TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Shtator 2024, 09:32

Vendimi i Apelit, caktohet prokurorja që do të ekzekutojë arrestimin e Ervin Salianjit

Shkruar nga Pamfleti
Vendimi i Apelit, caktohet prokurorja që do të ekzekutojë
Prokurorja Elona Alvora

Menjëherë pas marrjes se vendimit të ekzekutimit, prokurorja do t'i dërgojë policisë shkresën për ekzekutim.

Prokurorja Elona Alvora është caktur me short për të ekzekutuar vendimin me dënimin 1 vit burg për Ervin Salianjin.

Menjëherë pas marrjes se vendimit të ekzekutimit, prokurorja do t'i dërgojë policisë shkresën për ekzekutim. Ndërkohë që më parë deputeti demokrat do të ftohet ta zbatojë vendimin vullnetarisht.

Gjykata e Apelit vendosi të enjten (26 shtator) të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për Salianjin dhe dënimin e tij përfundimisht me 1 vit burg nën akuzën e kallëzimit të rremë lidhur me audio-përgjimin e dosjes 'Babale'. Në audio përgjim pretendohej se vëllai i ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge.

Në një prononcim të shkurtër për mediat, deputeti demokrat e cilësoi vendimin e gjykatës si politik dhe tha se do ta vazhdojë betejën nga qelitë e burgut.

Salianji deklaroi mbrëmë në një studio televizive se nesër (pra sot, 27 shtator) do të zbatojë vendimin për ndalimin e tij dhe se për këtë arsye do të shkojë vetë në polici.

"Po, besoj se në rrugë e sipër është. Është ndjekur një procedurë, që do të jetë urdhër ekzekutimi i menjëhershëm dhe nesër mesa duket do të zbatohet. Por do të jem vetë që do të shkoj", tha Ervin Salianji

Pas këtij vendimi, Salianji humbet mandatin e deputetit dhe referuar ligjit të dekriminalizimit, nuk ka më të drejtën të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme.

Ndërkohë, Partia Demokratike ka vendosur të shkojë drejt mosbindjes civile pas dënimit me burg të Ervin Salianjit.

Deputeti i PD u dënua me 1 vit burg për dosjen e famshme “Babale”. Pas disa vitesh zvarritje, vendimi vjen në prag të zgjedhjeve dhe kjo ka sjellë shumë reagime nga opozita, e cila e sheh si një goditje ndaj saj. Demokratët shprehen se gjyqtarët i janë nënshtruar qeverisë dhe për këtë arsye sot në mbrëmje u hodh teza e revoltave.

PD mblodhi Kryesinë për të dalë me një vendim mbi reagimin që do të ketë mbi dënimin e Salianjit. Kreu i partisë, Sali Berisha në fjalën që mbajti online nga banesa, deklaroi se e vetmja rrugë janë protestat. Sipas tij, të gjithë duhet të dalin në shesh kundër Edi Ramës.

“Qendrimi ynë do të jetë një opozitë me të madh dhe të vogël, me të gjithë ata që guxojnë në protesta, në protesta, në protesta. Qendrimi ynë do të jetë, përqafimi i modelit të rezistencës në rrugë, në shesh të përballjes dhëmbë për dhëmbë, si objektivi më madhor absolut me këtë regjim që nuk njeh Kushtetutë. Me këtë regjim që bën gjithçka të mos ketë opozitë. Me këtë regjim që trajton Shqipërinë si plaçkë personale. Si çiflig. Pa një opozitë sovrane nuk ka sovranitet të brendshëm”, tha ai.

Çfarë është dosja “Babale”?

Në pranverën e vitit 2018, deputeti i PD-së doli në një deklaratë për mediat dhe publikoi një audio-përgjim. Salianji pretendonte se vëllai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj, ishte i përfshirë në trafik droge.

Sipas audio-përgjimit, vëllai i Fatmir Xhafajt, Agron Xhafaj komunikonte me një ish-trafikant, Albert Veliun, me pseudonimin Babalja. Por, nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës rezultoi se audiopërgjimi ishte një material i montuar.

Personi që në disa raste bën zërin e Agron Xhafajt (në rol), sipas hetimeve, ishte Fredi Alizoti. Në dosjen hetimore thuhet se Albert Veliu u akomodua në selinë e PD-së në janar të vitit 2018 dhe stimuloi bisedën me Fredi Alizotin.

Intervista e Albert Veliut u regjistrua në një mjet përgjimi stilolpas, të cilin ia dorëzoi Ervin Salianjit. Më pas, ky i fundit doli në një deklaratë për mediat dhe denoncoi Agron Xhafajn për lidhje me trafikimin e drogës.

Vendimi i Gjykatës

Më 18 dhjetor të 2019-ës, Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës dha vendimin për dosjen “Babale”. Fredi Alizoti u dënua me 2 vite burgim, ndërsa Ervin Salianji u dënua me një vit burg për akuzën e kallëzimit të rremë.

Gjithashtu u dënua me 3 vite e 6 muaj burg Albert Veliu. Salianji e kundërshtoi këtë vendim dhe e ankimoi në Gjykatën e Apelit. Për më shumë se dy vite, dosja u zvarrit dhe pas mungesave të shumta të avokatëve, sot u dha vendimi përfundimtar. Ervin Salianji u dënua me një vit burg për kallëzim të rremë./Pamfleti

 

ervin salianji prokurori apeli vendim

Lini një Përgjigje