TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Shkurt 2024, 21:20

Vijojnë bëmat e Arben Gjatës, punësime dhe shkarkime në shkelje të ligjit te Mjekësia; si favorizoi zv/rektorët

Shkruar nga Pamfleti
Vijojnë bëmat e Arben Gjatës, punësime dhe shkarkime në
Arben Gjata

I pari që ka shkelur ligjin është rektori Arben Gjata, ai i cili figuron njëkohësisht i punësuar si Rektor dhe si pedagog me kohë të plotë...

Vijojnë bëmat e Rektorit të Mjekësisë, Arben Gjata. Dy ditë më parë “Pamfleti” publikoi një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi një auditim te Universiteti i Mjekësisë, në të cilin i evidentoheshin shumë shkelje dhe parregullsi.

I pari që ka shkelur ligjin është rektori Arben Gjata, i cili figuron njëkohësisht i punësuar si Rektor dhe si pedagog me kohë të plotë. Sipas KLSH kjo është e pamundur fizikisht, pasi ngihet pyetja se si ai ushtron dy detyra njëkohësisht? Sot po e zhvillojmë më gjatë këtë pjesë, teksa jemi fokusuar te emërimet dhe shkarkimet që ai ka bërë në Universitet. Sipas KLSH ka pedagogë që kanë dhënë mësim pa kontratë.

Pedagogët e kontraktuar me vonesë nga Rektorati, rezultojnë ligjërisht të kenë dhënë orë mësimi dhe të kenë kryer vlerësimet respektive për orët e mësimdhënies të zhvilluara, pa patur më parë një kontratë punësimi me Universitetin Mjekësor të Tiranës. Pedagogët e jashtëm, të kontraktuar nga UMT, kanë kryer punën e pedagogut dhe njëkohësisht kanë”, shprehet KLSH.

Sa i takon punësimit të Arben Gjatës, sipas KLSH, ai figuron në listpagesat e Fakultetit të Mjekësisë tek Departamenti i Kirurgjisë si staf akademik me kohë të plotë. Referuar listëprezencave përmbledhëse mujore të Fakultetit të Mjekësisë, të mbajtura si ato me nr. 17/288 Prot., datë 09.01.2020, nr. 371/2 Prot., datë 05.02.2020, nr. 782/2 Prot., datë 03.03.2020 e në vazhdim deri në këtë periudhë të auditimit, Rektori rezulton të jetë i punësuar me orar të plotë, në pozicionin e pedagogut në Departamentin e Kirurgjisë të FM të Universitetit Mjekësor të Tiranës.

E njëjta situatë evidentohet edhe për Zv/Rektorët znj. A. B., znj. S. K. dhe znj. Alma I. për periudhën 2020 e në vazhdim. Znj. A. B., rezulton të jetë në listapagesat dhe listprezencat e FM në pozicionin pedagoge në Departamentin e Laboratorëve me orar të plotë në mësimdhënie. Znj. S. K. rezulton të jetë në listapagesat dhe listëprezencat e FM në pozicionin pedagoge në Departamentin e Farmacisë me orar të plotë në mësimdhënie dhe znj. A.I.rezulton të jetë në listapagesat dhe listëprezencat e FM në pozicionin pedagoge në Departamentin e Sëmundjeve të Brendshme me orar të plotë në mësimdhënie.

Stafi i mësipërm, është staf administrativ i Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë dhe jo staf akademik siç figuron në listpagesat dhe listprezencat e FM të Universitetit të Mjekësisë Tiranë. Në të njëjtën kohë që ky staf është paraqitur në listprezencat e Fakultetit të Mjekësisë, për të gjithë periudhën e auditimit, u konstatua se Rektori dhe Zv/Rektorët e Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë, janë edhe në listprezencat e Rektoratit por jo në listpagesat e Rektoratit. Listprezencat e Rektoratit ku evidentohet qartazi se Rektori dhe Zv/Rektorët janë konfirmuar si prezent me kohë të plotë në pozicionet në të cilat janë dekretuar ose emëruar, janë të nënshkruara (punuara) nga specialistja e burimeve njerëzore të Rektoratit znj. A. N.dhe (miratuara) nga Drejtori i Shërbimeve Juridike dhe Burimeve Njerëzore z. E.H”, shprehet KLSH.

Nga auditimi i listprezencës së ndodhur në dosjet respektive të pagave për Fakultetin e Mjekësisë dhe për stafin administrativ të Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë Tiranë për periudhën objekt auditimi, u konstatua se në listëprezencat e stafit të Rektoratit, janë paraqitur si prezent në punë me orar me kohë të plotë edhe Rektori edhe Zv/Rektorët.

