
Analisti Ergys Mërtiri ka komentuar rreth vizitave të Ramës me emigrantët shqiptarë në Europë, por edhe të Bashës dhe Metës së shpejti.
Ai shprehet se politika shqiptare e përdor diasporën për të marrë vota elektorale brenda vendit, pasi atyre jashtë nuk i zgjidh asnjë punë.
“Kjo është PR, qeveria kërkon të tregoj kujdesin që kanë për emigrantët dhe lidhjet e forta me njerëzit përtej vendit, por në fakt nuk bëjnë atë që duhet të bëjnë. Është çështje koncepti, por këtu nuk ka debat. Nuk e thonë që janë kundër votës së emigrantëve, thonë që janë pro dhe në fund askush nuk ja jep votën emigrantëve.
Kjo për mua është hipokrizi. E shoh si instrumentalizim të diasporës përderisa nuk bën asgjë për ta, por bën takime me ta. E përdor për llogari të politikës së brendshme. Shteti duhet të krijoj mekanizma që shqiptarët jashtë vendit të mos vuajnë. Bën takime me ata jashtë për të marrë votat e këtyre brenda”, tha Mërtiri për “Report Tv”.
Lidhur me qëndrimet PS-PD për zgjatjen e mandatit të kreut të SPAK dhe prokurorëve të tjerë, Mërtiri është i mendimit se kjo duhet aprovuar.
“Zoti Basha është pozicionuar tashmë prej kohësh pro SPAK-ut. Dhe kjo duket pasi asnjë nga Partia Demokratike zyrtare nuk ka punë me SPAK. Nuk janë ajo pjesë e kërcënuar, pjesa e vjetër e PD kanë shkuar tek zoti Berisha dhe mundësitë për t’u kërcënuar janë atje. Qeveria dukshëm është shfaqur në kundërshtim me zgjatjen e mandatit.
Mendoj se duhet ta bëjë. SPAK po prodhon reagim tek shqiptarët, realisht po lufton korrupsionin. Nisje e mirë, kemi qenë goxha të vonuar pasi mandatin e parë para se të vinte Dumani nuk është bërë asgjë. Duhet të hapet procedura për zgjatjen e mandatit. PS dukshëm po pengon e SPAK”, u shpreh Mërtiri.
Ai shton se Meta dhe Berisha kanë një luftë të hapur me SPAK, pasi ky i fundit po lufton korrupsionin.
“Meta dhe Berisha e kanë luftë të drejtpërdrejtë me SPAK-un. Nuk u intereson që ka një institucion serioz që po lufton korrupsionin. Ata nuk e kanë qëllim që të luftojnë korrupsionin, sepse do ta kishin bërë. Ata nuk kanë interes as të bëjnë opozitë. Pasi SPAK është e vetmja që po i bën opozitë qeverisë, duke çuar përpara drejtësisë një pjesë të bashkëpunëtorëve të kryeministrit”, thekson analisti.
Lini një Përgjigje