TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet31 Tetor 2025, 15:59

Veliaj në Kushtetuese, vijon seanca me sesione pushimi; çfarë po ndodh në Gjykatë prej 5 orësh

Shkruar nga Pamfleti

Veliaj në Kushtetuese, vijon seanca me sesione pushimi; çfarë

Gjykata Kushtetuese ka ndërprerë sërish seancën ku prej orës 10:00 po shqyrtohet ankimi i Kryebashkiakut të shkarkuar të Tiranës, Erion Veliaj, i cili kundërshton procesin e shkarkimit që u dirigjua nga Kryeministri Edi Rama.

Holta Zaçaj, kryetare e Gjykatës Kushtetuese njoftoi ndërprerjen e seancës për 20 minuta, e dyta ndërprerje kjo, gjatë ditës së sotme.

Seanca pritet të rifillojë rreth orës 16:00, ndërsa gjatë 5 orëve palët kanë paraqitur parashtrimet e tyre dhe u janë përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Duke pyetur drejtpërdrejtë Gjykatën se “çfarë shkelje kam kryer unë”, kryebashkiaku Veliaj në fjalën e tij theksoi se mandati i tij kushtetues nuk mund të ndërpritet nga askush para se të përfundojë sipas afatit, veçse në rastet kur ka shkelje të rënda të Kushtetutës.

“Cilën shkelje të rëndë të Kushtetutës apo të ligjit kam kryer unë, në ushtrimin e mandatit kushtetues të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës? Përpjekja ime për të mbrojtur besëlidhjen me qytetarët e Tiranës, edhe në kushtet e rrëmbimit në qeli, është detyrim imi ndaj qytetarëve”, tha Veliaj.

Veliaj tha se e rrëmbyen nga zyra pa kryer asnjë shkelje dhe se po mbahet në paraburgim me një regjim burgosjeje më të rëndë sesa vrasjet seriale. Në këtë periudhë, tha ai, ka përjetuar një sërë shkeljesh të të drejtave themelore, dhe denigrimi e përpjekjeje për t'i heshtur zërin si i zgjedhur vendor. Por, "besimi se vota e lirë është më e fortë se kulisat politike është fuqia që e shtyn të bëj këtë betejë", u shpreh Veliaj.

Veliaj tha se i ka qëndruar kontratës së besëlidhjes me qytetarët dhe i kërkoi Kushtetueses që të jetë garante që vota e qytetarëve të mos merret nga të tjerët në mënyrë të fshehtë apo hileqare, duke drejtuar dorën herë pas here nga përfaqësuesit e Presidencës dhe Këshillit të Ministrave.

Argumentin e përdorur për shkarkim se nuk është paraqitur në detyrë prej më shumë se tre muajsh, Veliaj e cilësoi si fyerje, më të rëndën në jetën e tij, sidomos që erdhi edhe nga të vetët, që siç tha Kryebashkiaku i shkarkuar, janë njerëz që e dinë më mirë se kushdo punën e tij në bashki. Sipas tij, u bënë dy padrejtësi, të thuash se Veliaj mungoi në detyrë, nuk është thjesht një cinizëm që bëhet jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj së vërtetës dhe ligjit.

“Nuk kishin si të më fyenin më rëndë. Ishte më e rënda e jetës sime publike, sepse erdhi nga bashkëpunëtorët e mi, nga njerëz që më njohin më mirë se kushdo tjetër dhe që nuk denjuan as të më dëgjonin. Zoti i faltë! Lutem çdo natë për ta: Zot, fali, se nuk dinë ç’kanë bërë”, tha ai.

Kritika pati edhe për procedurën që është ndjekur për shkarkimin e tij, duke thënë me ironi se është habitur nga eficenca mbresëlënëse që nga dita kur Këshilli Bashkiak votoi pro propozimit për shkarkimin e tij deri tek dekreti i Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë, duke lënë të nënkuptuar se kishte një skenar të koordinuar kundër tij.

Veliaj mbrojti idenë se procedura e ndjekur ndaj tij përfaqëson një rrezik për demokracinë.

