
Gjatë sezonit të verës, raportohet një shtim i numrit të përdoruesve te drogërave sintetike. Kjo konfirmohet edhe nga punonjësi social në qendrën e varësisë së lëndëve narkotike “Aksion Plus”, Olti Korreshi.
"Përdorues apo eksperimentues të drogërave sintetike. Numrat në periudhën e verës rriten ndjeshëm. Janë goxha të dëmshme. Krijon një çorientim jo vetëm fizikisht por edhe mendërisht", tha Korreshi.
Sipas tij, një pjesë e të rinjve, përfshirë edhe minorenë, kërkojnë të eksperimentojnë, të ndikuar edhe nga shoqëria.
"Është një grupmoshë e re, 16 deri 30 vjec. Janë të ekspozuar ndaj kësaj kategorie. Impakt ka edhe koha e verës dhe pushimet. Kjo sjell edhe shtytjen që kjo grupmoshe merr nga njëri-tjetri", u shpreh Korreshi.
Ai shprehu gjendjen alarmante duke bërë thirrje që të merren masa në shkolla dhe gjimnaze.
"Informacioni është baza e parandalimit. Duhet të punojmë shumë me informimin në shkolla", tha Korreshi.
Konsumimi i lëndëve narkotike apo eksperimentimi i tyre në moshë të hershme mund të shkaktojë ndryshime në zhvillimin e trurit dhe të rrisë gjasat e kalimit të varësisë në drogëra më të forta.
Lini një Përgjigje