Nuk ka asnjë mundësi fizike që personat e mësipërm, pjesë të stafit administrativ të Universitetit Mjekësor të Tiranës, në pozicionet drejtuese të IAL-ve publike, të jenë prezent në detyrat e tyre të ngarkuara me ligj sipas pozicioneve në emërimin e tyre, në të njëjtën kohë që janë të angazhuar me kohë të plotë në mësimdhënie në Departamentet përkatëse të Fakultetit. Ligji për arsimin e lartë, i ngarkon Rektorit dhe Zv/Rektorit, të kryejnë detyrat në funksion të mirëadministrimit të institucionit të UMT-së. Bazuar në listpagesat e vëna në dispozicion të grupit të auditimit, rezulton se Rektori dhe Zv/Rektori kryejnë detyrat e pedagogut dhe jo detyrat që u janë ngarkuar me ligj. Edhe sipas udhëzimit nr. 29, datë 10.09.2018 të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Kapitulli II, pika (5), “Për autoritetet drejtuese të IAL-ve publike, mësimdhënia vjetore në auditor është”: (a)-Rektori 50 orë mësimore, (b)-Zëvendës Rektori 60 orë mësimore, (c)-Dekani 70 orë mësimore, (d)-Zëvendës Dekani 90 orë mësimore dhe (e)- Përgjegjës Departamenti 90 orë mësimore. Pra mësimdhënia është e lejuar për orare të caktuara dhe jo me kohë të plotë (full-time)”, shprehet KLSH.

Pra, rezulton se Autoritetet Drejtuese të Universitetit të Mjekësisë Tiranë, paguhen për funksione dytësore dhe jo për funksione parësore ndërkohë që ligji i ka ngarkuar përmbushjen e detyrave në funksionet parësore, kjo edhe për vetë rëndësinë në nivel kombëtar që ka Universiteti i Mjekësisë në Shqipëri, i cila obligon një nivel menaxhimi me kohë të plotë sipas kërkesave të ligjit.

Është për tu përmendur fakti se në listpagesat e stafit akademik, nuk ka asnjë të dhënë nëse ky staf akademik këtë punë pra të pedagogut, e ka punë parësore apo punë dytësore pasi në këto listpagesa, të gjithë mjekët rezultojnë me kohë të plotë në angazhimet e tyre akademike në fakultetet përkatëse”, thekson raporti.

Lidhur me largimet dhe rekrutimet në punë nga auditimi me zgjedhje i dosjeve të personelit administrativ të Universitetit të Mjekësisë Tiranë, u konstatuan parregullsi në mënyrën e ndjekjes së procedurave për largimin e punonjësve nga puna.

Përsa i përket punonjëses L.L. në pozicionin “Specialist në Sektorin e Prokurimeve”, u konstatua se është lidhur kontrata e punës me nr. 2560/11 Prot., datë 24.10.2022, midis punonjëses L.L dhe Universitetit Mjekësor të Tiranës përfaqësuar nga Administratori znj. S.S. Procedura e rekrutimit, është ndjekur me korrektësi por procedura e shkëputjes së kontratës së punës, ka mangësi”, shprehet KLSH.

Konkretisht, në dosjen personale u evidentua se në datën 05.01.2023, në orën 12:52, nga punonjësja L. K. (Ll.), është dërguar një e-mail drejtuar Administratorit të UMT znj. S.S, zyrës së burimeve njerëzore të UMT, znj. S. P. me detyrë specialiste tek Drejtoria Juridike dhe Burimeve Njerëzore dhe znj. N.D me detyrë Drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve Mbështetëse të UMT. Me anë të këtij e-maili, punonjësja njofton UMT për hapat e ndjekur për dorëzimin e dorëheqjes në institucion dhe bashkangjitur ka dërguar edhe kërkesën për dorëheqje.

Vlen të theksohet fakti se draft-urdhri i dërguar nga Drejtoria Juridike dhe Burimeve Njerëzore dhe urdhri i konceptuar dhe nënshkruar nga Administratori i UMT-së për lirimin nga puna të punonjëses, nuk përmendin faktin se punonjësja ka dhënë dorëheqjen nga puna dhe çdo veprim i mëvonshëm nga UMT pas dhënies së dorëheqjes së punonjëses (e cila nuk është marrë në konsideratë nga UMT), vetëm sa sjell pasoja negative për UMT-në. As e-maili dërguar nga Drejtoria Juridike dhe Burimeve Njerëzore drejtuar Adminsitratorit të UMT-së, nuk cilëson në asnjë rresht se punonjësja ka dhënë dorëheqjen me e-mail drejtuar po të njëjtës Drejtori pra Drejtorisë Juridike dhe Burimeve Njerëzore. Si rezultat, edhe draft-urdhri i hartuar nga Drejtoria Juridike dhe Burimeve Njerëzore, duhej të cilësonte datën dhe orën e e-mailit të dërguar për dorëheqje nga punonjësja dhe jo relacionin me shkeljet e konstatuara vetëm nga Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Mbështetëse të UMT-së, për më tepër që këto shkelje, punonjëses nuk i janë bërë me dije nga ana e UMT-së. Në dosjen personale të punonjëses, nuk u evidentua ndonjë korespodencë midis punonjëses dhe UMT-së përvec korespodencave të cilësuara më sipër”, shprehet KLSH.

Po ashtu KLSH ka konstatuar shkelje dhe për disa raste të tjera. /Pamfleti

Lini një Përgjigje