“Në këtë seancë nuk po shqyrtohet një vend pune. Kjo është një seancë historike, që shqyrton vetë demokracinë shqiptare. Ne jemi betuar të mbrojmë demokracinë, jo ta përdorim atë. Të ruajmë si pasurinë më të shenjtë të Republikës, jo ta sakrifikojmë për llogari të momentit, për rehati politike apo për urdhra të përkohshëm, që bien ndesh me ligjin e përjetshëm të drejtësisë”, tha Veliaj.

Pyetjes së trupës së gjyqtarëve të Kushtetueses për mungesën në detyrë, Veliaj iu përgjigj se mungesa e tij nuk është zgjedhje, pas me zemër do ishte në zyrë, por është i detyruar nga shteti, që siç tha ai një pjesë e ka çuar në Durrës në internim dhe një pjesë i thotë përse nuk je në Tiranë. Mungesa e tij në detyrë është me arsye tha Veliaj, duke theksuar se ndërkohë puna në Bashki nuk është ndërprerë edhe pse është në qeli, pasi detyra është deleguar. Veliaj tha se nuk kërkon mëshirë, por drejtësi Kushtetuese, duke theksuar se këtë betejë nuk po e bën vetëm për veten e tij, por edhe Ogertën, Florin apo Arlidnin, kandidatët që duan t’i zënë vendin në krye të Bashkisë së Tiranës.

Mbrojtja e Veliajt argumentoi se neni 62, pika c, i ligjit për qeverisjen vendore nuk mund të përdoret si bazë për shkarkimin e një kryebashkiaku, pasi neni 115 i Kushtetutës përcakton se qeveria mund të marrë një vendim të tillë vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve. Por, Këshilli i Ministrave kërkoi lënien në fuqi të vendimit për shkarkim, si edhe dekretin për zgjedhjet në Tiranë.

Qëndrimi nga përfaqësuesi i Presidencës

Seanca nisi me një kërkesë paraprake nga Presidenca, e cila kërkoi që dekreti për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë të mos jetë pjesë e këtij gjykimi, pasi sipas tyre nuk është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa u rrëzua me vendim unanim nga Kushtetuesja, por kjo solli kritika nga këshilltari ligjor i Presidencës, Ilir Rusmaili i cili tha se Kushtetuesja po tejkalon komptencat duke marrë në shqyrtim dekretin e Presidentit.

Ai tha se Gjykata Kushtetuese i rrëmbeu kompetencën presidencës duke pezulluar dekretin për zgjedhjet në Tiranë, në vend që të merrej me ankimimin e shkarkimit nga detyra të Veliajt. Sipas tij, nëse gjykata do të ishte shprehur për këtë ankimin, atëherë i takonte presidentit që brenda ditës të pezullonte dekretin si kompetencë e tij.

“Me këtë përmbajtje, presidenti do të shkelte edhe kushtetutën e ligjit nëse do e pezullonte. Presidenti nuk përfshihet në thelbin e çështjeve, nuk bëhet aktor dhe nuk merr vendime si organet e tjera. Sidomos kur rastet kanë lidhje me politikën dhe zgjedhjet, rri larg procesit, prandaj nuk mund të ndërmarrë veprime që cenojnë pozitën e vet kushtetuese. Është e vërtetë se presidenca ka diskutuar gjatë për këtë çështje sikurse ka pritur edhe sinjal nga Gjykata Kushtetuese dhe e kemi diskutuar shumë opsionin që t’i adresoheshim GJK por kemi parë pengesën e fortë ligjore për t’u adresuar. Nuk është rasti i parë, kemi parë të tjera që kemi dashur të angazhohemi në dialog me Gjykatën Kushtetuese, dhe jemi frenuar për faktin se gjykata ka ligj të rreptë dhe as opinionit puiblik nuk i bënte punë një shkresë nga Sekretari i Përgjithshëm. Po them as nga kryetarja e gjykatës nuk i bënte punë. Kryetarja ka shprehur vullnetin e saj por nuk ka kompetencën që të tërheqë opinionin e anëtarëve dhe t’i kumtojë ato. Pritëm në maksimumin e kohës së mundshme që gjykata, nga vetja, kishte një ankesë të dhënë përpara, por të ndante shapin nga sheqeri dhe të ndihmonte të gjithë palët për të zgjidhur menjëherë dhe ligjërisht këtë gjë.", theksoi Rusmali. 

