjet

Lini një Përgjigje