Rusmaili tha se Presidenti ka bërë vetëm detyrën dhe se mosdekretimi i zgjedhjeve do ishte ‘atentat’ Kushtetues.

“I qëndrojmë parashtrimeve të dorëzuar më datë 15 tetor. Dekreti i Presidentit ka qenë kushtetues në datë 1 tetor, kur ai u mor dhe ngelet i tillë sot se ka qenë kushtetues në atë datë. Dekreti ka qenë i tillë dhe mbetet i tillë për shkak se kushtetuta e bënin dekreti kushtetues.

Ju e shihni veten kompetentë për të marrë në shqyrtim dhe për të vendosur me dekretin se e shihni të lidhur me çështjen e themelit Ju nuk thatë sot që dekreti nuk është akt administrativ, ndryshe nga qëndrimet e mëparshme të kushtetueses. Ju e shihni të lidhur, nuk kemi asgjë për të kontestuar, vetëm se shohim disa probleme të vogla, është normale që shumicën e çështjeve që vijnë para GJK të gjetjet një lidhje me aktet zbatuese. Nëse lidhja tërheq kompetencën tuaj për gjykimin e këtyre akteve, ju mund të ndodheni para situatës ku ju duhet të jepni ose hiqni leje ndërtimi, apo leje legalizimi, apo akte të tjera administrative. Kjo është e rrezikshme për Kushtetueses se e nxjerr atë jashtë funksionit të vet kushtetues. Në fund të ditës ju do jeni të detyruar të merrni një vend në raport me dekretin dhe do përballeni me faktin. Kushtetua ja lejon të shqyrtoni aktin për shkarkimin e presidentit dhe aktin e KM për shkarkimin e të zgjedhurve vendor kur kryhen shkelje të rënda të kushtetutës ose ligjit. Nëse është e tillë pse nuk janë te neni 131 i kushtetutës, pse nuk ka kompetencë që përcakton kompetencën tuaj për të marrë në shqyrtim dhe për të shqyrtuar në themel dekretet të presidentit, nëse nuk është, do të thotë që kompetencën nuk e keni”, tha Rusmaili.

Qëndrimi nga përfaqësuesja e Qeverisë

Përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave, Irma Qosja në seancën publike për ankimimin e Erion Veliajt që po mbahet në Gjykatën Kushtetuese, u ndal edhe te pretendimi i Kryebashkiakut se është informuar përmes sekretarit të Këshillit, që sipas të cilit, nuk e ka për kompetencë. Por Qosja tha se, sipas nenit 57 të ligjit të posaçëm, sekretari ka për detyrë të kryejë të gjitha procedurat për zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Bashkiak, përfshirë edhe informimin e kryetarit të bashkisë, për të cilin po zhvillohet mbledhja.

“Sa i përket pretendimeve për cenimin e së drejtës për t’u dëgjuar dhe mbrojtur, ashtu sikurse kërkuesi ka pohuar, rezulton se ka pasur dijeni për nismën për shkarkimin e tij. Informacion që është konfirmuar me shkresën e datës 22.09.25 i Këshillit Bashkiak. Në nenin 57 të ligjit të posaçëm rezulton se detyra te sekretarit të këshillit përfshin mbajtjen e dokumenteve zyrtare të këshillit, njoftimin për zhvillimin e mbledhjeve të këshillit, shpalljen dhe publikimin e akteve të këshillit etj. Referuar kësaj dispozite, pretendimet i kërkuesit se njoftimi i sekretarit nuk ka asnjë vlerë juridike është i pabazuar se ligji e ka ngarkuar me detyra me mbajtjen e dokumentacionit dhe kryerjen e detyrave për zhvillimin e mbledhjeve.” , tha ajo.

 

Lini një Përgjigje